Vatican News

Drejt një “ne” gjithnjë e më të madhe: të kujdesemi për plagët e tjetrit

Vijon fushata e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në kuadrin e Ditës Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve 2021, e cila do të kremtohet më 26 shtator

R.SH. - Vatikan

Të kujdesemi për plagët e tjetrit, larg çdo lloj frike: ky është një hap i mëtejshëm drejt Ditës Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve, që kremtohet më 26 shtator 2021. Me afrimin e saj, Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor promovon një fushatë komunikimi të përqendruar në temën e zgjedhur nga Papa: Drejt një “ne” gjithnjë e më të madhe.

Në një video realizuar kohët e fundit, në frëngjisht, anglisht, spanjisht, holandisht, portugalisht dhe gjermanisht, Papa Françesku e fton Kishën të shkojë në periferitë ekzistenciale për të shëruar plagët e nevojtarëve dhe për të kërkuar ata, që e kanë humbur udhën e jetës, pa frikë dhe paragjykim. E fton çdo të pagëzuar të ndihet pjesë e një Kishe të vetme, një shtëpie të vetme, një familjeje të vetme.

Në videon e re paraqitet edhe dëshmia e një meshtari, i cili u shërben emigrantëve në të ashtuquajturën “udhë ballkanike”. Shpesh, në rrugën për të arritur Evropën, njerëz, që ikin nga konflikte e kushte tejet të këqia, trajtohen në mënyrë çnjerëzore. Në përgatitje të 26 shtatorit, Seksioni për Migrantët dhe Refugjatët bën thirrje t’i dërgohen dëshmi të shkruara, ose multimediale, video dhe fotografi nga Kishat lokale dhe nga protagonistët katolikë, që impenjohen në baritorinë me më të ligshtit e shoqërisë. Materiali mund të çohet me email, në adresën: media@migrants-refugees.va

07 korrik 2021, 10:28