Papa: Kazakistani, shembull qytetërimi dhe guximi
R.SH. - Vatikan
Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku rikujtoi ngjarjet kryesore të shtegtimit të tij të fundit në Kazakistan, për të nënvizuar kuptimin e çasteve të jetuara dhe për të falënderuar Presidentin e Republikës, autoritetet, ipeshkvijtë dhe të gjithë ata që bashkëpunuan për pritjen e tij në këtë vend larg syrit, por pranë zemrës!
Kazakistani, vend i bashkëjetesës dhe i takimit
Papa kujtoi se arsyeja kryesore e vizitës së tij ishte pjesëmarrja në Kongresin e shtatë të liderëve të feve botërore dhe tradicionale, organizuar në kryeqytetin Nur-Sulltan nga qeveria, e cila prej njëzet vjetësh dëshiron që bota ta njohë këtë vend, i cili ka shumë për të thënë, sepse “vend takimi dhe dialogu, në këtë rast lidhur me fenë dhe, si pasojë, protagonist në luftën për paqe dhe vëllazërim njerëzor”:
“E kjo do të thotë t’i kesh fetë në qendër të angazhimit për ndërtimin e një bote ku larmia ndjehet fort dhe respektohet. E ky nuk është relativizëm, jo: është të dëgjosh dhe të respektosh. E është edhe meritë e qeverisë së Kazakistanit e cila, pasi u çlirua nga zgjedha e regjimit ateist, tani propozon rrugën drejt qytetërimit, në të cilën bashkëpunojnë politika me fenë, pa u ngatërruar, por edhe pa u ndarë, duke dënuar hapur fundamentalizmin dhe ekstremizmin. Qëndrim, që flet vetë për ekuilibër dhe unitet”.
Deklarata, fryt i një shtegtimi të gjatë
Papa Françesku nënvizoi, në vijim të audiencës së përgjithshme, vazhdimësinë e Deklaratës përfundimtare, miratuar nga Kongresi, në lidhje me atë, që u nënshkrua në Abu Dhabi në shkurt 2019, kushtuar vëllazërimit njerëzor, duke e vlerësuar këtë hap si “fryt i një udhëtimi që niset nga larg”:
“Mendoj natyrisht për Takimin historik ndërfetar për paqen, organizuar nga Shën Gjon Pali II në Asizi, në vitin 1986, kritikuar ashpër nga njerëz dritëshkurtër; për shikimin largpamës të Shën Gjonit XXIII dhe të Shën Palit VI; e edhe për atë të shpirtrave të mëdhenj të feve të tjera - kufizohem tek kujtimi i Mahatma Gandit. Por si mund të mos kujtojmë dëshmorët e panumërt, burra e gra të çdo moshe, gjuhe dhe kombi, që e paguan me jetën e tyre besnikërinë ndaj Zotit të paqes dhe të vëllazërisë? E dimë: çastet solemne janë të rëndësishme, por pastaj është angazhimi i përditshëm, është dëshmia konkrete ajo, që ndërton një botë më të mirë për të gjithë”.
Kazakistani u thotë jo armëve bërthamore!
Shtegtimi ishte mundësi edhe për të takuar autoritetet e Kazakistanit e bashkësinë kishtare - vazhdoi Françesku - për të nënvizuar më pas, thirrjen e atij vendi në të cilin bashkëjetojnë njëqind e pesëdhjetë grupe etnike, që flasin më shumë se tetëdhjetë gjuhë, për të qenë “vend i takimit, i kulturave, i gjuhëve”. Thirrje kjo – nënvizoi Papa - që duhet inkurajuar e duhet mbështetur:
“Po kështu, urova që të vazhdojë krijimi i një demokracie gjithnjë e më të pjekur, të aftë për t’iu përgjigjur realisht nevojave të shoqërisë në tërësi. Detyrë e vështirë, që kërkon kohë, por tashmë është e nevojshme të pranohen zgjedhjet shumë pozitive të Kazakistanit, që i thotë ‘jo’ me plot gojën armëve bërthamore, e ‘po’, politikave të mira energjitike e mjedisore. Ky është qëndrim i guximshëm. Në një kohë kur kjo luftë tragjike na bën të mendojmë për armët bërthamore, këtë çmenduri, ky vend i tha ‘jo’ që në fillim armëve bërthamore”.
Një kishë e vogël, por plot gëzim
Papa nuk mund ta harronte gëzimin dhe entuziazmin e Kishës vendase. Katolikët janë pakicë - kujtoi - por kjo gjendje, nëse jetohet me besim, mund të japë fryte ungjillore. E në vijim u ndalua tek disa prej tyre:
“Para së gjithash, lumnia e vogëlsisë, lumnia që lulëzon kur e ndjen veten tharm, kripë e dritë e kur mbështetesh vetëm në Zotin dhe jo në vlerat njerëzore. Për më tepër, numri i paktë na fton të krijojmë marrëdhënie edhe me të krishterët e konfesioneve të tjera, si dhe vëllazëri me të gjithë. Një grigjë kaq e vogël, po, por me zemër të hapur, jo të mbyllur, sepse e sigurt në veprimin e Shpirtit të Shenjt, që frymon lirshëm ku dhe si të dojë”.
Martirët e shumtë të kësaj Kishe
Shumë burra dhe gra kazakistanas dhanë jetën për Ungjillin në kohën e përgjakshme të persekutimit të Kishës! Papa nuk mund të mos i kujtonte këto bij guximtarë të Kishës, që nuk u trembën para torturave as para plumbit. Ndaj shtoi:
“Martirët: dëshmorët e këtij populli të shenjtë të Zotit, që jetoi dekada të tëra shtypjeje ateiste, deri në çlirim, 30 vjet më parë; burra e gra që vuajtën pa masë për fenë në periudhën e gjatë të persekutimit. Të vrarë, të torturuar, të burgosur, për fenë”.
Kryqi i Krishtit, spiranca e shpëtimit, që nuk të zhgënjen kurrë
Në përfundim, edhe një tjetër kujtim e një tjetër pamje: “Sheshi i Expo 2017, i rrethuar nga arkitektura ultramoderne”, ku Papa kryesoi Meshën në festën e Lartimit të Kryqit.
Papa Françesku komenton:
“Në një botë ku, bashkëjetojnë përparimi dhe prapambetja, Kryqi i Krishtit mbetet spiranca e shpëtimit: shenjë shprese që nuk të zhgënjen, sepse bazohet mbi dashurinë e Zotit”. Reflektimi i Papës përfundoi me shpresën se shtegtimi i tij do të japë fryte për Kazakistanin dhe për jetën e Kishës.
Kujtimi i të sëmurëve me Alzheimer
Në fund të katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa Françesku kujtoi ditën e sotme botërore të Alzheimerit, sëmundje “që prek shumë njerëz”, duke i flakur shpesh “në skutat e shoqërisë”. E ftoi që të sëmurët me Alzheimer dhe familjet e tyre të mbështeten dhe të ndihmohen gjithnjë e më shumë. Ftoi edhe për t’u lutur “për burrat dhe gratë me hemodializë, dializë dhe transplant” të përfaqësuar nga një grup i pranishëm në Shesh. E nuk e harroi as sot, Ukrainën e torturuar, që vijon të jetojë në kushte të tmerrshme e as vizitën, në vijim, të Kardinali Krajewski, tani në zonën e Odesës.