Imzot Paul Richard Gallagher dhe ministri i jashtëm ukrainas, Kuleba, bëjnë homazhe për viktimat e luftës në Ukrainë Imzot Paul Richard Gallagher dhe ministri i jashtëm ukrainas, Kuleba, bëjnë homazhe për viktimat e luftës në Ukrainë 

Imzot Gallagher: takova një popull të lënduar, por të guximshëm. Dialog për paqen

Intervistë me kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, në përfundim të misionit të tij në Ukrainë: “Papa mund të vazhdojë të luajë ende një rol shumë të rëndësishëm në këtë konflikt, për zgjidhjen e tij. Ekzistojnë mundësitë. Kujdes, të mos fillohet një garë e re armatimi në Evropë dhe në botë”

R.SH. – Vatikan

“Populli ukrainas është vërtet një popull i lënduar, por njëkohësisht, edhe shumë i guximshëm, shumë i vendosur: nuk mund ta anashkalojmë vuajtjen e madhe të këtij populli të madh... Duhet ta përtërijmë impenjimin tonë për zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut diplomatik dhe politik”. Këto janë fjalët e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili përfundoi dje (22 maj) misionin e tij në Ukrainë, ku shkoi gjatë javës së kaluar, i nisur nga Papa Françesku. I dërguari i Radio Vatikanit – Vatican News, Stefano Leszczynski, i cili e shoqëroi në këtë mision, i drejtoi mikrofonin për një bilanc të udhëtimit e të vizitës në atë tokë të përshkuar nga lufta e vuajtja. Ja, përshtypjet e imzot Gallagher…

Do të doja të filloja me një fjalë falënderimi, drejtuar veçanërisht Zotit, që na e mundësoi këtë mision. Gjithçka shkoi shumë mirë. Pastaj, pa dyshim, një falënderim edhe për ata, që e bënë këtë udhëtim më të lehtë: autoritet kishtare dhe civile të Polonisë, që na shoqëruan nga Krakovi deri në kufijtë me Ukrainën; Kisha në Ukrainë - Kisha Greko-Katolike, Kisha Latine – si edhe autoritetet, që na ndihmuan në njëmijë mënyra. Natyrisht, një falënderim i veçantë për nuncin apostolik, imzot Visvaldas Kulbokas, dhe për bashkëpunëtorët e tij në Kiev, që na pritën dhe na ndihmuan. Kështu, mundëm të udhëtonim në siguri, të shihnim situatën dhe të takoheshim me njerëzit. Jam shumë i lumtur që misioni rezultoi i suksesshëm në këtë nivel. Na u bë e mundur të çojmë vëmendjen, shqetësimin e Papës, të Selisë së Shenjtë në përgjithësi dhe të prekim realitetin, të flasim me autoritetet, edhe ata nën presion, për shkak të luftës. U takuam me Kishën dhe me të gjitha shqetësimet e saj. Pamë dhe dëgjuam, edhe nga ana e autoriteteve, mirënjohjen e madhe për punën e Kishës në Ukrainë gjatë kësaj emergjence: për veprimtarinë humanitare dhe mbështetjen shpirtërore, që u jep njerëzve. E kjo është shumë, shumë e rëndësishme.

Ju kaluat nga Lvivi në Kiev. Takuat shumë njerëz, dëgjuat shumë dëshmi heroizmi, bërë edhe me gjeste të thjeshta, por prekët me dorë edhe shumë vuajtje…

