Versioni Beta

Cerca

Vatican News
San Guglielmo, Bernardino Zenale San Guglielmo, Bernardino Zenale 

Më 25 qershor kalendari përkujton shën Gulielmin, Abat

Gulielmi u bë murg dhe vendosi të shkonte në Palestinë. Gjatë shtegtimit, u ndalua në Irpinia, ku themeloi Kongregatën benediktine të Montevergjines, organizuar sipas rregullave të jetës së kuvendeve benediktine.

R. SH. - Vatikan

Gulielmi lindi në një familje fisnike të Verçelit (Itali), u bë murg dhe vendosi të shkonte në Palestinë. Gjatë shtegtimit, u ndalua në Irpinia, ku themeloi Kongregatën benediktine të Montevergjines, organizuar sipas rregullave të jetës së kuvendeve benediktine.

Gulielmi duke ndjerë nevojën e jetës vetmitare, emëroi pasardhësin në drejtimin e Kongregatës, nga e cila u largua, por pa e gjetur vetminë e dëshiruar. Gjithnjë në shtegtim, themeloi kuvende të tjera, ndërmjet të cilave, atë të të Shëlbuemit, të ndarë në dy pjesë, për rregulltarë e për rregulltare.  Veprimtaria e tij e palodhshme e çoi edhe më larg , drejt Roka San Feliçes, Fogjas e Troias. Ideali i jetës asketike që propozoi, lidhur ngushtë me Rregullën Benediktine, i jepte më shumë hapësirë lutjes e kundrimit. 

Gulielmi vdiq në kuvendin e Goletos më 24 qershor 1142 e nisi të nderohej menjëherë si shenjt nga bashkësia e tij. Disa ipeshkvij autorizuan edhe kultin publik, që, duke nisur nga viti 1785, u shtri në mbarë Kishën. Më 1807 trupi i tij u vendos në Montevergjine. E vijon të pushojë në paqe edhe sot e kësaj dite në atë kuvend, ku gjatë Luftës II Botërore u ruajt në fshehtësi të plotë, Sindona e Shenjtë e Torinos.

25 qershor 2018, 12:35