A member of Iraqi security forces walks at Ibn Khatib hospital after a fire caused by an oxygen tank explosion in Baghdad A member of Iraqi security forces walks at Ibn Khatib hospital after a fire caused by an oxygen tank explosion in Baghdad

Dhimbja e kardinalit Sako për zjarrin e rënë në spitalin në Irak

Shtohet numri i të vdekurve për shkak të zjarrit të rënë në zonën Covid-19 të spitalit Ibn Khatib të Bagdadit, ndërsa vijojnë edhe manifestimet në sheshet e kryeqytetit irakian si dhe në qytete të tjera. Njerëzit janë thellësisht të pakënaqur nga gjendja në spitale e jo vetëm, kujton kardinali Sako, i cili nënvizon, më pas, shpresën që lind nga fakti se Iraku vijon të jetë gjithnjë në mendjen e Papës, gjë që e tregon kujtimi në lutjet e Mbretëreshës Qiellor

R.SH. - Vatikan

Mijëra njerëz vërshuan në udhët e Bagdadit e të qyteteve të tjera të Irakut qendror e jugor, pas vdekjes së 90 vetëve gjatë zjarrit të rënë  aksidentalisht të dielën paradite në spitalin Ibn Khatib të kryeqytetit. Më se 100 të plagosur, disa nga të cilët tepër rëndë. Posaçërisht flitet për plasjen e një bombole oksigjeni në repartin e terapisë intensive të zonës për të sëmurët nga Covid-19.

Protestat shtohen në të gjitha zonat ku që prej dy vjetëve vijojnë manifestimet popullore kundër shtrenjtësisë së jetesës dhe korrupsionit. Pas ngjarjes së spitalit, Ministri i shëndetësisë, Hassan Tamini, u shkarkua nga detyra. E pikërisht dje, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku i shprehu Irakut afërsinë e tij në lutje. Folëm në telefon me kardinalin Luis Raphael Sako, patriark i Babilonisë së Kaldejve. Hirësia e Tij shprehu dhimbjen për atë që ndodhi dhe nënvizoi se është e nevojshme  të merren masa në strukturat e vendit, duke u kujdesur për mirëmbajtjen e tyre.

Kardinali Sako e përshkruan ngjarjen si tragjedi tronditëse, si për numrin e madh të të vdekurve, ashtu edhe pse e gjithë kjo ndodhi në një spital, ku njerëzit  shkojnë për t’u mjekuar, e jo për t’u djegur të gjallë. E pastaj kardinali i Babilonisë së Kaldejve nënvizon, përveç dhimbjes, edhe pakënaqësinë. Kujton se në vend kanë ardhur shumë ndihma e edhe se bëhet fjalë për një shtet që ka shumë pasuri, duke nisur nga nafta. Ndaj nuk mund të mos lindë pyetja për përgjegjësinë dhe përgjegjësit e kësaj që ndodhi.

Afërsia e Papës ngjall shpresa

Kardinali Sako nënvizon sa e madhe është lutja e edhe afërsia e Papës Françesku, gjë që u ndje fuqimisht dje gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore. Është ende e gjallë jehona e vizitës që i bëri Papa vendit. Njerëzit vijojnë të kujtojnë thjeshtësinë e tij, përvujtërinë, dashurinë e mesazhet e pasura e të thella që na la, pa harruar se Françesku vijon të lutet për Irakun. Solidariteti i Papës - pohoi - është ndihmë e madhe për popullin irakian.

Dora e shtrirë e Kishës, për familjet e prekura

Kardinali Sako tregon se ka vënë në dispozicion të familjarëve të viktimave 10 mijë dollarë, duke shpjeguar se janë thjesht shenjë afërsie e simbol i vëmendjes së Kishës.

27 prill 2021, 09:51