Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Simposio sulla liberta Religiosa - Pontificia Universita della Santa Croce  25 Giugno 2018 Simposio sulla liberta Religiosa - Pontificia Universita della Santa Croce 25 Giugno 2018 

Konferencë për Liritë fetare: Thirrja e popullit Yazid, për "t’u dhënë fund vuajtjeve të pakicave në Irak e Siri"

Britma e popullit Yazid:"Kemi nevojë për veprime dhe nisma konkrete. Kemi nevojë që të gjithë njerëzit në botë që kujdesen dhe e kanë përzemër drejtësinë e paqen, të veprojnë e t'u jepet fund vuajtjeve që pësojnë pakicat në Irak e në Siri".

R.SH. - Vatikan

Liria fetare: një konferencë në Universitetin e Kryqit të Shenjtë në Romë. Thirrja e popullit Yazidi,  për "t’u dhënë fund vuajtjeve të pakicave në Irak e Siri".

"Kemi nevojë për veprime dhe nisma konkrete. Kemi nevojë që të gjithë njerëzit në botë që kujdesen dhe e kanë përzemër drejtësinë e paqen, të veprojnë. Unë ju kërkoj të imagjinoni shkallën e madhe të dhimbjes që po përjetojmë dhe kërkoj t'u jepet fund vuajtjeve që pësojnë pakicat në Irak e në Siri".

Me këtë britmë të popullit Yazidë u hapen sot paradite punimet e konferencës mbi lirinë fetare, promovuar nga Ambasada e SHBA-së pranë Selisë së Shenjtë në bashkëpunim me organizatën ‘Ndihmë Kishës që  vuan’ dhe me Komunitetin e Shën Egjidit, në selinë e Universitetit Papnor të Kryqit të Shenjtë, në Romë.

Zëdhënëse e popullit  Yazidë  ishte një vajzë e re, Salwa Khalaf Rasho e cila që tre vjet jeton në Gjermani, por në vitin 2014 qe  rrëmbyer nga anëtarët e të ashtuquajturit Shtetit Islamik  dhe qe mbajtur peng për tetë muaj. Me të, 6 mijë gra e fëmijë Yazidë qenë rrëmbyer. Edhe këta, si Salwa Khalaf Rasho, kanë pësuar abuzime fizike dhe seksuale. Janë rrahur e torturuar nga Isis.

Salwa ka pasur fatin e mirë për të ikur, por në Irak ende janë 3 mijë gra e fëmijë të braktisur dhe për “fatin e tyre ende nuk dihet gjë". " Situata, për fat të keq, është duke u përkeqësuar", dëshmoi vajza Salwa  e cila kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar një sërë ndërhyrjesh për: rindërtimin e territoreve të shkatërruara nga lufta dhe eliminimin e minave në terren; interesimin për fatin e 3,000 Yazidëve që kanë mbetur në Irak; verifikimin e 60 varreve të përbashkëta në rajonin Yazid, për të pasur,  kështu, provat e dëshmitë e masakrës dhe pastaj fillimin e hetimit ndërkombëtar nën patronazhin e OKB-së për krime kundër njerëzimit; sigurimin e mbrojtjes së minoriteteve.

Ambasadorja e SHBA-së, Gringrich pohoi se " duhet dhe mund të bëjmë më shumë" për t’i mbrojtur të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtat fetare të çdo kombi e populli.

25 qershor 2018, 14:34