2019.08.08 Comunità di Sant'Egidio 2019.08.08 Comunità di Sant'Egidio 

Papa: ta ndihmojmë tjetrin ta ndiejё dashurinё e Zotit

Papa: "Në këtë kontekst të pasigurisë së madhe për të nesërmen, me bamirësinë tonë tё ofrojmë një fjalë feje dhe tё bëjmë qё tjetri ta ndiejë se Zoti e do si bir. #Kreshmёt". Shën Jakobit, në Letrën e tij, shkruan: “Sikurse trupi pa shpirt është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra është e vdekur” (2,26).

R.SH. - Vatikan

"Në këtë kontekst të pasigurisë së madhe për të nesërmen, me bamirësinë tonë tё ofrojmë një fjalë feje dhe tё bëjmë qё tjetri ta ndiejë se Zoti e do si bir. #Kreshmёt". Kёshtu shkruan Papa nё njё tweet, sot mё 16 mars 2021, botuar nё faqen @Pontifex.

Bamirësia,  pasqyrim i dashurisë së Krishtit për njeriun

Bamirësia e ushqen, e bën të frytshme dhe të besueshme dritën e fesë. Jetës pa bamirësi, i mungon drita e vërtetë, prandaj Kisha na mёson se feja dhe bamirësia nuk mund të ndahen. Nënvizohet, kështu, një aspekt i rëndësishëm i jetës së krishterë, i jetës së burrave të fesë e grave të fesë, që i kushtohen me gjithë zemër të tjerëve, në të mira e në të vështira. Nuk është fjala thjesht për shpirtmirësi: është ftesë për një impenjim të gjithanshëm. Shën Jakobit, në Letrën e tij, shkruan: “Sikurse trupi pa shpirt është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra është e vdekur” (2,26).  Jakobi vë theksin mbi lidhjen rrjedhimore ndërmjet fesë e veprave (Jak 2,2-4).

Për një jetë të shëndetshme shpirtërore, është e nevojshme të rrish larg si nga feja pa vepra, ashtu edhe nga aktivizmi moralist.  Kur Kisha flet për lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet fesë dhe dashurisë së krishterë, na fton si besimtarët t’i shikojnë veprat e bamirëse, si pasqyrim tё dashurisë së Krishtit për njeriun. “Ne e njohëm dashurinë, që ka Hyji për ne, dhe i besuam asaj” (1 Gjn,4,16).

I krishteri nuk e do të afërmin, sepse është i mirë e solidar në përgjithësi, por sepse e ka provuar në vetvete dashurinë e Krishtit e pikërisht këtë dashuri ua kumton të tjerëve. Kisha sqaron gjithmonë lidhjen e ngushtë të fesë me bamirësinë dhe nevojën që asnjëra të mos dalë mbi tjetrën. Çështja në fjalë nuk është e re: u trajtua nga Shën Pali dhe Papёt e riaktualizuan. Feja e dashuria e krishterë, janë virtyte të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme e është jashtë mendsh t’i shikosh duke iu kundërvënë njëra-tjetrës, t’i shikosh me syrin e ‘dialektikës’ siç ngjet nganjëherë, kur ekziston prirja për ta shpjeguar termin ‘dashuri e krishterë’, si solidaritet ose, thjesht, si ndihmë humanitare.

I krishteri, e posaçërisht “veprimtari i bamirësisë”, është njeri i pushtuar nga dashuria e Jezu Krishtit e prandaj ia hap zemrën në mënyrë konkrete e të thellë të afërmit. Natyrën e kësaj dashurie na ndihmon tё kuptojmё një shprehje e njohur figurative: jeta e krishterë, është ngjitje e vazhdueshme mbi malin e takimit me Hyjin, për të rizbritur, pastaj, duke sjellë me vete dashurinë dhe forcën, që rrjedhin prej saj, për t’u shërbyer vëllezërve e motrave tona, me të njëjtën dashuri, që ka Zoti për ne.

Mbi këtë bazë kuptohet mirë se, për një të krishterë, bamirësia më e madhe duhet të jetë dëshmia e dashurisë konkrete, me vepra e fjalё, domethënë, shërbimi ndaj Fjalës së Zotit dhe mishёrimi saj. Ashtu si çdo i krishterë e di mirë se veprat më të mëdha të dashurisë, nuk janë aq përpjekjet e tij për të sjellë fryt, sa nisma shëlbuese, që vjen nga Hyji, nga Hiri i Tij. E kjo, nuk e cenon aspak lirinë dhe përgjegjësinë tonë, përkundrazi, e bën më të vërtetë dhe e orienton drejt veprave të bamirësisë. Si përfundim, mos tё harrojmë se feja pa vepra është si pema pa kokrra: në se e para të bën ta njohësh të vërtetën e Krishtit, si dashuri e mishëruar dhe e kryqëzuar, e dyta të bën të hysh në këtë dashuri e të shtyn ta dhurosh plotësisht vetveten

16 mars 2021, 11:21