Ekspozita Serbi-Seli e Shenjtë Ekspozita Serbi-Seli e Shenjtë

Serbia dhe Vatikani 1878-1914: dokumente dhe fotografi ekspozite

Një ekspozitë tregon zanafillën dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve, deri me nënshkrimin e Konkordatit të vitit 1914. Përurimi, në Universitetin Papnor të Lateranit, nën kujdesin e Arkivave Shtetërore Serbe. Imzot Gallagher: bashkëpunimi i ndërsjellë dhe kërkimi i së mirës së përbashkët të udhëheqin studimin e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare

R.SH. - Vatikan

“Uroj që studimi i vazhdueshëm i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare të frymëzojë brezat e rinj që të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie gjithnjë e më të karakterizuar nga bashkëpunimi i ndërsjellë e nga kërkimi i së mirës së përbashkët”. Ky është urimi i Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, në fjalën e mbajtur në Universitetin Papnor Lateranens, me rastin e hapjes së ekspozitës “Serbia dhe Vatikani 1878-1914”, organizuar nga Arkivi Kombëtar i Serbisë. I pranishëm, ministri i jashtëm i Beogradit, Nikola Selaković.

         Imzot Gallagher foli haptas për “çështjen, shpesh delikate e impenjative, të marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit e popujve të Ballkanit”, që “nuk ka reshtur kurrë së pasuri rëndësinë të madhe në kuadrin e ndërlikuar politik të atij rajoni”. Imzot Gallagher kujtoi periudhën ndërmjet fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, “shënuar nga rrethana të vështira ndërkombëtare”, gjatë të cilave “si Beogradi, ashtu edhe Vatikani, u përpoqën t’i përmirësojnë marrëdhëniet, duke përballuar sfida të ndryshme, që rrjedhin nga dallimet politike e fetare”. Përmendi Konkordatin e vitit 1914, i cili, megjithëse “nuk u zbatua e as arriti objektivat e shpresuara”, gjithsesi, “kontribuoi dukshëm në lidhjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së atëhershme të Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve, në vitin 1920, kur u përurua Nunciatura Apostolike në Beograd”.

         Qëllimi i ekspozitës është vlerësimi i marrëdhënieve dypalëshe, duke treguar udhën historike të përshkuar që nga fundi i viteve ‘800, e cila ka çuar edhe në krijimin e më pas në zhvillimin e shtetit serb.

19 tetor 2021, 12:03