Vatican News

Papa: t’i duam të sëmurët, vuajtja nuk është vetëm fizike

Pap: “Sa do të dëshiroja të ishim të aftë të rrinim pranë të sëmurëve si Jezusi, në heshtje, me një ledhatim, me një lutje!”.

 R.SH, - Vatikan

Sa do të dëshiroja të ishim të aftë të rrinim pranë të sëmurëve si Jezusi, në heshtje, me një ledhatim, me një lutje!”. Kёshtu pati pohuar Papa Françesku nё njё tweet tё 29 korrikut 2016. Tani, personalisht Ati i Shenjtё ofron dëshminë e tij konkrete, si pacient nё spital, duke bashkёndarё dhimbjet e shpresat, me mirënjohje ndaj Zotit dhe personelit shëndetësor tё spitalit. Papa, edhe nё vuajtje, ёshtё njё influencer i Shpirtit tё Zotit.

Njё prej thirrjeve tё shumta për kujdes e dashuri ndaj të gjymtuarve e të sëmurëve, Papa Françesku ua drejtoi besimtarëve, gjatë Meshës kremtuar mё 12 qershor 2016 në Sheshin e Shën Pjetrit për Jubileun, që u kushtohej pikërisht atyre.

Dashuria e Françeskut për të sëmurët

Është e paharrueshme dhembshuria me të cilën i trajton Papa Françesku të sëmurët: fëmijë, të rritur apo pleq qofshin. Përdori me ta një gjuhë gjestesh e fjalësh, që mё 12 qershor 2016 u ndje fort në përfundim të Meshës jubilare qё u kushtohej pikërisht atyre, kur iu afrua disa të sëmurëve dhe shoqëruesve të tyre. Gjuhë, që tregon si e kupton  mëshirën Ati i Shenjtë Bergoglio. Udha e vetme për të qenë të lumtur, të sëmurë e të shëndoshë, është dashuria:

“Lumturia, që e dëshiron secili, mund të shprehet në një mori mënyrash e mund të arrihet vetëm nëse jemi të aftë të duam. Kjo  është rruga! Është gjithnjë çështje dashurie, rrugë tjetër s’ ka. Sfida e vërtetë është e atij, që do më shumë. Sa njerëz të sëmur e të vuajtur  rikthehen në jetë, sapo zbulojnë se dikush i do! E sa dashuri mund të gurrojë nga zemra, edhe pas një buzëqeshjeje të vetme! Terapia e buzëqeshjes…!”.

Jezusi i kupton vuajtjet tona, sepse i ka provuar ai vetë e, sidomos, sepse është mjek, që di të shërojë me ilaçin e dashurisë. “Ç’vërejtje mund t’i bëjmë Zotit për gjymtimet e vuajtjet tona - pohoi Papa Françesku -  kur i shikojmë të gjitha të skalitura nё fytyrën e Birit të Tij të kryqëzuar?”.

Të sëmurët nuk duhen getizuar, por duhen mirëpritur

Në homelinë e Meshës sё 12 qershorit 2016 në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan, Papa tregoi një mirëkuptim të plotë për realitetin njerëzor; të gjithë, herët a vonë - vërejti - ndeshemi me sëmundjet tona a të tjetërkujt, përvojë dramatike njerëzore. E Papa e di se përballë këtyre vuajtjeve mund të lindin sjellje të ndryshme, edhe cinike. Dikush mund të mendojë se gjithçka zgjidhet duke pësuar; dikush tjetër, duke llogaritur vetëm forcat vetjake ose duke i mbështetur gjithë shpresat mbi mjekësinë, që sigurisht nuk është në gjendje t’i shërojë të gjitha sëmundjet.

Në epokën, kur  kujdesi për trupin është bërë mit masiv e edhe çështje ekonomike, e papërkryera duhet fshehur, sepse cenon lumturinë dhe qetësinë e njerëzve të privilegjuar dhe vë në krizë modelin sundues të jetës. Më mirë t’i veçojmë këta njerëz, mendon ndokush, t’i rrethojmë me ndonjë gardh të praruar, ose të shfrytëzojmë asistencializmin, që të mos ngatërrohet ritmi i rremë i mirëqenies sonë. E kjo, në rastin më të mirë. Kur nuk mendohet për t’i hequr qafe sa më shpejt, sepse të sëmurët mund të bëhen edhe barrë ekonomike e papërballueshme. Papa Françesku zbuloi edhe iluzionin e madh, që struket në këto mendime:

“Por në të vërtetë, cila është shpresa e kotë e njeriut të sotëm, kur i mbyll sytë përballë sëmundjes e gjymtimit? Ai nuk arrin ta kuptojë domethënien e vërtetë të jetës,  që të kujton se ka edhe vuajtje e ka edhe një kufi. Bota nuk bëhet aspak më e  mirë, kur përbëhet vetëm nga njerëz ‘të përkryer’, për të mos thënë ‘të maskuar’, por kur shtohet solidariteti ndërmjet njerëzve, kur thellohet mikpritja e respekti reciprok”.

Vuajtja nuk është vetëm fizike

Dhembshuria e Zotit - nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio - është shenjë e dashurisë së Zotit për njerëzit që vuajnë e që përjashtohen. E vuajtja nuk është vetëm fizike. Një nga sëmundjet më të përhapura sot, është ajo që prek shpirtin. Sëmundja e trishtimit, e quajti Papa Françesku, vuajtja, që të trishton, sepse e ndjen veten të padashur ose të tradhtuar në marrëdhëniet më të rëndësishme, pa të cilat vetë jeta e humbet kuptimin:

Tundimi për t’u mbyllur në vetvete bëhet tepër i fortë. Krijohet rreziku për të humbur rastin e jetës: të duash, pavarësisht nga gjithçka! Të duash, pavarësisht nga të gjitha!”.

Kuptimi i vuajtjes gjindet në Krishtin

Misteri i jetës së krishterë përmblidhet në dinamizmin e Pashkëve, të vdekjes e ngjalljes së marrë në Pagëzim. Me zhytjen në ujë, njeriu duket sikur varroset bashkë me Krishtin, për të ridalë përsëri përmbi, me një jetë të re. E kështu edhe vuajtja e vdekja në Krishtin gjejnë kuptimin e tyre të fundit. Papa Françesku nënvizoi se mënyra si e jetojmë sëmundjen dhe gjymtimin, bëhet treguese e dashurisë, që jemi të gatshëm ta dhurojmë:

Mënyra sesi e përballojmë vuajtjen dhe cakun e fundit, është kriteri i lirisë sonë për t’i dhënë kuptim përvojave të jetës, edhe kur duken absurde e të pamerituara. Të mos turbullohemi, prandaj, nga këto trazira”.

06 korrik 2021, 15:46