2020.05.23 Unità dei Cristiani 2020.05.23 Unità dei Cristiani

On line tekstet e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2022

“Pamë yllin e Tij duke lindur dhe erdhëm ta adhurojmë”: është shkëputur nga Ungjilli i Mateut, tema e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2022.

R.SH. - Vatikan

“Pamë yllin e Tij duke lindur dhe erdhëm ta adhurojmë”: është shkëputur nga Ungjilli i Mateut, tema e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2022, që do të mbahet nga 18 deri më 25 janar, në hemisferën veriore e, rreth Rrëshajëve, në hemisferën australe. Materialet ndihmëse, përgatitur nga Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme (Mecc), me seli kryesore në Liban, mund të shfrytëzohen përmes portalit të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve dhe Këshillit Ekumenik të Kishave ( Pontificio Consiglio per la Promozione dell'Unità dei Cristiani e del Consiglio Ecumenico delle Chiese).

“Kurrë nuk e ndjemë më fort nevojën për një dritë, që ta mundë errësirën, si në këto kohë të vështira. E kjo dritë, siç  besojnë të krishterët, u duk në Jezu Krishtin - lexohet në tekstet e përgatitura nga organizmi, që i bashkon Kishat e krishtera, në përpjekjen për të dhënë dëshminë e përbashkët në tokën ku Krishtit jetoi e u ngjall prej të vdekurve.

 “Ylli”, simbol i thirrjes së krishterë

Përballë krizës së sotme shëndetësore ndërkombëtare, në  viset e botës, ku të drejtat vijojnë të shkelen nga interesa të padrejta politike dhe ekonomike me pasoja të rënda njerëzore e materiale e ku shpërthimi  i tmerrshëm  i 4 gushtit të vitit 2020 e shkretoi Beirutin, Grupi ekumenik vendas - shpjegohet në materialin ndihmës - i shumëfishoi përpjekjet për ta paraqitur frytin e sesioneve të punës, realizuar nga platforma online. Të krishterët e Lindjes së Mesme gjetën tek “ylli” figurën e thirrjes së krishterë - lexohet në kanalin e Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve - “Ylli ishte shenja, që u priu Tre Mbretërve nga vende e kultura të ndryshme drejt Krishtit Fëmijë. E është simbol, që vë me forcë në dukje se të krishterët “sa më shumë i afrohen Krishtit, aq më shumë bashkohen”.

Tema  e Javës është ftesë drejtuar të krishterëve që të jenë simbol, ashtu si Kometa, përmes së cilës Zoti u prin mbarë popujve drejt Krishtit, domethënë, drejt unitetit. Pastori Odair Pedroso Mateus, zëvendës-sekretar i përgjithshëm i Coe dhe Drejtor i Komisionit Fe e Kushtetutë, i cili së bashku me Këshillin Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve rishikon e publikon tekstet e Javës së Lutjes, vë në dukje se të krishterët e Kishave të ndryshme të Libanit e të viseve të afërta “na ftojnë  të ecim pas Yllit të Lindjes e ta adhurojmë Birin e Zotit të mishëruar”, të cilit i shprehin mirënjohjen për punën e tyre e për dhuratën e tyre shpirtërore”.

Dhuratë për Javën e Lutjes  

“Të krishterët e Lindjes së Mesme e ofrojnë këtë material kushtuar Javës së Lutjes për Unitetin, të vetëdijshëm se bota  vuan njëlloj si ata, se jeton të njëjtat vështirësi e se dëshiron të njëjtën dritë, që të mund ta davarisë errësirën, në udhën drejt Shëlbuesit”, lexohet akoma në tekstet ndihmëse.

Pandemia e Covid, nxitje për një rreze drite, ndër terrina

Autorët shtojnë se pandemia e Covid-19, kriza ekonomike pasuese dhe dështimi i strukturave politike, ekonomike e shoqërore, që duhej t’i mbronin më të ligshtit, nxorën në pah dëshirën e thellë, në nivel global,  për një dritë, që të shndrisë e ta davarisë errësirën. E kjo dritë është ylli, që u duk në horizontin e Lindjes dymijë vjet më parë. “Vijon të na bëjë thirrje të nisemi drejt Grazhdit, ku lind Krishti, e vijon të na tërheqë atje, ku Shpirti i Zotit jeton, vepron e na fton për kthimin e zemrave”.

Të nisim një jetë të re

Për Këshillin e Kishave të Lindjes së Mesme,  secili nga ne duhet të nisë një jetë të re, të përtërirë. E duhet përtërirë edhe jeta e Kishave dhe e shoqërisë, duke ecur në rrugën e Krishtit, duke u vënë në shërbim të Ungjillit, duke i treguar botës, me jetën tonë, ç’do të thotë dinjitet njerëzor, posaçërisht për të varfrit, të ligshit, të shtypurit”. E Kishat duhet të jenë transparente e plot përgjegjësi në marrëdhëniet me botën. Duhet të punojnë pa u lodhur kurrë për t’ua lehtësuar jetën të munduarve, “duke i mirëpritur të shpërngulurit, duke ua lehtësuar jetën të shtypurve nën barrën e saj e duke ndërtuar një shoqëri të drejtë e të ndershme.

Ftesa përfundimtare është të punohet së bashku, që të rinjtë të mund të ndërtojnë një ardhmëri sipas dëshirës së vetë Zotit, ardhmëri, në të cilën të gjitha krijesat njerëzore të mund ta jetojnë me fund jetën, të shijojnë paqen, të praktikojnë drejtësisë, të gëzojnë dashurinë!

12 korrik 2021, 12:07