Ambasadorja e BE-së në Selinë e Shenjtë, Alexandra Valkenburg-Roelofs Ambasadorja e BE-së në Selinë e Shenjtë, Alexandra Valkenburg-Roelofs

50-vjetori i marrëdhënieve BE-Seli e Shenjtë: një kishë për çdo shtet

Nisma “Iter Europaeum” synon të kremtojë 50-vjetorin e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bashkimit Evropian. Ambasadorja Alexandra Valkenburg-Roelofs shpjegon konceptin e kësaj “shtegtimi evropian të Kishave në Romë”.

R.SH. - Vatikan

Një shtegtim feje për të kremtuar gjysmë shekullin e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bashkimit Evropian. Kjo është nisma “Iter europaeum”, projekt i Delegacionit të BE-së, në bashkëpunim me ambasadat e vendeve anëtare të akredituara në Selinë e Shenjtë, që do të fillojë më 9 maj në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, me një meshë të kremtuar, në mesditë, nga kardinali Angelo De Donatis, vikar i përgjithshëm i Papës për dioqezën e Romës.

Projekti “Iter Europaeum”

“Për këtë shtegtim, secili nga vendet ka zgjedhur një kishë, me të cilën është veçanërisht i lidhur për arsye historike, ose pse e frekuenton bashkësia e vet kombëtare, që banon në Romë – shpjegojnë promovuesit në një notë për shtyp. - Fillimi i nismës do të përkojë me Ditën e Evropës, që kremtohet çdo vit më 9 maj dhe i kushtohet Robert Schuman-it, protagonistit kryesor të marrëveshjes, që çoi në themelimin e Komuniteteve Evropiane në vitin 1957”.

“Iter Europaeum” do të vazhdojë deri më 27 qershor 2021. Çdo të diel, në kishat kombëtare të çdo vendi evropian, do të ketë kremtime liturgjike, koncerte dhe vizita. Në çdo kishë, vizitorët do të gjejnë shtylla totem, që shpjegojnë historinë e marrëdhënieve ndërmjet shtetit anëtar të BE-së dhe Selisë së Shenjtë, por edhe lidhjet e atij populli evropian me kishën e zgjedhur.

Ambasadorja e BE-së: meshët me të ftuar

Ambasadorja e BE-së në Selinë e Shenjtë, Alexandra Valkenburg-Roelofs, shpjegoi për Radio Vatikanin - Vatican News, se në Romë, ka së paku një kishë me lidhje të forta me pothuajse çdo shtet anëtar të BE-së. Të vetmet, që nuk e kanë, janë Danimarka dhe Estonia, të cilat i referohen asaj që quhet “Kisha Evropiane” e që ka të bëjë me marrëdhëniet me Karlin e Madh. Ambasadorja tregoi se është përpiluar edhe një udhërrëfyes, që mund të gjendet në internet (këtu). Për shkak të pandemisë së Covid-19, të dielave, meshët do të kremtohen vetëm me të ftuar, por të gjithë besimtarët e vizitorët e Romës, mund ta ndjekin këtë shtegtim në ditë të tjera, sipas dëshirës.

Ditët dhe kishat

9 maj – mesha në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, pasuar nga vizita në Bazilikën e Santi Quattro Coronati, në atë të shën Klementit, zgjedhur nga Republika Çeke dhe nga vizita në Bazilikën e Shën Shtjefnit Rotondo në Celio, zgjedhur nga Hungaria. Pastaj:

16 Maj
Portugalia - Sant’Antonio dei Portoghesi (Shn’Andou i Portugezëve)
Rumania - San Salvatore alle Coppelle (Shëlbuesi i Shenjtë në Kopele)
Franca - San Luigi dei Francesi (Shën Luigji i Francezëve)

23 Maj
Qipro dhe Greqia – San Teodoro in Palatino (Shën Teodori në Palatin)
Spanja - San Pietro in Montorio (Shën Pjetri në Montorio)
Malta - Santa Maria del Priorato (Shën Maria e Prioratit)

30 Maj
Kroacia - San Girolamo dei Croati (Shën Jeronimi i Kroatëve)
Irlanda - Sant’Isidoro a Capo le Case (Shën Izidori në Capo le Case)
Gjermania - Chiesa Evangelica Luterana (Kisha Ungjillore Luterane)

6 Qershor
Polonia - Santo Stanislao dei Polacchi (Shën Stanislau i Polakëve)
Lituania - Chiesa del Gesù (Kisha e Jezusit)
Finlanda - Santa Maria sopra Minerva (Shën Maria mbi Minervë)

13 Qershor
Bullgaria - San Paolo alla Regola (Shën Pali në Regola)
Belgjika - San Giuliano dei Fiamminghi (Shën Juliani i Fiamingëve)
Suedia - Santa Brigida (Shën Brigjida)
Austria - Santa Maria dell’Anima (Shën Maria e rrugës Anima)

20 Qershor
Italia - Santa Maria degli Angeli (Shën Maria e Engjëjve)
Luksemburgu - Sacro Cuore di Gesù (Zemra e Krishtit)
Sllovenia - Santa Maria Maggiore (Shën Maria e Madhe)

27 Qershor
Bashkimi Evropian, Danimarka, Estonia - Campo Santo Teutonico (Varrezat Teutonike)
Hollanda - Santi Michele e Magno (Shenjtorët Mikeli i Manjo)
Sllovakia - Pontificio collegio Slovacco dei Santi Cirillo e Metodi (Kolegji papnor Sllovak i Shën Cirilit e Metodit)

04 maj 2021, 16:38