Kardinali Laurent Monsengwo Pasinya Kardinali Laurent Monsengwo Pasinya

Papa kujton kardinalin Monsengwo: “Njeri i shkencës dhe i paqes, në shërbim të të varfërve”

Telegram ngushëllimi i Papës Françesku për vdekjen e kardinalit kryeipeshkëv nderi i Kinshasës, bashkëpunëtori i tij i ngushtë në Këshillin e Kardinajve, i cili ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare, të dielën, më 11 korrik, në Versajë: “Bari i madh, ai ishte thellësisht i përfshirë në zhvillimin e gjithanshëm njerëzor të Republikës Demokratike të Kongos. Mishëroi misionin e Kishës”

R.SH. - Vatikan

“Njeri i shkencës”, i “drejtësisë, paqes dhe bashkimit”. “Bari, që iu kushtua intensivisht shërbimit në Kishë”, i vëmendshëm ndaj nevojave të besimtarëve dhe në vijën e parë të frontit për përparimin e Republikës Demokratike të Kongos. Papa Françesku e kujton me nderim dhe dashuri të thellë kardinalin Laurent Monsengwo Pasinya, kryeipeshkëv nderi i Kinshasës, në Republikën Demokratike të Kongos, i cili ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare, më 11 korrik, në Versajë. Kardinali u shtrua urgjentisht në spital në Paris, pas përkeqësimit të shëndetit në fillim të korrikut.

Kontributi për Kishën universale

Lajmin e vdekjes e dha në Twitter, pasardhësi i tij në Kinshasa, kardinali Fridolin Ambongo Besung. Pikërisht atij i drejtohet telegrami i gjatë i ngushëllimit, në të cilin Papa Françesku shpreh trishtimin për vdekjen e kardinalit Monsengwo, që e pati caktuar në Këshillin e parë të Kardinajve (C8), më 2013, për ta ndihmuar, së bashku me të tjerët, në reformën e Kuries Romake dhe në mbarështimin e Kishës. Një impenjim, që Ati i Shenjtë e kujton në mesazhin e tij: “Bashkëpunëtor i ngushtë e besnik gjatë viteve të fundit, ai nuk reshti së dhëni kontributin e tij në jetën e Kishës universale”, shkruan Papa.

I impenjuar për dialogun dhe pajtimin e popullit të vet

Françesku kujton impenjimin e kardinalit të ndjerë në Republikën Demokratike të Kongos: “I vëmendshëm ndaj nevojave të besimtarëve, plot guxim dhe vendosmëri, kardinali Monsengwo ia kushtoi jetën e tij si meshtar dhe ipeshkëv inkulturimit të fesë dhe opcionit preferencial për të varfërit. Kështu, ai mishëroi misionin profetik të Kishës”. “Njeri i drejtësisë, paqes dhe bashkimit, ai u përfshi thellësisht në zhvillimin e gjithanshëm njerëzor në Republikën Demokratike të Kongos”, vijon Papa Françesku, i cili kujton se kardinali “ishte një figurë e shkëlqyer dhe e respektuar në jetën kishtare, shoqërore dhe politike të kombit dhe se impenjohej gjithnjë në dialogun dhe pajtimin e popullit të vet. Dha një kontribut të rëndësishëm për përparimin e vendit”.

Ekzegjet, njeri i shkencës dhe i përshpirtërisë

Duke i shprehur ngushëllimet kardinalit Ambongo, familjes së Monsengwo-s, ipeshkvijve ndihmës dhe besimtarëve të dioqezave Inongo, Kisangani dhe Kinshasa, Papa përfundon: “I lutem Atit të çdo mëshire ta mirëpresë këtë ekzegjet në paqen dhe në dritën e tij, këtë njeri të shkencës, këtë njeri të madh e të përshpirtshëm e këtë bari të përkushtuar intensivisht në shërbimin e Kishës, kudo ku është thirrur”.

13 korrik 2021, 13:15