Leksioni i katekizmit (Jules-Alexis Muenier, 1890). Leksioni i katekizmit (Jules-Alexis Muenier, 1890).

Katekistët, shërbim me rrënjë të lashta, që sheh drejt së ardhmes

Vendimi papnor për të krijuar shërbesën laike të katekistit është fryt i një udhe filluar nga Papa Piu XII, sanksionuar nga Koncili II i Vatikanit dhe nga Sinodet e Ipeshkvijve, në veçanti, nga ai për Amazonën. Një shërbim gjithnjë e më i domosdoshëm për ungjillëzimin e botës

ANDREA TORNIELLI

Në vitin 1944, në mes të Luftës II Botërore, Papa Piu XII botoi enciklikën “Mystici corporis”, kushtuar Kishës - Korp Mistik i Krishtit. Në një fragment, pasi kujton se Etërit e Kishës “kur lëvdojnë shërbimet apo ministeret kishtare, gradat, thirrjet, gjendjet, urdhërat, detyrat e këtij Korpi” kanë parasysh edhe laikët në përgjithësi e ata të martuar, Papa shton: “Madje, sidomos në kushtet aktuale, baballarët dhe nënat e familjeve, nunët e nunat e pagëzimit dhe, në veçanti, ata laikë, që bashkëpunojnë me hierarkinë kishtare në përhapjen e mbretërisë së Shëlbuesit hyjnor, zënë një vend nderi në shoqërinë e krishterë, megjithëse shpesh të fshehur e, edhe ata, të frymëzuar dhe të ndihmuar nga Zoti, mund të ngjiten në majën më të lartë të shenjtërisë, e cila, sipas premtimeve të Jezu Krishtit, nuk do të mungojë kurrë në Kishë”.

 Vendimi i Papës Françesku për të themeluar shërbimin laik të katekistit, i cili ndjek hapjen e ministerit të akolitatit dhe të lektoratit për gratë, bën pjesë në udhën e menduar që nga Papa Pacelli: veçanërisht në kohën tonë, detyra e dëshmimit dhe e transmetimit të fesë në brezat e rinj është punë për “baballarët e nënat e familjeve”. Përgjatë shekujve dhe, ende sot, në vende të ndryshme, në mungesë të meshtarëve, feja është mbajtur gjallë falë baballarëve dhe nënave, si edhe falë katekistëve, që e kanë sakrifikuar shpesh jetën për këtë. Por sot, përfshirja, njohja dhe vlerësimi i plotë i laikëve është urgjencë e, shpesh, domosdoshmëri në shoqëritë e shekullarizuara.

Motu proprio “Antiquum ministerium” e merr shtysën nga dekreti konciliar “Ad gentes”, në të cilin Etërit e Koncilit II të Vatikanit pohojnë: “E denjë për lavdërim është edhe ajo aradhe, kaq e frytshme në punën misionare ndër jo besimtarët, e cila përbëhet nga katekistë, si burra, ashtu edhe gra. Ata, të nisur nga fryma apostolike, me sakrifica të mëdha, japin një kontribut të veçantë dhe të pazëvendësueshëm në përhapjen e fesë dhe të Kishës. Për më tepër, në kohën tonë, në të cilën kleri është i pamjaftueshëm për ungjillizimin e kaq shumë vetëve dhe për ushtrimin e shërbimit baritor, detyra e katekistit ka rëndësi të jashtëzakonshme”. Vetëdije, që u shtua gjatë viteve në vijim dhe arriti kulmin me Letrën Apostolike “Evangelii nuntiandi” të Papës Pali VI.

Së fundi, për themelimin e shërbimeve të reja laike në Kishë, që u përgjigjen kërkesave aktuale, u fol edhe në Sinodin e fundit për Amazonën, duke kujtuar në veçanti Motu proprio-n “Ministeria quaedam”, dokumentin me të cilin Papa Montini reformoi shërbesat në Kishë, në vitin 1972. Në perspektivën, që u përvijua nga Koncili, nga Sinodet, nënvizuar edhe në Magjisterin e Pasardhësve të Pjetrit e, në veçanti sot, nga Ipeshkvi aktual i Romës, laikët nuk janë të thirrur të kryejnë vetëm një punë zëvendësimi, thjesht, sepse mungojnë thirrjet për meshtari. Nuk është çështje zëvendësimi, por veprimi, përfshirjeje dhe bashkë-përgjegjësie të plotë e të njohur: prania e tyre është vërtet e nevojshme që Kisha të jetë bashkim e mision.

Themelimi i kësaj shërbese nga Kisha nxjerr qartas në pah se personi, që e ka atë thirrje, kryen një shërbim të mirëfilltë kishtar për bashkësinë e krishterë, për zhvillimin e jetës së vet dhe për dëshminë e tij të fesë. Themelimi i një ministeri laik nuk ka për qëllim të “klerikalizojë” laikët. Duhet shpresuar që ky hap i mëtejshëm të ndihmojë në luftën kundër atij kthimi të klerikalizmit, që është denoncuar publikisht disa herë nga Françesku, i cili, duke na kujtuar shpesh rolin e popullit shenjt të Zotit, rolin e gjysheve dhe të nënave në transmetimin e fesë, aktualizon fjalët e Papës Piu XII mbi “etërit dhe nënat e familjeve, nunët dhe nunat e pagëzimit” të thirrur për të përhapur “mbretërinë e Shëlbuesit hyjnor”.

11 maj 2021, 12:46