Papa Francesco e il Cardinale Kurt Koch Papa Francesco e il Cardinale Kurt Koch

Koch: Papa në Qipro dhe Greqi, një hap i rëndësishëm për dialogun e bamirësisë

Një javë nga udhëtimi i Papës Françeskut në Qipro dhe Greqi, mё 2 dhjetor tё ardhshëm, Presidenti i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit tё të Krishterëve kardinali Koch tregon vlerën e lartë ekumenike të vizitës që Papa do të sjellë në dy vendet me shumicë ortodokse.

R.SH. - Vatikan

Një shtytje e rëndësishme ekumenike, një moment i rëndësishëm dialogu dhe takimi, një nxitje për komunitetin ndërkombëtar për t’i mbajtur zemrat dhe ndërgjegjet të hapura përballë tragjedisë së refugjatëve dhe emigrantëve, kjo do të jetë vizita e Papёs Françesku, nga data 2 deri më 6 dhjetorin e ardhshëm, në Qipro dhe Greqi, gjatё sё cilёs do tё ketё takime të rëndësishme në Nikozia, në Athinë. E në ishullin Lesbo, etapa e shtegtimit apostolike tё Papёs që do të jenë njё rast për t’i pёrforcuar marrëdhëniet midis Kishës së Romës dhe ortodoksëve grekë, siç konfirmon Kardinali Kurt Koch, President i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit tё të Krishterëve:

Hirësia juaj, sipas jush cila do të jetë, apo cila është vlera ekumenike e udhëtimit që Papa Françesku do të bëjë në Qipro dhe Greqi?

Ati i Shenjtë dëshiron t’i vizitojë dy vende që kanë pjesën më të madhe të popullsisë që rrëfejnë besimin e Kishës ortodokse. Prandaj Papa do të vizitojë sërish dy vende shumë ortodokse dhe kjo është një shenjë shumë pozitive për thellimin dhe përforcimin e dialogut e tё marrëdhënieve ndёrmjet Kishës katolike dhe Kishës ortodokse.

Cilat janë sfidat në dialogun mes Kishës katolike dhe Kishës ortodokse Greke, me një vështrim të veçantë ndaj Kishës në Greqi?

Duhet të dallojmё midis dialogut të bamirësisë dhe dialogut të së vërtetës. Nё rastin e  parё do të thotë thellim i marrëdhënieve miqësore mes Kishave, ndёrsa dialogu i së vërtetës është punё teologjike, për t’i kapërcyer të gjitha pengesat e trashëguara nga e kaluara. Kishat ortodokse kanë vendosur që këtë dialog teologjik ta nisin jo në nivelin dypalёsh, me Kishat e ndryshme ortodokse, por në nivelin shumëpalësh. Prandaj ne kemi një Komision të përzier ndërkombëtar, në të cilin janë 14 Kisha të ndryshme ortodokse autoqefale, dhe me to kemi njё dialog ekumenik. Udhëtimi i Atit të Shenjtë do të jetë një hap i madh për të thelluar mё tej dialogun e bamirësisë.

Nga ana tjetër, cila është situata në Qipro, sërish për sa i përket dialogut mes katolikëve dhe Kishës ortodokse vendase?

Ne kemi marrëdhënie të mira me Qipron. Kryepeshkopi Chrysostomos II, mbi të gjitha, ka një zemër të hapur ndaj ekumenizmit, pastaj më duket se është gjithashtu mirë të thellohet kjo marrëdhënie midis Kishës së Romës, Papës, Atit tё Shenjtё tё mbarë Kishës Katolike, dhe Kishës Ortodokse në Qipro.

Edhe një herë, një temë e rëndësishme e këtij udhëtimi do të jetë ajo e emigrantëve. Në Qipro do të ketë edhe një lutje ekumenike…

Po, Ati i Shenjtë dëshiron gjithashtu të përqendrojë vëmendjen edhe mbi situatën e emigrantëve dhe tё refugjatëve. Ai dëshiron të kremtojë një lutje ekumenike me emigrantët në Qipro, ndërsa në Greqi dëshiron të vizitojë përsëri ishullin Lesbos-Mytilene për të dhënë një shenjë të qartë se ndihma për migrantët dhe refugjatët është një sfidë e madhe ekumenike, e cila ka nevojë gjithashtu për një bashkëpunim të përbashkët.

25 nëntor 2021, 10:32