Vatican News

Kardinali Parolin, Rojeve zvicerane: betim për të dhënë jetën për Pjetrin

Sot paradite, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke i paraprirë betimit të pasdites të Rojeve Zvicerane. Feja dhe forca shpirtërore: dy cilësi, që kardinali nxjerr në pah për shërbimin e rekrutëve të rinj në Kishë

R.SH. - Vatikan

Me betimin e sotëm, në Oborrin e Shën Damazit në Vatikan, 34 të rinj që do të bëhen anëtarë të Rojeve Zvicerane, në shërbim të Papës, do të deklarojnë vullnetin “që të japin jetën për Pjetrin”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi sot në mëngjes meshën, që i paraprin ceremonisë së betimit, e cila do të zhvillohet pasdite, në orën 17.00. Gjatë homelisë, ai uroi që betimi “të jetë udhë për t’u ndierë dishepuj misionarë të lidhur më ngushtë me Jezu Krishtin, ashtu si shën Pjetri, i pari ndër apostujt. Ju shoqërojmë me lutje – u tha kardinali – që kjo ditë të përfaqësojë një hap vendimtar për ‘të mbetur’ në Krishtin e për të qenë ‘misionarët’ e Tij”.

Ceremonia e betimit

 Si zakonisht, ceremonia e betimit të rojeve të reja zvicerane kremtohet sot, për të kujtuar 6 majin e vitit 1527, të cilin kardinali Parolin e përmendi në fillim të homelisë së mëngjesit, duke shpjeguar se në atë datë 147 roje zvicerane dhanë jetën për të mbrojtur Papën, gjatë Plaçkitjes së Romës nga lancikenekët. Para flamurit të komandantit, rojet e reja zvicerane, të veshura me uniformën e ngjarjeve të mëdha, do t'i premtojnë besnikërinë e tyre Pasardhësit të Shën Pjetrit, me formulën: “Betohem se do t’i shërbej me fe, me besnikëri e me nder Papës në fuqi dhe pasardhësve të tij të ligjshëm”. Ceremonia e betimit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të zhvillohet pa pjesëmarrës nga jashtë, por mund të ndiqet në internet. Përfaqësues i Papës Françesku në të, është Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Edgar Peña Parra. Në sheshin e Protomartirëve Romakë u vendos që dje një kurorë në kujtim të të rënëve në mbrojtje të Papës Klementi VII, në vitin 1527.

Të mbetemi në Krishtin

Në meshën e mëngjesit, kardinali Parolin komentoi leximet e ditës, duke e përqendruar vëmendjen në dy forca, që gurrojnë prej tyre: njëra centripete e tjetra centrifuge. Forca centripete, që do të thotë nga jashtë-brenda, nënvizoi ai duke reflektuar mbi Ungjillin sipas Gjonit, na kërkon shpirtërisht të përqendrohemi tek Jezu Krishti, të “mbetemi në Të”. Por ç’do të thotë kjo? Sekretari i Shtetit të Vatikanit përshkroi sjelljen e dishepujve në Ungjill, pasi u thirrën nga Jezusi, i cili i ftoi të shkonin e të shihnin. Ata shkuan, panë e pastaj, mbetën me Të.

“Kjo do të thotë se kaluan kohë në praninë e Tij, jo vetëm në publik, kur Jezusi shkoi të predikonte në sinagogë, ose t’u mësonte dhe të linte shenja ndërmjet njerëzve, por edhe gjatë pjesës tjetër të ditës. Të mbetesh do të thotë të banosh me Mësuesin, të ndash me të jetën private, shtëpinë, aspektet më intime dhe personale”.

Nga besimtarë, në dishepuj

 Jezusi, nënvizoi kardinali Parolin, na kërkon edhe sot të kthehemi nga besimtarë të thjeshtë në dishepuj të Krishtit, duke e vënë Atë në qendër të jetës sonë.

“Sepse Ai – theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - nuk dëshiron vetëm një pjesë të kohës, ose një pjesë të zemrës sonë, qoftë edhe ajo kryesore, por dëshiron të arrijë kudo dhe të rrezatojë me praninë e Tij marrëdhëniet, situatat, mendimet, shqetësimet, shpresat dhe emocionet. Me një fjalë, gjithçka”.

Kriteri i misionit

Vërtet, Zoti e ka për “specialitet” të vetin t’i japë kuptim e vlerë çdo gjëje, duke e shndërruar atë, vërejti kardinali Parolin. Duke kaluar më pas në forcën centrifuge, që shkon nga brenda-jashtë, Sekretari i Shtetit përdori leximin e parë liturgjik, marrë nga Veprat e Apostujve, ku përshkruhet Koncili i parë në histori, ai i Jeruzalemit. Aty, dishepujt e Krishtit diskutuan nëse ishte e drejtë që edhe të sapokthyerit në krishterim të ndiqnin Ligjin e Moisiut, ashtu siç pati bërë Jezusi e apostujt. Përgjigjja që gjetën përbën një kthesë profetike: “asnjë traditë, edhe ajo më e mira, nuk mund të jetë pengesë për kumtimin e të Ringjallurit”. Është kriteri i misionit, që zbatohet edhe sot, vërejti kardinali.

“Nuk do të thotë të nisemi drejt vendeve edhe më të largëta, por të japim dëshmi për Jezusin aty ku jemi, për të përhapur, me butësi, thjeshtësi dhe mbi të gjitha, përmes shembullit, praninë e Tij tek ata që takojmë dhe në vendet ku jetojmë”.

Bashkim dhe mision

Këto dy aspekte, “të mbetemi në Jezusin dhe ta kumtojmë Jezusin”, shpjegoi kardinali Parolin, mund të përmblidhen sot me dy fjalë të Koncilit II të Vatikanit: bashkim dhe mision. E duke u kujtuar rojeve të reja zvicerane se betimi i sotëm është një nga ato akte për t’u thënë “po” aspiratave më të larta, Sekretari i Shtetit të Vatikanit e përfundoi homelinë me urimin që ata të mbeten në Krishtin e të bëhen misionarë të Tij, ashtu si dishepujt e parë.

Ushtria më e vogël e botës

Themeluar nga Papa Juli II në vitin 1506, Rojet Zvicerane mbrojnë Papën. Aktualisht, udhëhiqen nga koloneli Christoph Graf (LU) e mbikqyrin hyrjen në Vatikan, kryejnë shërbimet e ruajtjes së rendit dhe të përfaqësimit gjatë ceremonive papnore e pritjeve shtetërore dhe mbrojnë Kolegjin e Kardinajve gjatë Selisë Vakante. Korpusi përfshin roje nga të gjitha zonat e Zvicrës, por shumica vijnë nga kantonet e Shën Gallen dhe Valais dhe nga kantoni i Lucernës. Në ceremoninë e sotme do të jenë të pranishme autoritete të larta shtetërore zvicerane.

06 maj 2021, 10:25