Po, për ne që përgjithësisht jetojmë në rehati në vendet tona, nuk është e lehtë t’i imagjinojmë këto muaj konflikti, vuajtjet, njerëzit, të cilëve iu desh të iknin brenda pak minutash, duke lënë gjithçka, duke jetuar me ankthin e fatit të panjohur të të afërmve... Edhe në nivelin psikologjik, pamë në manastirin benediktin në Lviv, familje të traumatizuara, fëmijë që vuajnë e që kanë ende shumë frikë. I prekëm me dorë vuajtjet e këtij populli. Besoj se kjo interpretohet njëlloj si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim: është diçka e paparë, që askush nuk e priste. Tronditja e këtij populli është shumë e madhe. Edhe kur shohim drejt së ardhmes, vërehet pasiguria, dyshimet, përpjekjet për të qenë të guximshëm, për të pasur forcën që të ecin përpara e, pastaj, përgjegjësitë, që i ndiejnë të gjithë për të inkurajuar të tjerët dhe për të mos shfaqur - ndoshta - as ndjenjat e tyre, nganjëherë. Ky është me të vërtetë një popull i plagosur e, njëkohësisht, edhe një popull shumë i guximshëm, shumë i vendosur: në këtë çast, nuk mund ta anashkalojmë vuajtjen e madhe të këtij populli të madh ukrainas.

Një popull me pasuri të madhe e të larmishme kulturore, që pasqyrohet edhe në traditat fetare. Ç’rëndësi ka fryma ekumenike për paqen e Ukrainës së ardhshme?

Besoj se është thelbësore, sepse në një çast si ky, në çdo vend, pavarësisht se i bashkuar - dhe e ka këtë unitet, e ndiemë – ka rrezik të fillojë rivaliteti, pakënaqësia ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, është e domosdoshme që të gjithë të jenë të vendosur për të punuar në favor të bashkimit të vendit, të politikanëve të tij, për unitetin e të krishterëve, për bashkimin e Kishës Katolike, bashkimin me fetë e tjera, që të përfitojnë nga pasuritë shpirtërore, nga hiri që jep Zoti në këto momente, pa krijuar kot vështirësi apo grindje. Kjo kohë është edhe mundësi për të kapërcyer keqkuptimet e vështirësitë historike.

Ju folët me autoritetet e Ukrainës. Një nga problemet më të mëdha është hapja e një udhe dialogu për paqen e ardhshme. Gjetët hapësira për dialog gjatë këtyre bisedimeve?

Gjëja e parë që vura re: u vlerësua shumë fakti, që isha në Ukrainë bashkë me bashkëpunëtorët e mi për disa ditë. Mbajtëm premtimin, që i patëm bërë ministrit të jashtëm. Pastaj, të gjithë shprehën mirënjohje për fjalët e Papës në audiencat e ndryshme, në Engjëllin e Tënzot, në intervista. Ata e ndienin se Papa “ia mat pulsin” këtij populli dhe vuajtjeve të tij. Prandaj, besojnë se Selia e Shenjtë, vetë Papa, mund të vazhdojë të luajë ende një rol shumë të rëndësishëm në këtë konflikt dhe në zgjidhjen e tij. Ka hapësira për këtë. Presidenti Zelensky deklaroi se pas kësaj lufte të vazhdueshme, në fund të fundit, është diplomacia ajo, që duhet t’i zgjidhë përfundimisht çështjet; palët në konflikt duhet të ulen në tryezën e bisedimeve. Ata e kanë bërë një përpjekje - e kjo duhet t’u njihet - por ky impenjim duhet të ripërtërihet, për ta zgjidhur konfliktin përmes dialogut diplomatik dhe politik.

Dialogu diplomatik e politik realizohet në nivele të larta, por, nga ana tjetër, janë njerëzit e thjeshtë. Disa ditë më parë, ju takuat një prift të Kishës ortodokse ukrainase, që ju tregoi për ditët më të rënda të rrethimit. Por edhe nunci apostolik ju shpjegoi përvojën e tij personale gjatë bombardimeve e ju tregoi objektet e gjetura nën rrënoja. Të dy e bënë këtë me emocion të madh, duke vënë në dukje një përmasë njerëzore, që do të jetë e rëndësishme edhe pas konfliktit, për të shkuar drejt shërimit të plagëve të hapura prej tij. Si mendoni ju?

