Vëmendje dhe kujdes për gjyshat dhe të moshuarit Vëmendje dhe kujdes për gjyshat dhe të moshuarit 

Nga dita e gjyshave dhe e të moshuarve, nisi një rrugë e re!

Një javë pas Ditës Botërore të Gjyshave dhe të Moshuarve, kremtuar me dëshirën e Papës Françesku, një bilanc më se pozitiv.

R. SH. - Vatikan

Sukses në nivel botëror, ai  i Ditës  kushtuar Gjyshave dhe të Moshuarve.  Synimi i Dikasterit të Laikëve, Familjes, Jetës, ishte që dita e dëshiruar në nivel botëror, kushtuar gjyshave dhe të moshuarve, të shënonte fillesën e një tradite të re, e një udhe të re. Ky objetiv,  shpjegon në një intervistë imzot Vittorio Scelzo i Dikasterit për Laikët, Familjen, Jetën, u arrit:

“E dëshmojnë këtë qindra mesazhe, foto, poste në mjetet e komunikimit.   Mund të themi se nuk pritej gjithë ky entuziazëm, sepse sot pleqtë e gjyshat nuk janë edhe aq në modë, siç e thotë edhe Papa Françesku. Madje shpesh shikohen si njerëz të tepërt, të panevojshëm. Po këtë herë breznitë kremtuan me dashamirësi të jashtëzakonshme, pranë e pranë. E ky ishte sukses, që flet vetë”.

Papa pati folur për engjëj rojtës që në këtë ditë kushtuar të moshuarave  do të mund ta ndriçonin pakëz vetminë e tyre. A mund të na tregoni çka ju  la më shumë mbresë nga kjo ditë?

“Papa bëri mirë kur foli për engjëj rojtës, që  zbrezin pranë të moshurave në netët e tyre vetmitare, sepse shikojmë shumë vetmi në jetën e tyre. Vetmi, që u bë edhe më e trishtuar gjatë pandemisë. Mjafton të mendosh çka u ndodhi të moshuarve në mbarë botën! Ndaj Papa, në homelinë e lexuar nga imzot Fisichella,  theksoi se atje ku nuk jetohet së bashku, atje vritet jeta, atje është në pritë rreziku i vdekjes. Gjë që e kemi parë të gjithë. Po në këtë ditë më erdhën foto të mrekullueshme. Nga India, ku duken të rinjtë, që u trokasin të moshuarve tek porta, për t’u çuar mesazhin e  dashurisë. Nga Lisbona, ku në këtë ditë rilindi miqësia e ligështuar ndërmjet breznive e u forcua ajo lidhje, për të cilën Papa shkruan: bota nuk mund të ketë të ardhme, pa  besëlidhjen e të moshuarve me të rinjtë”.

Françesku na kujton se pa dialog ndërmjet breznive, historia nuk mund të shkojë përpara e bota nuk mund të bëjë asgjë. Jeta, dialogu e ardhmëria lidhen në mënyrë të pazgjidhshme….

“Jeta, dialogu e ardhmëria janë tema të Fratelli Tutti, në të cilën Papa  flet për ind të ciflosur, për shoqëri të copëzuara, e kjo ditë ishte synim për ta përtërirë lidhjen ndërmjet breznive: ndërmjet pleqve e të rinjve. Ndaj   besojmë  se të moshuarit do të jenë tema e së ardhmes. E ne urojmë  që   lidhjet, të cilat u forcuan në këtë ditë, ta bëjnë realitet këtë dëshirë. Ndërsa  ne na nxit të mendojmë në një mënyrë të re për baritorinë, duke nisur nga qendërsia e të moshuarve, që Papa na nxit ta zbulojmë, ashtu si na nxiti për protagonizmin e popujve të Amazonës e për të varfërit. E t’i kesh në qendër të vëmendjes të moshuarit, do të thotë të mos i  braktisësh në vetminë e tyre, por t’i mbash gjallë me respket e nisma, edhe të thjeshta,  Duke i bërë, kështu, ta ndjejnë veten aktivë, njerëz që e vijojnë jetën, e jo që e pëfundojnë. Bashkëbisedues”.

31 korrik 2021, 12:02