Versioni Beta

Cerca

Vatican News
cardinali nella sala del concistoro cardinali nella sala del concistoro 

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’do të thotë fjala “koncistor”?

Fjala “koncistor” që përdoret në Kishë, ka një histori të lashtë. Është mbledhja solemne e të gjithë kardinajve, kryesuar nga Papa, për trajtimin e disa çështjeve me rëndësi në qeverisjen e Kishës.

R. SH. - Vatikan

Ç’do të thotë fjala “koncistor”?

Mbledhja solemne e të gjithë kardinajve, që kryesohet nga Papa, quhet “koncistor”. E gjatë në “koncistori” siç është ky i sotëm, Ati i Shenjtë, përmes një riti, krijon kardinajtë e rinj, që ka emëruar kohë më parë. E gjatë kësaj ceremonie, e cila është publike, Ati i Shenjtë i jep çdo kardinali të ri kësulën e purpurtë dhe unazën, së bashku me emrin e Kishës së Romës, ku do të jetë titullar, në shenjë të bashkimit me Pasardhësin e Shën Pjetrit.

Por ç’do të thotë fjala “koncistor”?
Po të shohim fjalorin, nga latinishtja “consistorium”, që do të thotë mbledhje, asamble, këshill, aty ku jemi të gjithë së bashku, fjala është përdorur fillimisht për të përcaktuar “sallën e pritjes” e pastaj një mbledhje formale të kolegjit të këshilltarëve të një sovrani. Perandorët romakë kishin këshilltarët e tyre, që mblidheshin në “kolegjin e shenjtë”, apo “sacrum consistorium”. Ata ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë, si kreu i administratës së perandorisë (magister officiorum), ministri i financave (comes sacrarum largitionum), ministri i drejtësisë (quaestor sacrii palatii), ministri i tokave – pronë private (comes rerum privatarum). Mund të merrte pjesë, por jo gjithmonë, edhe çambelani i madh (praepositus sacri cubiculi).

Më vonë, fjala “koncistor” u përdor në Kishë, në të cilën ka një histori të lashtë. Është mbledhja solemne e të gjithë kardinajve, kryesuar nga Papa, për trajtimin e disa çështjeve me rëndësi në qeverisjen e Kishës. Mbahet në Vatikan e ka gjithnjë vlerë këshillimore e jo vendimmarrëse. Sipas së drejtës kanonike (neni 353), kardinajtë kanë për detyrë ta ndihmojnë Atin e Shenjtë në udhëheqjen e Kishës, sidomos përmes koncistorëve, në të cilët thirren nga vetë Papa.
Ka koncistorë të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, forma që kanë zëvendësuar ato më të lashtat: koncistorin publik, gjysëmpublik dhe të fshehtë.

Koncistori i zakonshëm mblidhet kryesisht për krijimin e kardinajve të rinj dhe në të duhet të marrin pjesë të gjithë kardinajtë, që ndodhen në Romë. Ndërsa, koncistori i jashtëzakonshëm mblidhet për konsultime mbi argumente me rëndësi të veçantë, ose për të shpallur akte, që pasqyrojnë nevojat urgjente të Kishës në atë moment, ose që u japin përgjigje problemeve jashtëzakonisht të rënda. Në të duhet të marrin pjesë të gjithë kardinajtë, pa përjashtim. Koncistori i zakonshëm është gjithnjë “publik”, pra në të marrin pjesë, përveç kardinajve, edhe persona të tjerë të ftuar.

I tillë është koncistori i sotëm. Papa krijon kardinajtë e rinj, emrat e të cilëve dihen, sepse janë shpallur nga vetë Papa Françesku. Por një Papë mund të vendosë të krijojë edhe kardinaj, që për arsye të caktuara, nuk u bëhet publik emri. Kjo ka ndodhur me Papën Gjon Pali II e me të tjerë para tij. Këta kardinaj quhen “in pectore”.
Edhe kumtimi i Fjalës së Zotit, gjatë Koncistorit, ka një formë më të shkurtër, ndërsa unifikohen, në një rit të vetëm, tre çastet kulmore: ai i vënies së simboleve siç është ai kësulës, ai i dorëzimit të unazës kardinalore dhe i kishës titullare ose i diakonisë. 

Para Koncilit II të Vatikanit, koncistori për krijimin e kardinajve të rinj zhvillohej në tri faza: “koncistori sekret”, gjatë të cilit Papa u shpallte anëtarëve të kolegjit kardinalor listën e të zgjedhurve të rinj, “koncistori publik”, gjatë të cilit kardinajt e rinj merrnin nga Papa qeleshen tricepëshe, ndërsa faza e tretë parashikonte “vendosjen e një kapele”, nga duart e Atit të Shenjtë - ceremoni, që mund të bëhej edhe pas koncistorit. Natyrisht, kjo praktikë nuk përdoret më e as kapela e dikurshme e kardinalit, ndërsa ka mbetur kësula, qeleshja tricepëshe dhe unaza kardinalore, mitra dhe stema dalluese.

Termi “koncistor” në Kishat protestante, në përgjithësi, është sinonim i “Këshillit të kishës”, organ qeverisës, formuar nga “pleqtë”, apo “të urtët”, e zgjedhur nga bashkësia e besimtarëve. Është organ suprem i Kishës kalviniste dhe i asaj luterane. Ndërsa për Kishën ortodokse, “koncistori i peshkopëve” është i zgjedhur nga Sinodi i Shenjtë dhe përbën një lloj gjykate.

Kardinajt e ri, të cilët gjatë ceremonisë së Koncistorit të kryesuar nga Papa sot pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, morën simbolet kardinalore: qeleshen e kuqe dhe unazën, sipas udhëzimit të Jezusit, kanë mandatin e këndet detyrën, “t’i shërbejnë Kishës e njerëzimit me dashuri e zell, me kthjelltësi e urti, me energji e qëndresë të barinjve, me besnikëri e guxim të martirëve. Është fjala për qenë shërbëtorë të shquar të Kishës e cila në Pjetrin Apostull e ka shenjën e dukshme të bashkimit”: kështu tha Papa në fjalën e tij mbajtur në Koncistorin për krijimin e kardinajve të ri. 

28 qershor 2018, 11:20