Ky popull ka kaluar dhe po kalon ditë të tmerrshme, siç thatë edhe ju. Më bëri shumë përshtypje guximi i priftit ortodoks, që takuam në Bucha. Tregoi për ato ditë të tmerrshme, kur kudo kishte kufoma e ai kërkonte të varroseshin. Po, ndoshta, në disa vende gjërat shkojnë pak më mirë këto ditë, por plagët mbeten e, edhe ne, me sa mundemi, shkojmë atje, përpiqemi t’u flasim njerëzve, të tregojmë ndjeshmëri ndaj vuajtjeve të tyre, me një gjest për t’i mbështetur, për t’i inkurajuar. Për mendimin tim, kjo s’është diçka që ne njerëzit mund ta bëjmë të vetëm. Kur jemi në hall, ndiejmë absolutisht nevojën për një takim me Krishtin, që na i shëron plagët. Në një farë kuptimi, Ukraina duhet të ecë pak si Maria Magdalena në kopsht, për të takuar Krishtin e ringjallur. Vetëm kjo mund t’ia thajë lotët këtij populli. Kur i sheh këta njerëz vëren një solidaritet të madh njerëzor, por edhe fenë e tyre të madhe. Jam i bindur se populli, përmes thellimit në fe, pavarësisht nga traditat - katolike, ortodokse, protestante, hebraike, ose besime të tjera - mund të arrijë ringjalljen, edhe në këtë stinë Pashkësh.

Një mendim për ç’pret Ukraina nga bota. Vërehet një lloj rënie interesi, që shihet edhe në uljen e sasisë së ndihmave. Ç’mund të bëhet konkretisht për ta ndihmuar më tej popullin ukrainas? Çfarë sugjeroni ju?

Një farë lodhje në dërgimin e ndihmave është e natyrshme; e kemi parë në shumë vende të botës. Është e vështirë ta mbash gjallë interesin, simpatinë, solidaritetin për një periudhë shumë të gjatë; kjo ndodh pothuajse kudo. Tani, unë mendoj se duhet të kërkojmë kontaktet me autoritetet, me shoqërinë civile, me Kishat, - ekzistojnë, por duhen intensifikuar - për t’i kuptuar vërtet nevojat. Një hollësi, që më bëri përshtypje gjatë bisedës me ministrin e jashtëm, me sekretarin e Presidencës së Republikës dhe me kryeministrin, është se të gjithë përsërisnin vazhdimisht: “Ta ruajmë kontaktin. Të flasim shpesh”. Bota, Evropa, kanë qenë shumë bujare ndaj Ukrainës; dëgjuam shumë dëshmi mirënjohjeje ndaj Polonisë, Kishës Katolike në Poloni, së bashku me një ndjenjë vetmie përballë sfidave të mëdha të kohës. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare, në të gjitha nivelet, duhet të shtrëngohet rreth Ukrainës në këtë çast.

Të krijohet përshtypja se në Perëndim, debati për Ukrainën reduktohet shpesh në një polemikë për dërgimin e armëve, ose për tipe të tjera ndihmash. Sipas jush, perceptohet si duhet konflikti dhe gjendja e vërtetë e popujve rus e ukrainas, për të shkuar, në fund të konfliktit, drejt një pajtimi të mundshëm?

Më duket shumë e qartë se, fatkeqësisht, është tepër herët për të folur fillimisht për paqen dhe më pas, për pajtimin. Shumë na thanë se e kuptojnë këtë argument, e kuptojnë se këto janë vlera thellësisht njerëzore dhe të krishtera, por fatkeqësisht, populli ka vuajtur tepër gjatë muajve të fundit. Është shumë herët. Ukraina duhet të mbrohet dhe për ta bërë këtë duhet të marrë ndihma, përfshirë ndihmën ushtarake. Ne kemi theksuar gjithnjë se duhet të ketë një farë përpjestimi, sepse nuk është e volitshme të fillohet sërish një garë armatimi në Evropë e në botë. Siç thashë edhe më parë, Ukraina duhet të përfshihet në të gjitha nismat për paqen.

23 maj 2022, 12:27