Sandri: Vanhoye, njeri i rrëmbyer nga Fjala që kumtonte
R. SH. - Vatikan
“Zoti kishte shumë arsye për të mos i folur më popullit të vet e, megjithatë, nuk heshti kurrë!”. Kjo thirrje buroi nga një mjeshtër i Shpirtit. Nga një burrë përplot me dijen e Biblës, që e përbloi për dekada Shkrimin Shenjt, për t’ua rikthyer besimtarëve në gjithë pasurinë e tij të pamasë”. Kështu e kujtoi kardinalin Albert Vanhoye, shuar më 29 korrikun e kaluar, kardinali Leonardo Sandri, i cili kryesoi, në Shën Pjetër, Meshën e tij të Dritës.
Njohës i madh i Biblës
Predikatari kujtoi 90 vjetët e jetës e gjashtëdhjetë e shtatë vjetët e meshtarisë së këtij njeriu “të përpiktë e të vendosur” i cili, kur ishte vetëm 18 vjeç, përshkoi në këmbë Francën e pushtuar nga nazistët, vetëm e vetëm që të mund të hynte në Shoqërinë e Jezusit, sepse ëndrra e tij ishte të bëhej Jezuit. Kardinali Sandri e kujtoi në fillim të homelisë këtë episod, që flet vetë për natyrën dhe prirjet e Kardinalit të ardhshëm, shumë të vlerësuar nga Benedikti XVI. Ylli polar i tij ishte Shkrimi Shenjt e, posaçërisht, Letra drejtuar Hebrenjve, për studimin e së cilës shquhet ndërmjet sa e sa studiuesëve të tjerë të kësaj mrekullie biblike. Nuk e trajtoi kurrë si tekst të thatë. Ia doli të hyjë në thellësitë e saj, i joshur nga lavdia e largët, por që të paraprin drejt bashkimit me Zotin”.
Kardinali Sandri kujtoi edhe “përkushtimin e plotë” të kardinalit të ndjerë kur Papa i nderit e lartoi, më 2006, në dinjitetin kardinalor. Si kur ishte rregulltar, e si kur u krijua kardinal, ai u dallua ndërmjet atyre që “Ndjehen me Kishën, në gji të saj” e që janë në gjendje të hyjnë në zemër të Ungjillit, duke e kuptuar e duke e predikuar, risinë që sjell në jetën e njeriut e të gjithësisë e duke tërhequr fort vëmendjen për t’u ruajtur nga rreziku i zbrazjes së riteve. Mund ta krahasoj - vijoi kardinali Sandri - me skribën që u bë dishepull i Mbretërisë, i aftë për të nxjerrë nga thesari i tij gjëra të lashta e të reja, si në rastin e Ushtrimeve shpirtërore, të predikuara prej tij në vitin 2008.
Mësime, që mbeten
Na mori për dore - vijoi të kujtojë kardinali kremtues - nga një vëlla në fe, krejtësisht i rrëmbyer nga Fjala, që kumtonte. E gati-gati e përshpejtoi atë Jubile të Mëshirës, që Papa Franeçsku e pati shpallur pak vite më pas. Na la, kështu, mësimin e çmuar mbi mëshirën, tipari më dallues i Krishtit, si dhe aftësinë për ta fituar, përmes përvojës personale të vuajtjes. Duhet të kesh kaluar nëpër të njëjtat prova, të njëjtat vuajtje të atyre që duan të ndihmohen. Si Krishti, që di të mëshirojë, sepse provoi gjithçka, si ne”.