Kërko

Ramush Haradinaj me kard. Pietro Parolin - 28 maj 2018 Ramush Haradinaj me kard. Pietro Parolin - 28 maj 2018 

Ramush Haradinaj: Kosova e interesuar për marrëdhënie me Vatikan

Në takimin e sotëm me kryeministrin Ramush Haradinaj, në Selinë e Shenjtë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe fqinjësi të mirë, në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.

R.SH. - Vatikan

Sekretari i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin priti sot në Vatikan Kryeministrin e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj. Gjatë bisedimeve të përzemërta u trajtuan tema të ndryshme si situata aktuale e Kosovës, aspiratat e saj drejt familjes evropiane, dialogu e stabiliteti në rajon, “kërkimi i partneritetit diplomatik me Shtetin e Vatikanit, për këtë, njohja nga Selia e Shenjtë është hap i nevojshëm”. “Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit si dhe promovues i fqinjësisë së mirë. Liria fetare dhe orientimi ynë euro-atlantik janë vlera të pacënueshme”. Kryeministri i Kosovës Haradinaj kujtoi edhe 10-vjetorin e pavarësisë së vendit, arritjet e sfidat që ka shoqëria e re demokratike, me vokacion evropian.

Po kështu, u fol për vlerën e familjes e për rolin e komuniteteve fetare në vend e për kontributin e Kishës katolike në veçanti. Kardinali Parolin tha se Selia Shenjtë përcjell nga afër e me vëmendje zhvillimet në vend, vlerëson arritjet e siguron mbështetjen në rrugën euro-atlantike e në kultivimin e vlerave, që afrojnë, bashkojnë e çojnë përpara bashkëjetesën mes entiteve të ndryshme të vendit.

Kryeministri Haradinaj tha, mes tjerash, se “Kardinalit Parolin i shpreha përkushtimin e vendit që të ruajmë dhe t'i avancojmë marrëdhëniet tona, ndërsa Hirësia e Tij, na inkurajoi për rrugën tonë euro-atlantike”. Por le ta dëgjojmë Kryeministrin e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj në mikrofonin e Vatican News të dom David Gjugjës....

Dëgjo këtu intervistën me z. Ramush Haradinaj

Deklarata zyrtare e kryeministrisë së Kosovës

Kosova e interesuar për marrëdhënie strategjike me Vatikanin

Vatikan, 22 maj 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Vatikan, ku sot është pritur në takim nga, Sekretar shteti i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.

Të arriturat e vendit në aspektin politik dhe demokratik, pozicioni i Kosovës karshi vendeve të rajonit dhe bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik me këto vende, ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.

“Kosova është e përkushtuar që të vazhdoj avancimin e raporteve me Vatikanin dhe se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Vatikani, është hap i nevojshëm”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj përmendi edhe faktin se liria fetare dhe orientimi euro-atlantik i Kosovës janë vlera të pacenueshme, vlera këto që duhet të promovohen edhe në raportet mes dyja vendeve.

“Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit si dhe promovuese e fqinjësisë së mirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë dhënë Kosovës.

“Kosova është e interesuar që në Ballkan të shtyjë procesin e paqes permanente dhe pajtimit, në të njëjtën frymë, Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie strategjike me Vatikanin”, ishte qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe prosperitet me vendet fqinje dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

Qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj në Selinë e Shenjtë po bëhet në kuadër të vizitës zyrtare në këtë vend, në të cilën do të zhvillohen një ser takimesh me nivele të larta dhe me interes për vendin.

 

22 maj 2018, 16:14