Kërko

Imzot Gallagher: në Bucha, tmerr, që ta helmon zemrën

Pasi u lut para varrit masiv pranë kishës ortodokse të Shën Andreut në qytetin ukrainas Bucha, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet pohoi se ndihet i prekur nga çfarë pa dhe pati fjalë shprese, për t’u dhënë zemër njerëzve të sprovuar nga lufta

R.SH. – Vatikan

Varrët e hapura të një populli, dhimbja shpirtërore para kufomave të gjetura në varrezat masive të Bucha-s, nevoja për paqe, që t’u lehtësohet sadopak zemra atyre, të cilët ende përjetojnë tmerret e luftës. Këto janë argumentet, që preku Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, pas vizitës në varrin masiv famëkeq të Ukrainës, pranë Kishës ortodokse të Shën Andreut, ku u gjetën rreth 100 kufoma pa emër, ndërmjet të cilëve edhe fëmijë. Imzot Gallagher vizitoi sot vendet e martirizimit të ukrainasve përreth Kievit, si Bucha, Irpen, Vorzel. Në ta janë kryer masakrime të popullsisë e trupat pa jetë janë hedhur në varreza masive. Në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News, që ka dërguar korrespondentin e vet për të ndjekur vizitën, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet deklaroi:

Është e qartë se jam thellësisht i prekur nga kjo përvojë, sepse njeriu shkon në një vend, në Bucha, për shembull, qytet super-modern, modern si në të gjitha anët e tjera të Evropës, dhe të del përpara ky realitet: këtu janë varrosur qindra njerëz. Nuk mund të imagjinohet... Pastaj, pamë pamjet në kriptën e kishës ortodokse, fotografitë e bëra në çastin e zhvarrosjes... kjo, natyrisht, ta helmon zemrën. Është tmerr, sepse këto gjëra u bënë nga njerëzit kundër njerëzve të tjerë, pa pyetur fare, u bënë kundër civilëve, u bënë në mënyrën më barbare. Prandaj, është me të vërtetë tmerr. Jemi dëshmitarë për këtë, për vuajtjet dhe për martirizimin e këtij vendi.

A është e mundur që njerëzit të gjejnë paqe, në një vend, i cili e ka jetuar, e ka parë gjithë këtë tmerr?

Ukrainasit do të gjejnë paqe ndërmjet tyre, por plagët janë të thella dhe do të duhet shumë, shumë më tepër kohë për të gjetur paqen me Rusinë, me njerëzit që u përfshinë në këtë konflikt të tmerrshëm, në këtë luftë. Plagët janë të thella: vështirë të flitet tani për paqe, për pajtim, sepse në zemrat e njerëzve, vuajtjet, varrët janë aq të thella, sa u duhet dhënë kohë. Duhet t’u japim kohë, t’i lëmë njerëzit të flasin, t’i shprehin edhe ndjenjat e shumta negative kundër të tjerëve. E duhet të lutemi shumë, që Zoti, i cili është vërtet i vetmi shpëtim, të na japë hirin për t’i shëruar këto plagë, që njerëzit të ecin përpara. Diçka, që më ka prekur jashtëzakonisht këto ditë, është me sa guxim, me sa vendosmëri, populli ukrainas po përpiqet ta kthejë këtë pranverë që shohim në fusha, në korije e në pyje, në rilindje për këtë vend. Po përpiqen të rindërtojnë, të pastrojnë, t’i bëjnë gjërat siç ishin, me sakrifica të mëdha, me guxim të madh. E meritojnë gjithë vlerësimin dhe mbështetjen tonë.

20 maj 2022, 15:02