Ruffini: komunikimi me stil të krishterë, është mesazh bukurie
R.SH. - Vatikan
Komunikim dhe bashkim janë dy fjalë me "të njëjtën rrënjë". Vetëdije që, për ata të cilët punojnë në mediat e Kishës, e veçanërisht, në median e Vatikanit, është busull, e cila drejton punën e tyre të përditshme. Sepse "komunikimi nuk është vetëm informacion", por "shumë më tepër". Paolo Ruffini ndodhet në qytetin nigerian të Lagos-it dhe i drejtohet me këto fjalë përfaqësuesve të Cepacs, Komitetit Episkopal Pan-Afrikan të Komunikimit, për të nënvizuar një pikë të pashmangshme për ata që punojnë në këtë sektor. Komunikimi - saktëson - “është dhurata që na bëri Zoti ne, qenieve njerëzore të krijuara sipas shëmbëlltyrës së tij, për të qenë në marrëdhënie me njëri-tjetrin, për të krijuar një bashkësi dhe për të endur bashkimin ndërmjet nesh”. E, prej këndej, një vizion, nga i cili buron stili.
Fryma që vjen nga Koncili
50-vjetori i Cepacs, i krijuar në 1973 për të formuar profesionistë të medias në Afrikë, është, pra, një çast që shqyrton se si Lajmi i Mirë par excellence, Ungjilli, bëhet lajm sipas rrjedhave dhe metodave të sotme. Ruffini, duke folur mëngjesin e së dielës së 19 nëntorit në Katedralen e Sh’na Krygjës, kujton se pikërisht 10 vjet para Cepacs, Koncili II i Vatikanit kishte shpallur si dokumentet e para të takimit Sacrosanctum Concilium mbi liturgjinë dhe Dekretin Inter Mirifica mbi komunikimin shoqëror. E me Palin VI, nënvizohet: “komunikimi shoqëror dëshmon hapur se Kisha gëzon aftësinë për të lidhur jetën e botës me jetën e shpirtit, veprimin me kundrimin, apostullimin me lutjen”.
Media dhe urtia e zemrës
Më pas Rufini nënvizoi se zhvillimi i vrullshëm i sektorit e njëherësh me arritjet jubilare të Cepacs, bëhen nxitje të "kërkojmë, të gjithë së bashku, rrugën për të ecur drejt një stili më të krishterë komunikimi". E magjsteri i Papës Françesku – vërejti akoma - tregon drejtimin e udhës veçanërisht me mesazhet për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, e fundit prej të cilave reflekton për një nga kufijtë më të avancuar të medias, inteligjencën artificiale, parë në lidhje me “urtinë e zemrës” për një “komunikim krejtësisht njerëzor”. E kjo - shton prefekti i Vatikanit, “ka nevojë për kujdes”.
Rrëshajë, jo Babel
"Së bashku, përmes radios, përmes internetit dhe përmes mediave sociale, ne mund të ndërtojmë - përfundoi Ruffini - një sistem që ka si mision të ushqejë fjalën e së vërtetës, bazuar mbi përvojën e Rrëshajëve të ndërthurur me frymën e ndarjes së përbashkët, dhe jo me atë të Babelit (...)
Lëreni mesazhin të shtegtojë nga njeriu tek njeriu si diçka e bukur, sepse edhe e vërtetë. E bukur, mbasi është e jetuar personalisht. E bukur sepse tregon bukurinë”.