Kërko

Salezianët bëjnë katekizëm Salezianët bëjnë katekizëm

Papa themelon shërbimin e katekistit

U bë i njohur sot Motu proprio “Antiquum ministerium”, me të cilin Papa Françesku themelon shërbimin laik të katekistit: i përgjigjet urgjencës për ungjillëzimin e botës bashkëkohore e duhet kryer në formën shekullare, pa rënë në klerikalizëm

R.SH. - Vatikan

“Antiquum ministerium”: ky është titulli i Motu proprio-s, botuar sot, me të cilin Papa Françesku themelon shërbimin laik të katekistit, duke e quajtur urgjent për ungjillizimin e botës bashkëkohore. Para “imponimit të kulturës së globalizuar”, shkruan Ati i Shenjtë, Kisha “duhet të njohë praninë e laikëve, të cilët, falë pagëzimit, janë të thirrur të bashkëpunojnë në shërbimin e katekezës”. Papa nënvizon rëndësinë e “një takimi autentik me brezat e rinj”, si dhe “nevojën për metodologji dhe mjete krijuese, që e bëjnë kumtimin e Ungjillit koherent me shndërrimin misionar të Kishës”.

Shërbim i ri me zanafillë të lashtë

 Shërbesa e re ka origjinë shumë të lashtë: në formë embrionale, për shembull, flasin për të Ungjilli i Lukës dhe Letrat e Shën Palit Apostull drejtuar korintasve. Që nga Koncili II i Vatikanit, është rritur vetëdija për faktin se “detyra e katekistit ka rëndësi të madhe” dhe është e nevojshme për “zhvillimin e bashkësisë së krishterë”, aq sa edhe sot shumë “katekistë të aftë dhe këmbëngulës” kryejnë “një mision të pazëvendësueshëm në transmetimin e fesë dhe në thellimin në të”, duke sjellë në botë “bukurinë, mirësinë dhe vërtetësinë e besimit të krishterë”.

Të mos biem në klerikalizëm

Dëshmitar i fesë, mësues dhe shoqërues, katekisti - shpjegon Papa - është i thirrur të vihet në dispozicion të shërbimit baritor për transmetimin e fesë, që nga kumti i parë, gjatë përgatitjes për Sakramentet e hyrjes në krishterim e deri në nivelin e formimit të vazhdueshëm. Shërbimi i katekistit, në fakt, “e thekson më shumë impenjimin misionar tipik për çdo të pagëzuar” dhe duhet të realizohet, kërkon Françesku, “në një formë krejtësisht shekullare, pa rënë në ndonjë shprehje klerikalizimi”.

Vlera e madhe për thirrjet

 Shërbimi laik i katekistëve ka edhe “vlerë të madhe për thirrjet” në jetën meshtarake a rregulltare, gjë që kërkon “shoshitjen e duhur nga ana e ipeshkvit” dhe një Rit të veçantë Themeltar, që do të publikohet së shpejti nga Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve. Njëkohësisht, vëren Papa, katekistët duhet të jenë burra dhe gra “me fe të thellë dhe të matur”; të marrin pjesë aktivisht në jetën e bashkësisë së krishterë; të jenë të aftë për “mikpritje, bujari dhe jetë vëllazërore në bashkësi”; të jenë të formuar nga pikëpamja biblike, teologjike, baritore dhe pedagogjike; të kenë përvojë të mëparshme në katekezë; të bashkëpunojnë me besnikëri me meshtarët dhe diakonët, si edhe “të frymëzohen nga një entuziazëm i vërtetë apostolik”.

Ftesa e Papës për Konferencat Ipeshkvnore

Së fundi, Papa i fton Konferencat Ipeshkvnore “ta bëjnë efektiv shërbimin e katekistëve”, duke vendosur edhe për udhën e formimit të nevojshëm për ta marrë këtë minister, në mënyrë koherente dhe në përputhje me Motu proprio-n, që mund të zbatohet edhe nga Kishat Lindore, “sipas normave të veçanta të secilës prej tyre”.

11 maj 2021, 11:34