Kultivime në Bangladesh Kultivime në Bangladesh

Kardinali Parolin: modele të reja prodhimi kundër urisë në botë

Rishikimi i sistemeve ushqimore është thelbësor për qëndrueshmërinë e ambientit dhe për paqen. Ky ishte mendimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në takimin përfundimtar të një sërë uebinaresh, organizuar nga Selia e Shenjtë, në përgatitje për Samitin e ardhshëm të Kombeve të Bashkuara mbi Sistemet Ushqimore.

R.SH. - Vatikan

Përfundoi më 31 maj, seria e tre uebinarëve, organizuar nga Sekretaria e Shtetit e Selisë së Shenjtë, nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD dhe në Programin Ushqimor Botëror (WFP), nga Dikasteri për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor e nga Komisioni i Vatikanit COVID-19. Tema e nismës: “Ushqim për jetën, drejtësi ushqimore, ushqim për të gjithë”.

Objektivi

Frymëzuar nga Letra Enciklike “Laudato si’” e Papës Françesku, qëllimi i seminareve në internet ishte promovimi i ekologjisë së gjithanshme, kuptuar si paradigmë, që i konsideron sistemet shoqërore të lidhura me ekosistemet. Kjo është pikënisja për përtëritjen e sistemeve ushqimore në të ardhmen, pas pandemisë së koronavirusit, e cila, vitin e kaluar shkaktoi numrin më të lartë të njerëzve të paushqyer në botë, krahasuar me pesë vitet e fundit. Në takimin, që mbylli serinë e uebinareve, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin vuri në dukje nevojën e shndërrimit të sistemeve ushqimore, në mënyrë që të tregohet më tepër kujdes për ambientin, duke synuar çrrënjosjen e urisë, respektimin e dinjitetit njerëzor dhe shërbimin për të mirën e përbashkët.

Në përgatitje të Takimit botëror mbi sistemet ushqimore

Tre uebinarët filluan gjatë javës “Laudato si’” (16-24 maj). U dhanë zë grave, bashkësive autoktone, njerëzve që përjetojnë kriza, fermerëve të vegjël, në mënyrë që nga përvoja dhe nga urtia e tyre tradicionale të nxirren mësime për t’u propozuar në debate globale dhe në plane veprimi. Përfundimet e uebinarëve do të jenë kontributi i Kishës Katolike në reflektimin e bashkësisë ndërkombëtare, që ka dy çaste qendrore gjatë muajve të ardhshëm.

Në shtator, Takimi kushtuar sistemeve ushqimore do të zhvillohet në Nju Jork, në kuadrin e Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Por, më parë, nga 19 deri më 21 korrik, në Romë, do të mbahet i ashtuquajturi para-samit, kërkuar nga presidenca italiane e G20-ës. Kardinali Parolin, që mori pjesë në uebinarin e fundit, kërkoi veprime “konkrete, incizive, të matura” në nivel ndërkombëtar. Është e nevojshme, kujtoi ai, të rimendohen sistemet ushqimore për t’i bërë ato më rezistente, më solidare, më të afta për t’i bërë ballë pasigurisë ushqimore, duke vënë në qendër ekonomitë lokale.

02 qershor 2021, 13:17