Giuda bacia Gesu Giuda bacia Gesu

Tradhtia e Judës, “vëllai ynë” - në homelinë e don Primo Mazzolarit

Apostulli, që e tradhton Jezusin, është një nga protagonistët e së Enjtes së Madhe. Homelia, tejet aktuale e don Primos Mazzolari, është cituar disa herë nga Papa Françesku.

R.SH. - Vatikan

Është një nga protagonistët e Darkës së Mbrame të Jezusit me apostuj, ngjarje që përkujtohet të Enjten e Madhe të Pashkëe, Juda Iskariot. Tradhtari. Ai, që e shiti Krishtin për tridhjetë aspra, por që Zoti Jezus, megjithatë, e thërret “mik”. E protagonist është edhe në njërën nga homelitë, të cilën don Primo Mazzolari, famullitar i Bozzolos, pararendës i Koncilit II të Vatikanit, e pati mbajtur më 3 prill 1958, të Enjten e Madhe, kushtuar pikërisht “Judës, tradhtarit”. Homeli, të cilën Papa Françesku e ka cituar  më se një herë.

Papa: Zoti i kthehftë Judat e sotëm, mafiozët, fajdexhinjtë, që shfytëzojnë nevojtarin

“Qyqari Judë  -  me këto fjalë e pati nisur  homelinë don Primo Mazzolari - Zoti e di çka  ndjeu në shpirt në atë çast aq tragjik. Është një nga personazhet më misterioze, që takojmë gjatë Mundimeve të Krishtit. Nuk do të mundohem të jap ndonjë shpjegim. Vështirë të shpjegoj. Po mjaftohem, prandaj, të kërkoj pakëz mëshirë për vëllain tonë të varfër, Judën. Mos kini turp ta quani vëlla. Unë nuk turpërohem, sepse e di sa herë e tradhtova Zotin; e besoj se asnjë prej jush nuk duhet të turpërohet prej tij.  Pa harruar se duke e quajtur vëlla, ne flasim pikërisht me gjuhën e Zotit. Kur mori puthjen e tradhtisë, në Gjetseman, Zoti shqiptoi këto fjalë, që nuk duhet t’i harrojmë: “Mik, me një puthje po e tradhton Birin e njeriut?”.

“Mik!” Kjo fjalë - pati vijuar dom Primo Mazzolari -  përplot me ëmbëlsinë e pafundme  të  dashurisë së Zotit, na lë të kuptojmë  pse Zoti e quajti  në këtë çast vëlla pikërisht tradhtarin.  Kishte thënë në Çenakull: “Nuk do t’ju thërras më shërbëtorë, por miq”. Sepse Apostujt  u bënë vërtet miq të Zotit: të mirë a jo, të fisëm a jo, besnikë a jo, mbetën gjithnjë miq. Ne mund ta tradhtojmë miqësinë e Krishtit, por Krishti nuk na tradhton kurrë ne, miqtë e tij! Edhe kur nuk e meritojmë, edhe kur ngremë krye kundër Tij! Edhe kur e mohojmë, para syve të Tij e para zemrës së Tij, ne mbetemi gjithnjë miqtë e Zotit. E Juda është mik i Zotit edhe në çastin e puthjes më tradhtare, që pa ndonjëherë kjo botë: në çastin kur e shiti Mësuesin për tridhjetë aspra”.

Pasi pati kujtuar fundin  e dëshpëruar e tragjik  të apostullit tradhtar, dom Primo Mazzolari pati përfunduar me fjalët: “Më falni nëse në këtë mbrëmje, që duhet të ishte plot intimitet,  u mora me kujtime kaq të dhimbshme, por më duhet të pranoj se e dua fort edhe Judën, tim vëlla. Do të lutem për të edhe sonte, sepse unë nuk gjykoj! Nuk dënoj! Duhet të dënoj veten më parë. E nuk mund të mos mendoj se mëshira e Zotit, se  fjala mik, që tha Zoti ndërsa dishepulli po e puthte, për ta tradhtuar, nuk mund të mendoj, pra, se  kjo fjalë nuk pati  depërtuar në zemrën e tij të shkretë.

E ndoshta, pikërisht në çastin e fundit, duke kujtuar këtë fjalë  e edhe pranimin e puthjes,  Juda mund të ketë ndjerë se Zoti e donte akoma dhe e priste ndërmjet të tijve, atje, lart. Ishte ndoshta apostulli i parë që hyri ndërmjet dy hajdutëve. Një kortezh, që sigurisht nuk i bënte nder Birit të Zotit, siç mund ta konceptojë ndokush, por që  nxjerr në pah madhështinë e pashoqe të mëshirës së Tij.

“E tani, para se të vijoj Meshën, duke përsëritur gjestin e Krishtit në Darkën e Mbrame, domethënë duke ua larë fëmijëve tanë, që përfaqësojnë Apostujt e Zotit mes nesh, e duke ua puthur këmbkat e tyre të pafajshme, “më lejoni të mendoj një çast për Judën, që e kam brenda vetes; Judën, që ndoshta, e keni në shpirt edhe ju”! E më lejoni t’i kërkoj Krishtit, Krishtit ndër grahma, Krishtit, që më pranon ashtu si jam, më lini, pra,  t’i kërkoj, si hir Pashkësh, të më quajë mik”.

01 prill 2021, 14:38