Ceremonia e mirëseardhjes për Papën Françesku në Abu Dabi

Ati i Shenjtë Françesku, papa i parë, që shkon në Emiratet e Bashkuara Arabe, u prit në pallatin presidencial për ceremoninë e mirëseardhjes. Më pas, vizita zyrtare tek princi trashëgimtar, shehu Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Papa Françesku, lajmëtar i paqes në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dita e dytë e Atit të Shenjtë në vendin e Gadishullit Arabik fillon nga pallati presidencial, ku zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes. Papa Bergoglio, në udhëtimin e tij të 27-të apostolik, pritet nga princi trashëgimtar, shehu Mohammed bin Zayed Al Nahyan, 57 vjeç, i biri i shehut Zayed bin Sultan Al Nahyan, “ati i kombit” dhe presidenti i parë i Emirateve.

Pallati presidencial i Abu Dabit

Makina e Papës shoqërohet nga rojet presidenciale me kalë deri në hyrjen kryesore të ndërtesës, ndërsa në qiell, disa avionë lënë një vazhdë bardh e verdh, ngjyrat e flamurit të Vatikanit. Parakalimi i rojeve të nderit dhe himnet kombëtare i paraprijnë paraqitjes së delegacioneve përkatëse. Ndërtesa, ku mbahet ceremonia e mirëseardhjes, shtrihet mbi një sipërfaqe prej 150 hektarësh. Aty ndodhen zyrat e Presidentit, të zv. Presidentit, të princit trashëgimtar dhe të ministrave e po aty priten të gjitha personalitetet, që vijnë për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërtuar në gadishullin Ras al Akhdar, pallati mbulohet nga 70 kupola me mozaikë prej qelqi e ari, në një sipërfaqe prej 18 mijë metrash katrorë.

Takimi privat me princin trashëgimtar

Takimi privat me princin trashëgimtar zgjat rreth 20 minuta. Ndërsa nënshkruan Librin e Nderit, Papa falenderon për mikpritjen e ngrohtë, uron bekime paqeje dhe solidaritet vëllazëror. Etapa e fundit e ceremonisë, shkëmbimi i dhuratave. Papa dhuron një medalje, që përshkruan takimin ndërmjet Shën Françeskut dhe sulltanit Al-Malik al-Kamil, episod i 800 vjetëve më parë (1219), treguar në kapitullin e nëntë të “Legenda Maior”. Në sfond, paraqiten flakë zjarri. Poshtë, mbishkrimi latin i udhëtimit apostolik: “Më bëj mjet të paqes tënde”. Nga ana e tij, shehu Mohammed bin Zayed Al Nahyan ofron një akt noterial të 22 qershorit 1963, me të cilin dhurohej toka për ndërtimin e kishës së parë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

04 shkurt 2019, 12:03