Darka e Mbrame: Eukaristia, dhuratë e madhe për njerëzimin në pandemi

Në ditën, që kujtojmë themelimin e Eukaristisë e të meshtarisë nga Jezu Krishti në Darkën e Mbrame, kardinali Giovanni Battista Re, i cili kryesoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, e fton njerëzimin t’i lartojë Zotit një lutje korale për fundin e pandemisë, ashtu siç do të bënte gjatë adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament gjatë natës pa gjumë të së Enjtes së Madhe, traditë që nuk mund të ndiqet pikërisht për shkak të koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Ishte kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit Kardinalor, ai që kremtoi sot pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, meshën e Darkës së Mbrame, e cila kujton mbrëmjen, në të cilën Jezu Krishti, i rrethuar nga aspotujt në Çenakull, themeloi Eukaristinë dhe meshtarinë dhe u dha të gjithëve urdhërimin e dashurisë.

Për shkak të emergjencës shëndetësore, gjatë meshës nuk u bë larja e këmbëve, karakteristike e kësaj dite, që imiton gjestin e Krishtit në Ungjill, kryer për ndjekësit e vet. Zakonisht, Papa Françesku e kremtonte këtë meshë në një nga periferitë ekzistenciale, duke u larë këmbët më të fundmëve të kësaj bote. Pandemia e ndryshoi përkohësisht këtë traditë.

Eukaristia, dhuratë e Krishtit për Kishën

Ungjilli i sotëm vë në dukje se Jezusi i deshi të vetët deri në fund e kardinali Re komentoi se e Enjtja e Madhe na kujton pikërisht sa shumë na deshi Zoti. Pikërisht nesër, të Premten e Madhe, do të kujtojmë kryqëzimin e Birit të Hyjit për shëlbimin e shumë vetëve, flijimin e dhurimin e tij për gjithë botën.

“Ekzistenca e Eukaristisë – pohoi kardinali – na shpjegon se Krishti na deshi e dëshiroi të bëhej i afërt me secilin prej nesh për gjithë shekujt, deri në fund të botës. Vetëm Zoti mund të mendonte për një dhuratë kaq të madhe e vetëm një pushtet e një dashuri e pafundme mund ta vinin atë në jetë”.

Eukaristia duhet jetuar nga çdo i krishterë

Kisha, vijoi më tej dekani i Kolegjit Kardinalor, e ka konsideruar gjithnjë Sakramentin e Eukaristisë si dhuratën më të çmuar, me të cilën është pasuruar. “Është dhurata me të cilën Krishti ecën me ne si dritë, si forcë, si ushqim, si mbështetje në të gjitha ditët e historisë”. Kardinali përmendi Koncilin II të Vatikanit, që theksoi me forcë se Eukaristia është qendra e veprimtarisë së Kishës, zemra e jetës së saj. Prandaj, duhet të jetë e tillë për çdo të krishterë.

“Eukaristia – nënvizoi ai - është thirrje për t’ua hapur zemrën të tjerëve, për dashurinë vëllazërore, për të mësuar të falim dhe për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në vështirësi; është ftesë për solidaritet, për të mbështetur njëri-tjetrin, për të mos braktisur askënd; është thirrje për impenjimin e zellshëm në favor të të varfërve, të të vuajturve, të të braktisurve; është dritë për të njohur fytyrën e Krishtit në fytyrën e vëllezërve, sidomos në fytyrën e të plagosurve nga jeta e të nevojtarëve”.

Misteri i themelimit të meshtarisë

Më pas, kardinali Re u përqendrua në misterin e dytë, që kundrojmë në meshën e Darkës së Mbrame, atë të themelimit të meshtarisë. Krishti u tha apostujve të kremtonin Eukaristinë në përkujtim të tij e tri ditë më vonë, në mbrëmjen e së Dielës së Pashkëve u tha edhe: “Merrni Shpirtin Shenjt: ata, të cilëve do t’u zgjidhni mëkatet, do t’u falen”. Në këtë mënyrë, ai e rrezatoi pushtetin meshtarak mbi ndjekësit e tij. Vitet e kaluara, E Enjtja e Madhe kalohej pa gjumë, në adhurim të të Shenjtnueshmit Sakrament gjatë gjithë natës, por këtë vit, pandemia e ka kufizuar edhe traditën. Gjithsesi, nënvizoi kardinali Re, kjo nuk na pengon që të vijojmë të lutemi nëpër shtëpitë tona.

Nga Krishti, vijoi kardinali, “që përjetoi në korp e në shpirt vuajtjen fizike dhe vetminë, duhet të marrim forcën për të cilën kemi nevojë, tani më shumë se kurrë, për t’u bërë ballë sfidave të kësaj pandemie, që shkakton mijëra viktima, çdo ditë, në të gjithë planetin. Kemi provuar në mënyrë universale se një virus i vogël mund ta gjunjëzojë krejt botën. Që kjo dramë të marrë fund, duhet të përdorim të gjitha mjetet njerëzore, që na vë në dispozicion shkenca, por duhet bërë edhe një hap tjetër i pazëvendësueshëm: duhet t’i lartojmë Zotit një lutje të madhe korale që dora e Atij të Lumit të na vijë në ndihmë dhe t’i japë fund kësaj situate tragjike, e cila ka pasoja shqetësuese në fushën e shëndetësisë, të punës, të ekonomisë, arsimit dhe në marrëdhëniet e drejtpërdrejta me njerëzit. Siç na mëson vetë Krishti, është e nevojshme të shkojmë dhe të trokasim fort në portën e Zotit, Atit të Gjithpushtetshëm”.

Tradhtia e Judës, si mëkatet tona

Së fundi, kardinali Re vuri në dukje se e Enjtja e Madhe kujton edhe tradhtinë e Judës. Kjo tradhti vazhdon edhe sot, përmes mëkateve tona. Prandaj, është koha për të vënë pak rend në jetën tonë, duke u nisur për udhën e pendesës e të përtëritjes shpirtërore, në mënyrë që të fitojmë faljen prej Zotit.

01 prill 2021, 19:00