"Parakleti na nxit për unitet, pajtim, harmoni në larmi" - Papa Françesku "Parakleti na nxit për unitet, pajtim, harmoni në larmi" - Papa Françesku

Mahnitja, adhurimi dhe sinodi

Fjalët e Papës në meshën për festën e Korpit e Gjakut të Krishtit (Corpus Domini) tregojnë burimin e çdo udhe të vërtetë kishtare

ANDREA TORNIELLI

“Nëse mungojnë mahnitja dhe adhurimi, nuk ka rrugë që na çon te Zoti. Nuk do të ketë as sinod, asgjë tjetër...”. Një frazë e shtuar pa letër në homelinë e meshës për festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit (Corpus Domini) thotë shumë për mënyrën me të cilën Papa e sheh “procesin”, që do të fillojë për sinodin e ardhshëm, si edhe rrugëtimet sinodale aktuale. E thotë gjithçka për gurrën e çdo udhe të vërtetë kishtare. Sepse, siç tha Françesku në homeli, “duhet të dalim nga dhoma e vogël e vetvetes dhe të hyjmë në hapësirën e madhe të mahnitjes e të adhurimit. E kjo na mungon shumë! Na mungon në lëvizjet, që bëjmë për t’u takuar, ribashkuar, për të menduar së bashku mbi baritorinë kishtare”.

Në një shënim të botuar në revistën “La Civiltà Cattolica” shtatorin e kaluar, Papa Françesku e pati bërë të qartë gjykimin e tij për një lloj mënyre trajtimi të çështjes së vjetër të “viri probati” dhe për propozimin e shugurimit të burrave të martuar, që doli nga Sinodi për Amazonën: “Pati diskutim… një diskutim i pasur… diskutim i bazuar mirë, por asnjë shoshitje, e cila është diçka tjetër nga arritja e konsensusit të mirë e të justifikuar, ose nga arritja e shumicës relative. Duhet ta kuptojmë se Sinodi është më shumë se një parlament dhe, në këtë rast të veçantë, ai nuk mund t’i shpëtonte kësaj dinamike. Lidhur me këtë temë kemi pasur një parlament të pasur, prodhimtar e madje, të nevojshëm, por jo më shumë se kaq”.

Pa mahnitjen (që ndodh me hirin e Tënzot e, natyrisht, jo me imponim), dhe pa adhurimin (e cila, edhe ajo, është pasojë, që s’duhet marrë si e mirëqenë), Kisha bëhet e kësaj bote dhe përfundon duke përfshirë kategori politike e ideologjike. Kështu, protagonisti nuk është më Ai, pa të cilin nuk mund të bëjmë asgjë, por janë strategjitë, taktikat, fishekzjarret e marketingut të komunikimit, grupet e presionit dhe konsorciumet me axhendat e tyre përkatëse, ndoshta me synime të kundërta, por të bashkuar nga mungesa e qëllimit të përbashkët. Është fjala për një shpërfytyrim, në një farë mënyre, më i rëndë se shumë “plagë” dhe mëkate të tjera, sepse e zbraz dhe e than nga brenda dinamikën e jetës kishtare, duke lënë në plan të parë jo dëgjimin e Shpirtit Shenjt, por projektet tona, efikasitetin e strukturave tona dhe planet tona të reformës. Një rrezik, nga i cili Pasardhësi i Pjetrit ka kohë që na paralajmëron.

Siç bëri edhe në homelinë e Rrëshajëve, kur kujtoi se “Parakleti afirmon primatin e së tërës. Shpirtit Shenjt i parapëlqen të veprojë dhe të sjellë risi në tërësi, në bashkësi... Sot, nëse e dëgjojmë Shpirtin, nuk do të përqendrohemi te konservatorët a progresistët, tradicionalistët a novatorët, të djathtët a të majtët: nëse këto janë kriteret, do të thotë që në Kishë harrohet Shpirti Shenjt. Parakleti na nxit për unitet, pajtim, harmoni në larmi. Na bën të shohim pjesë të të njëjtit Korp, jemi vëllezër dhe motra mes nesh. Le ta kërkojmë të tërën! E armiku dëshiron që larmia të shndërrohet në kundërvënie, prandaj, e kthen atë në ideologji”.

Nëse mungojnë mahnitja dhe adhurimi, nëse mungojnë dëgjimi i Shpirtit Shenjt dhe primati i tërësisë, i bashkimit, nuk do të kemi sinod, tha Ipeshkvi i Romës të dielën e kaluar. Maksimumi, do të kemi një parlament të mirë.

08 qershor 2021, 14:32