Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Kardinali Parolin: reforma e Kuries e nevojshme për t’u bërë mjet në shërbim të Papës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit intervistohet nga gazeta franceze “La Croix” disa ditë pas udhëtimit të tij në Strasburg. Duke iu referuar gjyqit në Vatikan, uron të dalë në shesh e vërteta, ndërsa për rastet e pedofilisë, fton për transparencë: “është kalvar, që duhet ta përballojmë”. Përsa u përket ligjeve mbi bioetikën dhe separatizmin fetar, nënvizon: “katolikët ta ngrenë zërin”

R.SH. - Vatikan

Franca dhe laicité, roli i katolikëve në shoqëri dhe politikë, edhe në dritën e ligjeve të reja të miratuara në vend, siç është ai për bioetikën. Pastaj, një udhëtim i mundshëm i Papës në Paris, plaga e pedofilisë në Kishë, reforma e Kuries; së fundi, disa fjalë për gjyqin e ardhshëm në Vatikan. Është e pasur me argumente, intervista e gazetës katolike franceze “La Croix” me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, disa ditë pas udhëtimit të tij në Strasburg për 100-vjetorin e vdekjes së Pajtores së Alsazës, Shën Odilës.

Gjyqi në Vatikan: “Shpresojmë të dalë në dritë e vërteta”

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi gjyqin, që do të hapet më 27 korrik në Gjykatën e Vatikanit për çështjen e investimeve financiare të Sekretarisë së Shtetit në Londër, kardinali uron “të dalë në shesh e vërteta, për të mirën e të gjithëve”. Më pas, sqaron se i referohet “së vërtetës gjyqësore”, sepse “të vërtetën e saktë e njeh vetëm Zoti”, ndërsa “e vërteta e gjykatës është ajo njerëzore”.

Abuzimet, kalvar për t’u përballuar

Kardinali flet edhe mbi rezultatet e Komisionit të pavarur për abuzimet seksuale të klerit në Francë, të cilat së shpejti duhet të bëhen publike: “Me siguri, do të jetë çast vuajtjesh, por nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta”, nënvizon Parolin. “Jemi të trishtuar – vijon ai - dhe e di që shumë katolikë do të trishtohen e shkandullohen nga çka do të lexojnë. Por duhet ta përballojmë këtë kalvar. Prej tij, mund të lindë një vetëdije e re për t’i luftuar këto fenomene dhe për të parandaluar përsëritjen e këtyre akteve”.

Të shmanget gjithçka e ka errësuar deri tani imazhin e Kishës

Përsa i përket Kushtetutës Apostolike mbi reformën e Kuries, që po studiohet nga Këshilli i Kardinajve, ku merr pjesë edhe vetë, kardinali Parolin kufizohet në njoftimin se ajo do të zëvendësojë “Pastor Bonus” të shën Gjon Palit II dhe aktualisht “po rishikohet nga kanonistët për t’ia përshtatur terminologjinë karakterit juridik të dokumentit”. Koha e botimit “varet nga Papa”, nënvizon ai, për të shtuar më pas: “Në një organizëm të ndërlikuar dhe shumëshekullor si Kuria Romake, ndryshimet mund të shkaktojnë disa vështirësi. Por ka një dëshirë të vërtetë për ta bërë atë, mjet në shërbim të Atit të Shenjtë, për të mirën e Kishës. Tani e tutje, duhet të shmangim gjithçka, që mund ta ketë errësuar imazhin e shërbimeve të saj në të kaluarën”.

Tani për tani, nuk mendohet ndonjë udhëtim i Papës në Francë

Përsa i përket Papës, bashkëpunëtori i tij më i ngushtë thekson se, të paktën tani për tani, nuk mendohet për ndonjë udhëtim të Papës në Francë, megjithëse “ka një projekt”. “Papa ia ka shprehur interesin e tij presidentit Emmanuel Macron. Por nuk mund të njoftoj ndonjë datë. Shpresoj të bëhet sa më shpejt, sepse Franca e meriton një vizitë nga Ati i Shenjtë”. Gjithashtu, kardinali kujton 100 vitet e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Francës dhe Vatikanit: marrëdhënie “pozitive”, thotë ai, pasi “kemi shqetësime të përbashkëta, si ekologjia, e cila është bërë temë qendrore e veprimtarisë ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë, si edhe pandemia”. Sidoqoftë, “mbeten disa dallime, siç është çështja e çarmatimit dhe e energjisë bërthamore”.

Laicizmi francez, çështje e ndjeshme

I pyetur në lidhje me çështjen e laicizmit francez, ndërsa në Asamblenë Kombëtare (dhoma e ulët e Parlamentit Francez) vazhdojnë diskutimet mbi projekt-ligjin për “separatizmin fetar”, i cili parashikon një kontroll më të madh të shtetit mbi organizatat fetare dhe vendet e kultit, kardinali Parolin pranon se kjo është “temë shumë e ndierë në Francë”. “Laicizmi francez ka karakteristika, që nuk gjenden diku tjetër, të lidhura me historinë dhe veçanërisht, me Revolucionin Francez, por edhe me etapat e ndryshme, që çuan në ndarjen e Kishës nga shteti dhe, nganjëherë, në refuzimin e fuqishëm të fesë.

Të gjitha këto episode kanë lënë gjurmë dhe kanë kontribuar në mënjanimin e përmasës fetare nga jeta shoqërore. Kjo s’është mirë. Ideale do të ishte gjithnjë si autonomia e bashkësisë politike nga Kisha, ashtu edhe bashkëpunimi i shëndoshë ndërmjet tyre. Kisha dhe shteti synojnë të dy të kontribuojnë për të mirën e përbashkët”. Nga ana tjetër, kardinali shprehet pa shqetësim për tensionet, që i paraprijnë çdo fushate elektorale, pasi nganjëherë, ato janë “të nevojshme për të ecur përpara”, por këshillon që “të mos kthehen në konflikte, në sulme personale, që do të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere të sëmurë”.

Ligji për bioetikën dhe zëri i katolikëve

Në bisedën me “La Croix” flitet edhe për ligjin e bioetikës, të sapomiratuar në Francë, që kritikohet rëndë nga katolikët. “Është e rëndësishme - vëren Sekretari i Shtetit të Vatikanit - që katolikët ta ngrenë zërin, me argumente të bazuara në fenë e tyre, edhe në debate kaq delikate”. Pavarësisht se ligji është miratuar, “ata e bëjnë këtë në emër të mbrojtjes së dinjitetit dhe të vlerës së çdo jete njerëzore”. Megjithatë, përfundon kardinali Parolin, “debati duhet të bazohet mbi arsyen e jo mbi ideologjitë”.

13 korrik 2021, 11:50