Njerëz me aftësi të kufizuara: pesë protagonistë tregojnë me#IamChurch
R.SH. - Vatikan
Të kesh aftësi të kufizuara nuk do të thotë të mos bësh pjesë me të gjitha të drejtat, në bashkësinë kishtare. E kujtoi Papa Françesku, kur pohoi se Pagëzimi i jep secilit, pa asnjë përjashtim, as diskriminim, mundësinë të brohorasë: “Unë jam Kisha!”. E kështu kjo brohori #IamChurch u bë parrulla e fushatës, organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen, Jetën që, nga 6 janari, një herë në javë, do të propozojë 5 videomesazhe nga mbarë bota, nga të cilat do të kuptohet çfarë do të thotë të jesh i gjymtuar e t’i shërbesh Ungjillit.
Nga manastiri, në Ditët botërore të Rinisë
Çdo video - njofton një notë e dikasterit - ka qëllimin të vërë në dukje kontributin që njerëzit me kufizime i ofrojnë çdo ditë bashkësisë kishtare. Puna për ungjillëzimin, e çuar përpara nga disa të rinj të shurdhër në Meksikë; manastiri, ku disa murgesha me sindromën Down e jetojnë thirrjen e tyre; grupi i të rinjve italianë me kufizime intelektive, që marrin pjesë në Ditët botërore të Rinisë, janë disa shembuj të një realiteti më të gjerë, që fushata përpiqet ta bëjë të njohur.
Gambino: shenjë e pasurisë
“Jemi të bindur - komenton Gabriella Gambino, zëvendës-sekretare e Dikasterit - se po të jemi në gjendje ta dëgjojmë me vëmendje zërin e motrave tona e vëllezërve tanë me kufizime, bashkësia kishtare do të dalë e pasuruar”. Edhe videot janë dëshmi e këtij angazhimi. I realizoi “Poti Picture”, grupi kinematografik i Coop Soc Çenakulli, shtëpia e parë e prodhimit kinematografik shoqëror në botë, që realizon spote, filma me metrazhe të shkurtëra e të gjata, me aktorë që vuajnë nga kufizime intelektive.