Kërko

Sant'Ireneo, Nunziatura Apostolica a Parigi Sant'Ireneo, Nunziatura Apostolica a Parigi 

Më 28 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Ireneun e Lionit, ipeshkëv e martir

Në pesë librat e Ireneut kundër herezive, ndjehet jo vetëm forca e apologjistit të madh, por edhe ëmbëlsia e bariut të mirë, të shqetësuar për ndonjë nga delet e humbura, të cilën bën çmos ta rikthejë në vath.

R. SH. - Vatikan

Shën Ireneu i Lionit, që në shqip do të thotë Paqësor, ipeshkëv e martir, njeri i paqes me emër e me vepra, është figurë me rëndësi të dorës së parë në historinë e Kishës. Me origjinë nga Azia, i lindur në Smirnë, në vitin 177 u nis nga Galileja për t’u ulur në fronin ipeshkëvnor të Lionit, duke zënë vendin e ipeshkvit martir Potinit, pak kohë pasi qe dërguar në Romë për të sqaruar disa çështje doktrinore. Kur arriti në vend, gjysma e priftërinjve dhe e besimtarëve të Kishës, së cilës do t’i printe, ishin martirizuar. Mbeti i vetmi ipeshkëv për të gjithë Galinë.

Ai, grek, mësoi shumë shpejt gjuhën e barbarëve, për të ungjillëzuar popullsitë keltike e gjermanike. E atje ku nuk arrinte zëri i tij, arrinte fjala e shkruar. Në pesë librat e Ireneut kundër herezive, ndjehet jo vetëm forca e apologjistit të madh, por edhe ëmbëlsia e bariut të mirë, të shqetësuar për ndonjë nga delet e humbura, të cilën bën çmos ta rikthejë në vath.

Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj i pak intelektualëve, por mund të kuptohet e të pranohet nga të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhës të Apostujve, duke u nisur nga Papa. Tradita apostolike është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja e fesë së krishterë që transmetohet nga Kisha është ajo e marrë prej Jezusit, Birit të Zotit dh prej apostujve. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dëshiron ta njohë doktrinën e vërtetë mjafton ta njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë që iu është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve.

Kështu shën Ireneu na kujton unicitetin,  universalitetin dhe frymëzimin hyjnor të krishterimit, ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga tradita e Kishës, qysh në fillim. Duke kujtuar cilësitë e ipeshkvit të lashtë francez, Ireneut, mund ta quajmë kampion të luftës kundër herezive dhe prelat të aftë për të ripohuar konceptin e pastër të traditës apostolike. 

Mjafton t’i citojmë fjalët që i pati përdorur Ireneu për t’i kundërshtuar heretikët. Kisha, megjithëse e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, beson në këtë të vërtetë, si të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton si të kishte një gojë të vetme, duke pasur mirë parasysh se tradita apostolike është e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë.

Shën Ireneu i Lionit: në audiencën e përgjithshme të Papës Benediktit XVI të 28 marsit 2007, në ciklin e katekizmit mbi Etërit apostolikë

Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj për pak intelektualë, por është e arritshme dhe e pranueshme për të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhësve të Apostujve, duke u nisur nga Papa. Kështu Ati i Shenjtë Jozef Raztinger iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve të pranishëm  në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën e përgjithshme të 28 marsit 2007, duke folur mbi unicitetin, mbi universalitetin dhe frymëzimin hyjnor të krishterimit ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën Ireneu ipeshkëv i Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnjostike.
Mësimi i vërtetë është ai që japin ipeshkvijtë, të cilët mund të provojnë se e kanë marrë përmes një tradite të pashkëputshme nga Apostujt”. Pohimi i këtyre fjalëve, pak para dymijë vjetësh, i mundësoi Ireneut ipeshkëv të Lionit të hedh poshtë mendimin sektar të gnostikëve që shkonin duke predikuar një krishterim të tipit “elitar, intelektualist”.

Sipas tyre e vërteta e Ungjillit mund të kuptohej vetëm nga grup i vogël, përbërë prej intelektualësh e njerëzish të ditur, duke u lënë turmave e të njerëzve të thjeshtë simbolizmin, pasi sipas tyre, ata nuk janë në gjendje ti kuptojnë gjërat e vështira të doktrinës.  Benedikti XVI kujtoi dhe lavdëroi cilësitë e Ireneut, ipeshkvit të lashtë francez, të cilin Papa e quajti “kampion të luftës kundër herezive” dhe të aftë të ripohoi “konceptin e pastër të traditës apostolike”: “Tradita apostolike është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja e fesë së krishterë që transmetohet nga Kisha është ajo e marrë prej apostujve e prej Jezusit, Birit të Zotit. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dëshiron ta njohë doktrinën e vërtetë mjafton ta njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë që iu është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve”.

Në këtë traditë, ripohoi në vazhdim të katekizmit të audiencës së sotme Benedikti XVI, “duhet konsideruar në mënyrë të posaçme mësimi i Kishës së Romës, i Kishës kryesore e tejet të lashtë, e cila – tha Papa – ka ‘apostolicitetin më të madh’ sepse e ka zanafillën e saj prej vetë ‘shtyllave’ të Kolegjit apostolik: Pjetrit e Palit”. E prej tyre, deri tek ipeshkvijtë e sotëm, Tradita apostolike dëshmon edhe një tipar tjetër: atë të “unicitetit”. Për ta përshkruar këte, Papa përdori të njëjtat fjalë që i pati menduar Ireneu për t’i kundërshtuar heretikët: “Kisha, megjithëse është e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, beson në këtë të vërtetë sikur të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton sikur të kishte vetëm një gojë”.

Tradita apostolike, së fundi, ka një tipar të tretë: ajo është “e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë” tha Papa gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme kushtuar figurës së Shën Ireneut: “Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë, për një transmetim që i besohet aftësisë e shkathtësisë së njerëzve pak a shumë të përgatitur mirë e të mençur, por është Shpirti i Zotit ai që garanton besnikërinë e transmetimit të fesë. Kjo është jeta e Kishës, kjo është ajo që Kishën e bën kurdoherë të freskët e të re, të frytshme në karizma të shumta”.

28 qershor 2018, 10:02