Dita Botërore e Kryqit të Kuq: 17 milion vullnetarë
Redaksia shqip/Cecilia Seppia - Vatikan
Që prej 150 vjetësh, më 8 maj festohet Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe e Gjysëmhënës së Kuqe, pikërisht në datën e lindjes së themeluesit, Henry Dunant. Kjo ditë u kushtohet 17 milion vullnetarëve në botë, të ndarë në 190 degë kombëtare, që, përmes nismave të sotme, mundohen ta afrojnë popullsinë me veprimtaritë e shoqatës më të madhe humanitare në botë.
Vullnetari, Samaritan i Mirë
Në këtë ditë, vullnetarët e gjithë botës kujtojnë fjalët që Papa Françesku u tha më 27 janar, kur i takoi në Sallën Pali VI në Vatikan. “Misioni i vullnetarit, i thirrur të përkulet mbi çdo nevojtar, duke e ndihmuar me dashuri e pa interes – pohoi në atë rast Papa – na kujton figurën ungjillore të Samaritanit të Mirë”, i cili nuk ia nënshtron shqyrtimit paraparak njeriun e plagosur, të sëmurë, nevojtar, “nuk e gjykon e nuk e kushtëzon ndihmën e tij me prerogativa morale apo fetare. Thjesht, ia lehtëson dhimbjen e plagëve”.
Humanitet dhe paanshmëri
Ati i Shenjtë u ndal në parimet frymëzuese të organizatës, sanksionuar edhe në Statut: humaniteti, paanshmëria dhe asnjanësia. “Këto tri fjalë – u tha Papa vullnetarëve më 27 janar – duhet t’i japin gjithnjë kuptim misionit tuaj”, t’ju ndihmojnë në “arritjen e mirëkuptimit reciprok e të paqes së qëndrueshme ndërmjet njerëzve dhe popujve... Vërtet, kush e sheh tjetrin me syzet e miqësisë dhe jo me lentet e konkurrencës e të konfliktit, bëhet ndërtues i një bote më njerëzore, ku ia vlen të jetosh”.
Kujtimi i martirëve
Mendimi i Papës shkoi edhe tek ata, që dhanë jetën, duke ndihmuar të tjerët. “Nuk e dhanë – u tha vullnetarëve – e dhuruan! Janë martirët tuaj. E Jezusi na thotë se nuk ka dashuri më të madhe se ta dhurosh jetën për të tjerët”.
Kryqi i Kuq Shqiptar
Kryqi i Kuq Shqiptar e kremton këtë ditë me dy ngjarje të rëndësishme për shoqatën dhe për publikun e gjerë: përurimi i Molit “Henry Dunant” pranë digës së Liqenit artificial të Tiranës dhe vendosja e bustit të tij, në shenjë nderimi për kontributin që dha në themelimin e Kryqit të Kuq dhe në nënshkrimin e Konventave të Gjenevës; si edhe çelja e Ekspozitës XXII Kombëtare të Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”. Ekspozita mbyll Fushatën e promovimit të vlerave humanitare të Kryqit të Kuq për fëmijët e moshës 10-15 vjeç, filluar në shkurt në gjithë vendin. Tashmë është traditë që punimet më të mira të ekspozitës të mbushin faqet e kalendarit vjetor, botuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar. Kujtojmë se organizata në Shqipëri është themeluar në vitin 1921 dhe bën pjesë në Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, që nga viti 1923.