Vatican News

Papa: shenjtëria vjen nga Shpirti, jo nga fundamentalizmat

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Françesku na kujton se duhet të ruhemi nga ngurtësia e nga ashpërsia.

R.SH. - Vatikan

Dashuria  e Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur mbetet gjithnjë në qendër të jetës sonë si “burim  shëlbimi”, apo shndërrohet në ndonjë formalitet fetar për të  paqëtuar ndërgjegjen? Papa na fton t’ia bëjmë vetes këtë pyetje e menjëherë pas, edhe tjetrën: “Si e jetojmë fenë?”. Përgjigjja ishte thelbi i katekizmit në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën Pali VI. Një ftesë, kjo, që Pali ua kish drejtuar Galatasve për t’i shkundur ndërgjegjet e tyre, duke përdorur disa pyetje retorike, që të mos habiteshin prej kumteve të tjera:

“Qëllimi i Palit është t’i prekë në shpirt të krishterët, që ta kuptojnë çka vihet në lojë e të mos lejojnë të magjepsen nga zëri i sirenave, që duan t’i  joshin drejt një besimi të bazuar vetëm mbi zbatimin skrupuloz të rregullave”.

Po pse e bën këtë Pali? Papa shpjegoi sakaq se në Galaci kishin arritur “predikatarë të rinj” , që i kishin bindur Galatasit të riktheheshin mbrapa, sepse vetëm zbatimi i rregullave mund t’i çonte drejt persosurisë.

Larg formalizmit!

Këtë kujtoi Françesku që, më pas, e vijoi ciklin e katekizmit kushtuar Letrës drejtuar Galatasve duke i nxitur besimtarët ta lexojnë. E duke u ndaluar posaçërisht tek fragmenti me të cilin nis pjesa e dytë në atë pikë ku, pasi u pati folur për thirrjen e tij, i pyet drejtpëdrejt. Rreziku është rënia në formalizëm - pohoi - një nga tundimet, që të çon në hipokrizi  e të nxit ta mohosh dinjitetin e ri, që fitove, dinjitet i të rilindurve nga Krishti.

Që nga fillimi i katekizmit, Papa shpjegoi, duke folur lirisht, se çka po studiojmë, janë fjalët që shqipton Pali në një ndeshje shumë serioze me Galatasit. E është - shtoi - edhe Fjala e Zotit, sepse ka hyrë në Bibël.  Nuk janë fjalë të shpikura nga kushdo: jo! E çka ndodhi asokohe, mund edhe të pësëritet. E kemi parë se kjo është përsëritur, e jo vetëm një herë në histori!

Në qendër, dashuria e Zotit

E nëse në Letrat e tjera është fare e lehtë të gjesh fjalët “vëllezër” apo “ të shumëdashur”, këtë herë Pali i quan thjesht “Galatas”, e jo një herë të vetme, por dy herë. E edhe “të pamend”, sepse gati-gati pa u kujtuar fare  rrezikohen ta humbasin besimin në Krishtin. “Jo pa hidhërim të thellë”  i  provokon ta kujtojnë kumtin e parë, që e morën prej tij, përmes të cilit u krijoi mundësinë  “të fitonin një liri, deri atë çast fare të pashpresuar”. Ata e dinë mirëfilli se  feja në Krishtin është fryt i hirit të marrë me predikimin e Ungjillit. Fjala e Palit përqendrohej “mbi dashurinë e Zotit,  të  dëshmuar plotësisht në vdekjen e ngjalljen e Jezusit”, të përmbledhur mirëfilli në fjalët e tij:

“Nuk jam më unë që jetoj, por Krishti që jeton në mua. E këtë jetë, që unë e jetoj në korp, e jetoj në fenë e Krishtit, që më deshi e më dhuroi vetveten”.

Mos e vini Shpirtin Shenjt në plan të dytë

Galatasit e kishin fituar përvojën e veprimit të Shpirtit Shenjt në bashkësi:

“Të vënë në provë, detyrohen të përgjigjen se çka patën jetuar, ishte  fryt i risisë së Shpirtit Shenjt. Në  zanafillë të ardhjes së fesë së tyre ishte nisma e Zotit, jo e njerëzve. Shpirti Shenjt kish qenë protagonist i përvojës së tyre;  ta vësh tani në plan të dytë, për t’i dhënë parinë veprave të veta - domethënë respektimit të rregullave të Ligjit - do të ishte fryt mendjelehtësie. Shenjtëria vjen nga Shpirti Shenjt, falë ngjalles së Jezusit: kjo e përligj”.

Më pas një ftesë tjetër drejtuar besimtarëve: të mos e parapëlqejmë “kalimtaren” që “troket shpesh herë te porta e ditëve tona, por që mbetet gjithnjë shpresë e kotë”. E të mos  e vëmë kurrë në dyshim se Zoti  nuk na i mohon dhuratat e Tij, edhe kur tundohemi të rrimë larg Tij. Në vijim Papa kujtoi se këto sende nuk i përkasin vetëm kohëve të largëta. Ndodh shpesh edhe sot, çka u ndodhi Galatasve, kur patën fatin t’u fliste Shën Pali:

“Edhe sot  vjen e na i shurdhon veshët ndokush, që thotë: ‘Jo, shenjtëria është pikërisht në këto rregulla, në këto ligje, në këto gjëra … duhet të bëni këtë e atë …e na  predikojnë një besim të ngurtë, me një ngurtësi, e cila na e heq atë liri në Shpirtin Shenjt, që është dhanti e ngjalljes së Krishtit: kujdes! Pas çdo ngurtësie, fshihet diçka e shëmtuar e jo Shpirti i Zotit! Ndaj kjo Letër do të na ndihmojë të mos ua vëmë veshin këtyre propozimeve pakëz fundamentaliste, që e kthejnë mbrapsht jetën tonë shpirtërore e do të na ndihmojë të shkojmë përpara, atje ku na thërrasin Pashkët e Krishtit”.

Ati na dhuron begatisht Shpirtin Shenjt - kujtoi akoma Papa - duke nënvizuar se bëhet fjalë për një folje në kohën e tanishme sepse, pavarësisht nga të gjitha pengesat, që mund t’i vëmë para veprimit të Tij, Zoti nuk na lëshon kurrë dore, por mbetet me ne, me dashurinë e Tij mëshirëmadhe.

01 shtator 2021, 12:36

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >