Papa përshëndet Patriarkun Suprem të Budistëve gjatë udhëtimit të tij apostolik në Tajlandë dhe Japoni (2019) Papa përshëndet Patriarkun Suprem të Budistëve gjatë udhëtimit të tij apostolik në Tajlandë dhe Japoni (2019)

Të krishterë e budistë në shërbim të njerëzimit

Në emër të Vatikanit, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot uron që festa e sotme e Vesakh-ut “të sjellë gëzim, qetësi dhe shpresë në zemrat e budistëve të mbarë botës”. "Pandemia e Covid-19 të forcojë lidhjet e miqësisë me budistët e t’i bashkojë ata me të krishterët në shërbimin për familjen njerëzore"

R.SH. - Vatikan

“Të dashur miq budistë”: që prej 26 vitesh, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar e fillon me këto fjalë mesazhin drejtuar budistëve në festën e Vesakh-ut, kremtimi më i rëndësishëm i tyre, që kujton ngjarjet kryesore të jetës së Budës, veçanërisht, lindjen, shndritjen dhe vdekjen e tij. Në emër të Vatikanit, kryetari i Këshillit, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot uron që kjo festë “të sjellë gëzim, qetësi dhe shpresë në zemrat e budistëve të mbarë botës”.

Pandemia dhe bashkëpunimi ndërmjet feve

Kardinali nuk harron të vërë në dukje se pandemia e koronavirusit, që ka përfshirë botën, i ka nxitur dhe i nxit ndjekësit e të gjitha feve të bashkëpunojnë për t’i shërbyer njerëzimit, me frymën e solidaritetit universal, ashtu siç kërkon Papa Françesku në enciklikën “Fratelli tutti”, pasi “askush s’mund të shpëtojë i vetëm”. “Jemi të thirrur – shkruhet në mesazhin për festën, që shumë tradita budiste e kremtojnë sot, më 26 maj - të zbulojmë dhe të zbatojmë solidaritetin, që përmbahet në traditat tona fetare përkatëse. Siç thotë Papa Françesku, në ‘tregime kaq të lashta, të pasura me simbolikë të thellë, përmbahej një bindje, që sot ndihet gjerësisht: gjithçka është e lidhur dhe kujdesi i mirëfilltë për jetën e për marrëdhëniet tona me natyrën është i pandashëm nga vëllazërimi, nga drejtësia e nga besnikëria ndaj të tjerëve’ (Papa Françesku, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes, 1 janar 2021)”.

Festa e Vesakh-ut, festë e dritës

Festa budiste e Vesakh-ut festohet gjithnjë në muajin hënor, që shkon nga një pjesë e prillit në maj. Tradita thotë se Gautama Buddha është lindur në një ditë me hënë të plotë, në muajin e Vesakh-ut, në vitin 623 para Krishtit. Njihet edhe si festë e dritës, për shkak të qirinjve, që mbushin tempujt budistë, ku besimtarët shkojnë për të kujtuar këshillat e Budës për jetën, duke ofruar lule, mirrë e qirinj, ndërsa murgjërit budistë thonë mantrat e tyre në publik e bekojnë njerëzit. Pikërisht mësimet e budizmit, i kujton edhe mesazhi i sotëm i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Mësimet budiste për solidaritet

“Mësimi budist mbi Brahmavihara (katër vendbanimet, ose virtytet qiellore) – shkruan kardinali Ayuso Guixot - na jep një mesazh gjithnjë të vlefshëm solidariteti dhe përkujdesjeje aktive. Duke folur për ‘mettā’ (mirësia e dashurisë), ai i nxit ndjekësit të kultivojnë dashuri të pakufishme për të gjithë… Duke ndjekur mësimin e Budës, mjekët inkurajohen të ‘nguten për të bërë punë të mira, duke u larguar nga e keqja, sepse ata që janë të ngadaltë kur duhet të bëjnë mirë, kanë prirjen për t’u kënaqur duke bërë keq’ (Dhammapada, 116)”.

Pandemia e forcoftë miqësinë

Pikërisht për këtë ngjashmëri me krishterimin në kujdesin për tjetrin, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar uron që pandemia e Covid-19 të forcojë lidhjet e miqësisë me budistët e t’i bashkojë ata me të krishterët në shërbimin për familjen njerëzore, duke përdorur – siç nënvizon Papa Françesku – “dialogun si rrugë, bashkëpunimin si qëndrim, njohjen e ndërsjellë si metodë e kriter”.

26 maj 2021, 12:05