Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj me Marinë”: Shën Rita e Cascia-s

Në meditimin e kardinalit Comastri, historia e Ritës nga Cascia, që jetoi një jetë vërtetësisht të krishterë. Reflektimi i Hirësisë së Tij është një nga 31 pjesët e emisionit, që po e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë gjithë majit, muajit të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R. SH. - Vatikan

Më 22 maj është festa liturgjike e Shën Ritës nga Cascia. E shenjtëruar në fillim të 1900-tës nga Leoni XIII, njihet nga të gjithë si shembull i durimit dhe e i përvujtërisë. Në gjurmët e Marisë! Shenjtorët - na kujton kardinali Comastri - janë modelet më të mira për t’u imituar, “sistem shenjash” që duhen ndjekur. Duhet t’i ndjekim, për të mësuar si duhet jetuar. E prej tyre edhe duhet të frymëzohemi. Lidhur me gëzimin e një jete të jetuar me fund, Comastri citon shkrimtarin bashkëkohor Luigi Santucci: “Kënaqesh më shumë kur je i panjollë, i përvujtë, bujar,  domethënë, kur  shkon me gëzim, ku të prin Zoti” – shkruan.

Kush ishte Shën Rita?

Shën Rita ishte bashkëshorte besnike, edhe pse e tradhuar! E aftë për të duruar keqtrajtimet më të padurueshme të bashkëshortit. Me një tip dashurie, deri në vetmohim, që po shkon gjithnjë më shumë drejt zhdukjes. Dashuri, sot e zëvendësuar nga “tekat” më të çuditshme, që as dëgjuar nuk ishin në kohën kur jetonte Shenjtorja e Trëndafilave. Ndër shembujt e jetëve të dështuara, kardinali Comastri kujton atë të artistit të famshëm John Lennon, që i pati kënduar gjithë jetën dashurisë, ndërsa rrënonte familjen e vet, tradhtonte gruan, braktiste fëmijët! Kur i vdiq gruaja parë, Cynthia Powell, në vitin 2015, i biri, Julian, i pati thënë: “I këndove dashurisë, fole për dashurinë, por nuk më dhurove kurrë asnjë shkëndijë të saj, mua, që jam yt bir!”. Kjo paaftësi për të dashur vijon të përhapet frikshëm në botën tonë. Në kundërshtim të plotë me jetën e Shën Ritës, që jetoi në kushte jashtëzakonisht të vështira familjare, një jetë me të vërtetë të krishterë, duke ushtruar virtytin e durimit e të mirëkuptimit, që i bëri një nga dhuratat më të çmuara: amësinë! Pas vrasjes së burrit, i fshehu rrobat e tij të gjakosura, nga frika se të bijtë do të merrnin hak! E, në sajë të lutjes, i fali gjaksorët, që të mos vijonte gjakderdhja. E si të mos i mjaftonte gjaku i të shoqit, pas tij humbi edhe djemtë. Atëhere iu kushtua krejtësisht Krishtit. Simboli i saj është trëndafili. Si trëndafil, Rita lulëzoi, pavarësisht nga gjembat, që ia helmuan jetën. Duke pëhapur parfumin e mirë të Krishtit e duke shkrirë dimrin e ngrirë të shumë zemrave. E, në shenjë mirënjohjeje, Zoti i dhuroi një nga plagët e veta në lule të ballit! Të bërë me një ferrë trëndafili!

23 maj 2021, 15:41