Konflikti izraelito-palestinez, në fazën e armëpushimit Konflikti izraelito-palestinez, në fazën e armëpushimit

Armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, pas 11 ditë bombardime

Në ditën e njëmbëdhjetë të luftës, Izraeli dhe Hamasi shpallin armëpushimin “e ndërsjellë dhe të njëkohshëm”. Konflikti ndërmjet Izraelit dhe grupeve të armatosura në Rripin e Gazës solli vdekjen e 227 palestinezëve dhe 12 izraelitëve

R.SH. - Vatikan

Kabineti izraelit i sigurisë, i mbledhur nën kryesinë e Benjamin Netanyahu-t, miratoi armëpushimin, që filloi në 2 të mëngjesit me orën lokale (ora 1.00 në trevat shqiptare). Vendimi u mor pas presioneve të vazhdueshme nga SHBA-të dhe pas ndërmjetësimit të Egjiptit e ndërhyrjes së të dërguarit të OKB-së, Tom Wennesland në Katar.

Bilanci i pjesës izraelite

Para votimit, ushtria u paraqiti ministrave izraelitë objektivat ushtarake të arritura në Rripin e Gazës, gjatë operacionit “Rojtari i Mureve”, duke i quajtur disa prej tyre “të pashembullta”.

Komenti i Hamasit

Nga ana e tij, funksionari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, i intervistuar nga një emitente libaneze, deklaroi se rezistenca ka përvijuar “një ekuacion të ri dhe një fitore të re” e se gjatë bisedimeve, Hamasi është siguruar nga Izraeli se dhjetra familjet palestineze, që ka rrezik të dëbohen nga zona e Jeruzalemit Lindor të lagjes Sheh Xharrah, nuk do të preken, si edhe se do të lejohen palestinezët të hyjnë në Sheshin e Xhamive a në zonën e Malit të Tempullit, siç quhet ndryshe sheshi ku bashkohet historia e tri feve: hebraizmit, krishterimit e islamit.

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, në Lindjen e Mesme

Zyrtarë të tjerë izraelitë e konsiderojnë marrëveshjen për Jeruzalemin si “absurde e të rreme” dhe flasin për një “armëpushim pa kushte”. Gjithsesi, Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken, do të shkojë në Lindjen e Mesme “në ditët e ardhshme”, siç konfirmon Uashingtoni. Blinken do të takohet me homologët e tij “izraelitë, palestinezë dhe rajonalë” për të “punuar së bashku në ndërtimin e një ardhmërie më të mirë për izraelitët dhe palestinezët”, shpjegon Departamenti i Shtetit.

21 maj 2021, 10:59