Kërko

Papa Françesku mbërriti në Abu Dabi

Pas gati gjashtë orë udhëtimi, Papa Bergoglio u prit përzemërsisht në Emiratet e Bashkuara Arabe nga Princi trashëgimtar Sheikh Muhammed bin Zayed Al Nahyan dhe Imami Madh i Al -Azharit, Ahamad Al-Tayyb.

R.SH. - Vatikan

Avioni Boeing 777 i Alitalia-s me Papёn Françesku zbriti në aeroportin ndërkombëtar të Abu Dhabit në ora 18.48 evropiane, pak para orës 22.00 lokale, ku u prit nga Princi trashëgimtar Sheikh Muhammed bin Zayed Al Nahyan.

Kjo është vizita e parë e një pape në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të marrë pjesë nesër, në konferencën ndërkombëtare ndërfetare me temë “Vëllazërimi njerëzor”. Kujtojmë se Gadishulli arabik është djepi i fesë myslimane, prandaj Papa shkon të theksojë një impenjim, që e karakterizon papninë e tij: atë të ndërtimit të urave të njohjes e të dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, me besimin e ndërsjelltë se jemi vëllezër.

Fillon kёshtu Udhёtimi 27.tё Apostolik, i pari jo vetëm në Emiratet e Bashkuara Arabe  por edhe, në përgjithësi, në gadishullin arabik, për një Papë. Shtegtimi ka si moto “Më bëj, o Zot, mjet të paqes sate”, qё rikujton  dëshirën për paqëtim  që, 8 shekuj më parë, pati shoqëruar  takimin e Shën Françeskut tё Asizit me sulltanin e Egjiptit Malik Al Kamil. E pikërisht dialogu ndërfetar është një nga pika kryesore tё vizitës papnore, që do të përfundojë me 5 shkurt. Elementi tjetër domethënës i shtegtimit tё Papёs nё Emiratet Arabe, është takimi me bashkësinë katolike vendase, më se 900 mijë vetë, kryesisht emigrantë.

Një vizitë historike, pra, e cila, edhe pse e shkurtër nё kohё, ёshtё e shumëpritur nga bashkësia e krishterë që jeton nё kёtё vend, një komunitet i emigruar, sidomos nga vende aziatike. Momentet qendrore të vizitës papnore do të jenë, takimi ndёrfetar, nesër pasdite, pranё Founder's Memorial në kryeqytet, dhe të martën, Mesha publike, tё cilёn Papa do ta kremtojё në Zayed Sports City. Kremtimi Eukaristik ёshtё edhe takimi i fundit i kёsaj vizite apostolike pёr Papёn, para se të kthehet në Romë.

Siç u tha, sot në aeroportin ndёrkombёtar tё Abu Dhabit, Papa u prit nga Princi trashëgimtar, Lartësia e Tij Sheikh Muhammed bin Zayed Al Nahyan, e pas përshëndetjeve tё mirëseardhjes dhe fjalëve të përzemërta, Ati Shenjtë mori një dhuratën me lule nga dy fëmijë me veshje tradicionale. 

Pastaj, Garda e Nderit dhe, si zakonisht, përshëndetja me delegacionin e vendit në sallën e protokollit, në vijim përqafimi me, “mikun dhe vëllain e dashur", me tё cilin Papa Françesku u takua për të pestën herё, Imamin e Madh tё Al -Azharit, Ahamad Al-Tayyb. Do të jetë kjo figurë eminente e botës islame  me autoritet të që do ta shoqërojë Papën në takimet e këtij udhëtimi, siç pohoi drejtori i përkohshëm i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti.

Dhe pikёrisht sё bashku me Imamin e madh  Ahamad Al-Tayyb Papa Françesku, në fund të ceremonisë sё mirëseardhjes, u transferua, me një autobus të vogël - që pёrshkoi rreth 28 kilometra - në Pallatin Mushrif, nё rezidencën e nderit në dispozicion të mysafirëve të shquar, që do të shërbejë si vend qёndrim gjatё vizitёs sё Papës, meqenëse nё Emiratet e Bashkuara Arabe mungon një seli e Nunciaturёs Apostolike.

Nga dita e nesërme, pra, fillojnё impenjimet e para zyrtare, me ceremoninë solemne tё mirëseardhjes dhe vizitën zyrtare tё Papёs te Princi trashëgimtar, në Pallatin Presidencial, në ora 12.00 lokale, ora 09.00 evropiane; ndёrsa pasdite, kur nё Evropë do të jetë ora 14.00, do tё mbahet takimi privat i Papёs Françesku me anëtarët e Muslim Council of Elders,  për tё vijuar, pastaj, me takimin e madhe ndёrfetar në Founder's Memorial, ku Papa do të mbajё fjalimin e parë zyrtar.

03 shkurt 2019, 23:22