Peshkatarë në peshkim Peshkatarë në peshkim 

Dikasteri për zhvillimin e gjithanshëm: të respektohet dinjiteti i detarëve

Covid-i, pirateria, mbytjet e anijeve: këto, rreziqet që vihen në dukje në mesazhin për të Dielën e Detit, më 11 korrikun e ardhshëm. Dikasteri vatikanas kujton se nuk duhen shikuar vetëm fitimet, por edhe ata, që jetojnë larg të dashurve, të cilëve u duhen respektuar plotësisht të drejtat.

R. SH. - Vatikan

Pandemia e ndryshoi faqen botës. E me të, edhe faqen e punës në det që, pavarësisht nga kufizimet, nuk u ndal për asnjë çast. Kjo vihet, së pari, në dukje, në mesazhin e Dikasterit të Vatikanit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, me rastin e së Dielës së Detit, më 11 korrikun e ardhshëm. Bota e ndaloi për ca kohë ritmin e jetës, po jo anijet. Anijet vijuan të transportojnë  nga një port - në tjetrin,  pajisjet mjekësore dhe ilaçet kryesore për t’i bërë ballë betejës kundër përhapjes së virusit. Rreth 90%  e tregtisë botërore - lexohet në mesazh - shtegton mbi anijet ose, më sakt, vihet në lëvizje nga më se 1,7 milionë detarë, të cilët punojnë ditë-natë mbi anijet në shtegtim, drejt atyre, që presin jetën! Prandaj - shkruajnë kardinali Peter Turkson, prefekt i dikasterit dhe imzot Bruno Duffè, sekretar i tij - i falënderojmë detarët, duke u shprehur mirënjohjen e  thellë, që shndërrohet në lutje.

Detarët nuk janë thjesht krahë pune

Në tekst del në pah edhe “kontradikta e thellë”, që ndjehet fort në botën e industrisë detare, “të globalizuar në kulm”, e cila mendon shumë për fitimin, por jo aq edhe për njohjen e të drejtave themelore të punonjësve, duke favorizuar “ndryshimet e ekuipazhit” e duke vënë në plan të parë një politikë të qartë, lidhur me vaksinimin. Dikasteri nuk i harron vështirësitë   e përballuara nga ata, që u bllokuan për shkak të Covid, e që mbetën  larg shtëpisë për 18 muaj. Ishin rreth 400 mijë njerëz, në shtator të vitit 2020.

Pandemia i detyroi detarët të punojnë shumë më tepër, duke ndikuar edhe  mbi jetën e përditshme të familjeve të tyre, duke krijuar izolim, vetmi, ndarje e ankth për të dashurit, mijëra kilometra larg strehëve të veta, njëherësh me paqartësinë për ardhmërinë”. Faktorë që e thelluan  stresin  fizik e psikologjik në bord të anijeve, shpesh edhe me pasoja tragjike. Ftojmë - shkruhet në mesazh - që anëtarët e ekuipazhit të mos shikohen thjesht si “krahë pune, por si njerëz, duke zbatuar kështu politika punësimi, të bazuara më shumë mbi dinjitetin njerëzor, sesa mbi fitimin”.

T’i jepet fund piraterisë

Duhet ndjekur me kujdes e vëmendje, pastaj, edhe fenomeni i piraterisë, në rritje, me pasoja të rënda dhune mbi ekuipazhin. Fenomen që vë në rrezik serioz shëndetin e edhe vetë jetën e punonjësve të detit, familjet e tyre e që dëmton rëndë edhe ekonominë. “U kërkojmë të gjitha qeverive  dhe organizatave ndërkombëtare - theksohet në mesazh - të gjejnë rrugëzgjidhje afatgjata kundër fenomenit të piraterisë, me vetëdijen se është e nevojshme të përballohet problemi themelor i pabarazisë në shpërndarjen e të mirave materiale ndërmjet vendeve e shfrytëzimit të burimeve natyrore”.

Të braktisur valë mbi valë

Por problemet e detarëve në shtegtim nuk mbarojnë këtu - kujtohet në mesazh - ka edhe shqetësime të tjera, si braktisja e anijeve me gjithë ekuipazhin e tyre. Ishin 40, anijet e papërdorura në vitin 2019, u bënë 85 në 2020-tën. Detarët detyrohen të jetojnë në kushte çnjerëzore, pa ujë të pijshëm, pa mjekime e pa mundësi për t’u rikthyer në atdhe. Eshtë në rënie - nënvizohet në mesazh -  numri i mbytjeve të anijeve dhe i aksidenteve detare, “por edhe një e vetme, është tepër”, posaçërisht kur detarët  plagosen, vdesin, humbasin në det, kriminalizohen padrejtësisht e burgosen për kohë të papërcaktuara. Situatë, që krijon dëshpërim në familje, që i lë fëmijët pa prindër e prindërit pa varr, ku të mund të lësh një lule, të derdhësh një lot e sidomos, të thuash një lutje”.

Apostuj besnikë

Mesazhi përfundon me një mendim drejtuar kapelanëve dhe vullnetarëve të “Yllit të Detit” që, në kohë pandemie, ishte gjithnjë në shërbim  të detarëve e të peshkatarëve. Të lutemi - ftohet -  “që të vijojnë të jenë apostuj besnikë  të misionit të kumtuar nga Ungjilli”, duke i treguar botës “fytyrën e Kishës, gjithnjë plot kujdes e dashuri pranë  këtyre njerëzve, pjesë e pandarë e popullit të Zotit”.

09 korrik 2021, 11:20