Dr.sha Ana Dardeli në punë Dr.sha Ana Dardeli në punë

Dr.sha Dardeli: “nuk mbytet koronavirusi, duke e shpëlarë gojën me betadinë”

Pas Sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, mjekja shqiptare, që punon prej vitesh në Romë, hedh poshtë mesazhet pseudomjekësore për përballimin e Covid-19 e jep këshillat e drejta kundër koronavirusit. Në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News, dr.sha Ana Dardeli.

R.SH. - Vatikan

Kohët e fundit, fatkeqësisht, është bërë e zakonshme të lexosh në gazetat shqiptare tituj si “Rritet bilanci i viktimave nga koronavirusi”, “Shtohen rastet me koronavirus”, “Mesatarja javore e rasteve të reja është rreth 96 të infektuar në ditë”. Jo më larg se javën e kaluar, Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, bëri thirrje në mikrofonin tonë të mos dëgjohen sharlatanët e ndryshëm, që japin këshilla për përballimin e Covid-19, me mesazhe në rrjetet shoqërore e në whatsapp, pa asnjë bazë shkencore. Edhe pse, nganjëherë pjesërisht të vërteta, ato nuk duhen marrë të mirëqena. “T’u besojmë mjekёve e t’ua zbatojmë këshillat – pati nënvizuar imzot Meta. – Të mos e kthejmë Shqipërinë në një spital të madh infektiv a, larg o Zot, në një morg. Jemi një vend i vogël dhe i varfër, me shumë probleme, edhe pa pandeminë e tërmetin. Nuk mund të lejojmë që kjo pandemi të na varfërojë e të na izolojë më shumë. Na kanë mbyllur kufijtë, jemi të detyruar të rrimë në karantinë, nëse kalojmë kufirin e ndonjë shteti. Rritja e rasteve po na penalizon”.

Ana Dardeli e një kolege me syze tregojnë mënyrën e drejtë për vendosjen e maskës (mbi hundë e nën syze; nën mjekërr)
Ana Dardeli e një kolege me syze tregojnë mënyrën e drejtë për vendosjen e maskës (mbi hundë e nën syze; nën mjekërr)

Pikërisht për t’u kujtuar edhe një herë të gjithë shqiptarëve, kudo ndodhen, si duhet të sillemi në këtë situatë, ia drejtuam mikrofonin mjekes shqiptare, që punon në Romë, Ana Dardeli, e cila, në këshillat e saj, hedh poshtë edhe “direktivat” e një mesazhi pseudomjekësor, që po qarkullon këto ditë. Ta dëgjojmë…

Dëgjo Ana Dardelin...
28 korrik 2020, 08:25