Gazeta vatikanase L’Osservatore Romano kremton 160-vjetorin

Pesë botime të veçanta, me artikuj nga redaktorët e gazetave kryesore italiane dhe ndërkombëtare. Për herë të parë, meditimi javor mbi Ungjillin iu besohet grave. Kështu do ta kremtojë gazeta vatikanase L’Osservatore Romano 160-vjetorin e vet, i cili bie nesër, më 1 korrik. Sot, një videoklip i Papës Françesku

R.SH. - Vatikan

“Unë e lexoj atë çdo ditë dhe, kur nuk del të dielën, më mungon diçka”. Është Papa Françesku, ky që flet, duke iu referuar gazetës vatikanase “L'Osservatore Romano”, e cila, nesër, më 1 korrik, do të mbushë 160 vjeç. Në një videomesazh, që u bë i njohur sot, Ati i Shenjtë shton se pasioni i tij për “gazetën e partisë” - siç e quajti edhe në Engjëllin e djeshëm të Tënzot, në solemnitetin e Shën Pjetrit e Shën Palit - është i vjetër: “Edhe në Argjentinë e kam lexuar tërësisht botimin javor në gjuhën spanjolle, sepse e di që [gazeta] është lidhje me Selinë e Shenjtë, me magjisterin dhe me jetën e historinë e Kishës”. “E kur mbaron them, ‘sa keq, përfundoi”. Videomesazhi i Papës është marrë nga një intervistë e tij me Francesco Zippel, i cili po përgatit një dokumentar mbi historinë e gazetës L’Osservatore Romano.

Misioni i L’Osservatore Romano

Françesku, edhe më 2 qershor 2019, duke u kthyer me aeroplan nga Rumania, pati thënë: “Unë e lexoj gazetën e partisë e, edhe ju duhet, sepse është gazetë, që ofron çelësa për interpretim. Këtë mendoj se gjeni aty, në ato faqe”. Kështu, me dy fjalë, përmblidhet misioni, që ka kryer kjo “gazetë tejet e veçantë” (siç e përcaktoi kardinali Montini – Papa i ardhshëm Pali VI - në njëqindvjetorin e vitit 1961) për 160 vite me radhë: dokumenton mendimet, fjalët, veprat e Papës dhe të Selisë së Shenjtë dhe i jep lexuesit interpretimin e krishterë të realitetit historik dhe shpirtëror të kohës.

Faqja e parë e 15 majit 1891, kur u botua enciklika "Rerum Novarum" e Papës Leoni XIII
Faqja e parë e 15 majit 1891, kur u botua enciklika "Rerum Novarum" e Papës Leoni XIII

Pesë edicione “të veçanta”

Për të kremtuar 160-vjetorin, nga 1 deri më 5 korrik, gazeta “L'Osservatore Romano” del me pesë edicione “të veçanta”, që përurojnë një sërë nismash të planifikuara gjatë gjithë vitit. Redaksia nuk dëshiron të festojë të kaluarën e lavdishme, por sheh me interes drejt sfidave të së ardhmes, duke bërë pyetje si: a është e vërtetë që po përjetojmë një “ndryshim epokal”, si po ndryshon gazetaria dhe si duam që ajo të ndryshojë? A mund të jetë enciklika “Fratelli tutti” e Papës Françesku tregues për mënyrën e zhvillimit të një “gazetarie vëllazërimi”, përgjigje ndaj krizës pandemike? Këtyre pyetjeve u përgjigjen drejtorët e gazetave të ndryshme italiane dhe ndërkombëtare, në edicionet e këtyre ditëve. Drejtorët e El Pais dhe Le Monde, të Avvenire, Corriere della Sera dhe La Repubblica, Fohla de S.Paulo dhe Limes, La Semaine Africaine dhe Scarp de 'tennis nuk u tërhoqën para kësaj sfide dhe reflektuan, duke u përgjigjur në mënyrë konkrete, konstruktive.

Meditimi javor për Ungjillin u besohet pesë grave

E ndërsa feston, L'Osservatore Romano vazhdon programin e saj, duke integruar botimet në letër me ato dixhitale. Modernizimi i gazetës është përshpejtuar dy vitet e fundit, duke filluar nga 4 tetori i kaluar, kur, me rastin e publikimit të enciklikës “Fratelli tutti”, ajo u rinovua në përmbajtje, format dhe grafikë. Duke filluar që nesër, 1 korrik, fillon një fushatë promovuese abonimi si për gazetën ditore në italisht, ashtu edhe për botimet javore në gjashtë gjuhët kryesore, për një çmim simbolik prej 20 eurosh në vit. E po nesër, për herë të parë, rubrika e faqes kryesore, “Lajmi i Mirë” - meditim javor për Ungjillin e Dielës – u besohet firmave me autoritet të pesë grave eksperte të Biblës, disa prej të cilave tashmë janë bashkëpunëtore të dosjes “Gratë, Kisha, Bota”. E përmuajshmja femërore arriti në edicionin e 100-të, majin e sapokaluar dhe vazhdon aventurën e saj nën drejtimin e komitetit editorial të koordinuar nga Rita Pinci. Meditimet i fillon motër Maria Ignazia Angelini, abateshë në abacinë benediktine të Viboldone, e ndjekur nga Lucia Vantini, Rosalba Manes, Rosella Barzotti dhe motra Fulvia Sieni. Kështu e kremton 160-vjetorin gazeta e Vatikanit, me vështrimin drejt së ardhmes, e vetëdijshme për të kaluarën, gjatë së cilës i ka jetuar si protagoniste ngjarjet e vogla dhe të mëdha të historisë njerëzore.

30 qershor 2021, 16:13