KENYA-ENVIRONMENT-POLLUTION KENYA-ENVIRONMENT-POLLUTION

Papa: Kemi nevojë për ekologji të gjithanshme njerëzore

Në tweetin e sotëm kushtuar Ditës botërore të ambientit, në faqen e tij të internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë, Papa shkruan: “Kemi nevojë për një ekologji integrale, që t’i shndërrojë stilet tona të jetës”.

R.SH. - Vatikan

Kemi nevojë për një ekologji njerëzore të gjithanshme, që t’i shndërrojë stilet tona të jetesës dhe marrëdhënien tonë me pasuritë e Tokës; e që të përfshijë jo vetëm çështjet ambientale, por njeriun në tërësinë e tij, duke iu përgjigjur britmës së të varfërve”. #WorldEnvironmentDay. Kështu Papa në faqen e internetit @Pontifex,  në tweetin e sotëm kushtuar Ditës botërore të ambientit.

Papa vijon t’i bëjë njerëzimit pyetjen: “Çfarë bote dëshirojmë t’u lëmë atyre, që do të vijnë pas nesh! Fëmijëve, që po rriten? Për çfarë qëllimi erdhëm në jetë? Pse punojmë e luftojmë? Pse kjo tokë ka nevojë për ne?”.  Ka nevojë, e të ngutshme! Sepse ambienti vijon të shkatërrohet! Breznitë e ardhshme, që do t’i gjykojnë paraardhësit lidhur me çështjet ambientale,  do të mund të arrijnë në përfundimin se gabuan, mbasi nuk dinin: nuk duhet t’ia lejojmë vetes të mbetemi në histori si brezni që dinte, por nuk u shqetësua fare për çka po i ndodhte para sysh! Natyra na dhuroi e vijon të na dhurojë, tani na takon ne ta shpëtojmë nga shkatërrimi i pashmagshëm. E kush do të paguajë për ambientin e shkatërruar?

Kemi nevojë, prandaj, për një ndryshim rrënjësor, një revolucion të vërtetë kulturor, shoqëror, ekonomik e politik, që ta kuptojmë se të mbrosh ambientin, do të thotë të mbrosh vetë jetën, t’i lësh trashëgim breznive që do të vijnë, një botë më të mirë. E kjo, sepse ndryshimi klimatik është real. Sa më shumë të presim,  aq më e vështirë do të jetë zgjidhja e problemit.

Kush i mëson fëmijët  për ta respektuar ambientin e për t’i dashur kafshët, ndoshta pa e ditë,  ndërton një ardhmëri më të mirë. Sepse unë jam vetvetja, plus ambienti: në se nuk e mbroj, nuk mbroj vetveten! Në një kohë kur asksuh nuk mund ta mohojë se ambienti vijon të shkatërrohet. Kemi nevojë, prandaj, për një vetëdije  ambientale, mbi baza globale. E kjo arrihet duke i edukuar njerëzit, që të mos besojnë në mitin e zhvillimit të pakufishëm, nëse nuk duan ta shikojnë të rrënuar, pa shpresë rindërtimi, strehën e tyre. E të zhdukura kafshë e bimë, në atë që për shekuj ishte kopshti i përbashkët. Çdo njeri jeton duke besuar se është qendra e botës. Pastaj, papritmas e kupton se kjo qendër mund edhe të rrënohet: e bashkë me të, edhe ai vetë!

E gjithë kjo na kujton se Papa nuk mjaftohet ta trajtojë me tweet-e këtë problem kaq të mprehtë: i ka kushtuar një Enciklikë të tërë:  “Laudato si’” - “Lëvduar qofsh”.

05 qershor 2021, 16:28