Të krishterë në Mosul, Irak Të krishterë në Mosul, Irak

Ndihmë për Kishën që vuan, 123 milion euro për të krishterët në vështirësi

Në Raportin vjetor rezultatet e ndihmës për bashkësitë e persekutuara dhe të varfra në gjithë botën. Presidenti Mantovano: “Mbi njëqind projekte të financuara nga bujaria në rritje”, pavarësisht nga pandemia. Një e treta e donacioneve shkon për Afrikën dhe për përballimin e pasojave të pandemisë së koronavirusit

R.SH. - Vatikan

Më shumë donacione, pavarësisht se në kohë krize serioze. Kjo është shenja pozitive, që del nga Raporti 2020 i Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. “Pandemia e ka keqësuar në mënyrë dramatike gjendjen e të krishterëve në shumë rajone të botës, ku ata, brenda një kohe të shkurtër, humbën punën, pagën dhe ushqimin. Edhe shumë meshtarë e rregulltarë nuk dinë si të sigurojnë jetesën”: kështu deklaron kreu ekzekutiv i Fondacionit ndërkombëtar, Thomas Heine-Geldern.

“Kriza ekonomike dhe shoqërore, lindur si pasojë e COVID-19”, i bën jehonë presidenti i Fondacionit për Italinë, Alfredo Mantovano, “na bëri të frikësohemi se mos pakësohen donacionet”. Por, frika u tregua e pabazë dhe bujaria e dashamirëve nuk vonoi. Nga zyrat e “Ndihmë për Kishën që vuan” në gjithë botën, janë mbledhur 122,7 milion euro për të krishterët e përndjekur dhe të varfër. Ofertat nga individë privatë, rritur me 16,4 milion euro, regjistruan një shtesë prej 15,4% krahasuar me vitin 2019.

Shpërndarja dhe qëllimet: Afrika e Azia në krye

Fondet janë përdorur kryesisht për projekte, informacione, mbështetje mediatike dhe organizime lutjesh, duke mbështetur 4.758 projekte individuale në 138 vende. Rreth një e treta (32.6%) e ndihmës së përgjithshme u caktua për në Afrikë, pohon Fondacioni papnor, ku ndryshe nga vitet e tjera, në të cilat përparësi iu dha Sirisë dhe Lindjes së Mesme, në qendër të vëmendjes ishte rajoni i Sahelit, në vështirësi, për shkak të shtimit të terrorizmit. Pandemia e ka bërë situatën e refugjatëve edhe më të vështirë dhe, në shumë raste, - shpjegon Raporti – “Kisha është i vetmi institucion, që ende i mbështet njerëzit”.

Një program i veçantë ndihme prej 4 milion eurosh është i destinuar për Libanin, i cili ka bashkësinë më të madhe të krishterë në Lindjen e Mesme. Vendi ka pësuar humbje serioze, veçanërisht pas shpërthimit të 4 gushtit 2020 në portin e Bejrutit. Rajoni tjetër me përparësi për Fondacionin papnor është Azia, në të cilën shkojnë 18% të donacioneve. Shumica e tyre - rreth 5,4 milion euro – janë caktuar për Indinë, lexohet në Raport, një kontinent veçanërisht i prekur nga pandemia. Këtu, në shumë raste, pakica e krishterë përjashtohet nga ndihma shtetërore. Në Pakistan, për shembull, Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan” u ka siguruar nevojat themelore të krishterëve, që kanë humbur punën, për shkak të koronavirusit.

Projektet e rindërtimit

Përsa i përket llojit të projekteve, ato janë kryesisht me natyrë rimëkëmbjeje. Në radhë të parë – lexohet në Raport – po ndërtohen 744 kisha, shtëpi famullitare, kuvende, seminare dhe qendra, të shkatërruara nga lufta e terrorizmi. Ndër vendet e kultit, katedralja maronite e Shën Elisë në qytetin sirian të Halebit, dëmtuar rëndë ndërmjet viteve 2012 dhe 2016. E konsiderueshme, edhe ndihma për meshtarët dhe seminaristët, një e teta e të cilëve, në gjithë botën, ka marrë ndihma nga Fondacioni për të studiuar dhe për të përballuar koston e jetesës në seminar. Kështu, Fondacioni ka ndihmuar rreth 14.000 meshtarë të ardhshëm.

18 qershor 2021, 16:39