Kryqi i Ditëve Botërore të Rinisë Kryqi i Ditëve Botërore të Rinisë

DBR-ja dioqezane: përvojë e shtegtimit dhe e vëllazërimit universal

U paraqitën sot në Vatikan, Udhëzimet baritore për kremtimin e Ditës Botërore të Rinisë në Kishat e çdo vendi

R.SH. - Vatikan

“Një doracak, që paraqet arsyet ideale dhe zbatimet e mundshme praktike në mënyrë që DBR-ja dioqezane/heparkiale të bëhet rast për të nxjerrë në pah potencialin e së mirës, të bujarisë, të etjes për vlerat e vërteta dhe idealet e mëdha, që mbart çdo i ri”. Ky është objektivi i Udhëzimeve baritore për kremtimin e Ditës Botërore të Rinisë në Kishat e veçanta, dokument i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, paraqitur sot në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Solemniteti i Krishtit Mbret

Ftesa, që u drejtohet të gjitha dioqezave është ta kremtojnë Ditën Botërore të Rinisë në Solemnitetin e Krishtit Mbret. “Dëshira e Atit të Shenjtë është që, në këtë ditë, Kisha universale t’i vendosë të rinjtë në qendër të vëmendjes së saj baritore, të lutet për ta, të kryejë gjeste, që i bëjnë të rinjtë protagonistë, të promovojë fushata komunikimi”, thuhet në dokument. Siç dihet, ndërsa kremtimet ndërkombëtare të kësaj ngjarjeje mbahen, zakonisht, çdo tre vite, në vende të ndryshme, me pjesëmarrjen e Papës, kremtimi i Ditës në nivelin dioqezan, bëhet çdo vit, në Kishat e veçanta, që marrin përsipër ta organizojnë atë në mënyrë autonome.

Misioni me të rinjtë, përparësi

Është ngjarje, që ka “kuptim dhe vlerë të madhe jo vetëm për të rinjtë, të cilët jetojnë në atë rajon të veçantë, por për të gjithë bashkësinë kishtare lokale” vazhdon teksti i destinuar për Konferencat Ipeshkvnore, Sinodet e Kishave Patriarkale dhe Kryeipeshkvnore të Mëdha, dioqezat / heparkitë, lëvizjet kishtare dhe shoqatat, si edhe për të rinjtë nga e gjithë bota. “Këto Udhëzime baritore synojnë t’i inkurajojnë Kishat e veçanta të vlerësojnë gjithnjë e më shumë kremtimin dioqezan të Ditës Botërore të Rinisë dhe ta konsiderojnë atë një mundësi të përshtatshme për të planifikuar dhe zbatuar në mënyrë krijuese nisma, që tregojnë se Kisha e konsideron misionin e saj me të rinjtë një përparësi baritore epokale, për të cilën investon në kohë, energji dhe burime” nënvizohet në tekst.

Përvojë e Kishës dhe e misionit

Dokumenti rreshton më pas, pikat kryesore të DBR-së që ngjarja të jetë “festë e fesë”, “përvojë kishtare e, njëkohësisht, edhe misionare, mundësi për shoshitjen e thirrjeve dhe thirrje për shenjtëri. Përveç kësaj, Dita e Rinisë duhet të jetë edhe përvojë shtegtimi e vëllazërimi universal”. Në Udhëzimet baritore këshillohet që gjatë Ditëve të tyre, të rinjtë ta përjetojnë bashkimin me Kishën, sidomos të dëgjohen.

“Të ftuar të veçantë”

DBR-ja në nivelin dioqezan, vërehet në dokument, “mund të jetë rast i mirë për të nxjerrë në pah pasurinë e Kishës lokale”. “Të gjithë duhet të ndihen të ftuar të veçantë, të gjithë duhet të ndihen të mirëpritur dhe të dashur, në unicitetin e në pasurinë e tyre njerëzore dhe shpirtërore të papërsëritshme”. Kjo ngjarje, përfundon dokumenti, është mundësi për gjithë ata të rinj, që nuk e kanë gjetur akoma vendin e tyre në Kishë, por janë në kërkim të Zotit.

18 maj 2021, 13:53