Papa Françesku gjatë një audience të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit Papa Françesku gjatë një audience të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit

Me zemrën e atit

Në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, një rubrikë mujore kushtuar Letrës së Papës Françesku “Patris Corde” mbi Shën Jozefin. Një kontribut reflektimi dhe thellimi mbi figurën e Fatit të Marisë dhe mbi atësinë në përgjithësi.

R.SH. - Vatikan

Kur lexuam Letrën e Papës Françesku “Patris Corde”, pyetëm veten si gazetarë të Vatikanit, si mund ta vlerësonim atë, që jo vetëm kremton një përvjetor të rëndësishëm siç është 150-vjetori i shpalljes së Shën Jozefit Pajtor i Kishës Universale, por lidhet edhe me një vit të veçantë kushtuar figurës së Fatit të Shën Marisë, prandaj, përvijon një udhë, të cilën jemi të ftuar ta vazhdojmë. Teksti i kësaj Letre është sa i shkurtër, aq edhe i thellë, ashtu siç ndodh edhe në Ungjij me figurën e Jozefit, të cilit i kushtohen pak fjalë, por secila prej tyre është e çmuar dhe e frytshme. Duke lexuar “Jozefin sipas Françeskut”, zemra hapet e njëkohësisht, zgjerohet edhe këndvështrimi ndaj atësisë në përgjithësi, që kurrë nuk ka qenë kaq në krizë sa sot, prandaj, ka nevojë të ri-kuptohet e të ripohohet.

 Na u duk se një rubrikë mujore, pra, me ritëm të ngadaltë në një botë, që vrapon gjithnjë e më shpejt, duke mos i shijuar deri në fund gjërat, mund t’i përgjigjej kësaj nevoje. Një rubrikë, që do të publikohet në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano” e që synon të jetë një kontribut sado i vogël për të reflektuar e për t’u thelluar në gjithçka dëshiron të na komunikojë Papa Françesku, me zemrën e një ati. Gjithsesi, ky takim mujor nuk do të karakterizohet nga ndonjë analizë erudite, e specializuar, përkundrazi, meditimi i Papës mbi Shën Jozefin do të ndërthuret me jetën konkrete të njerëzve, do të lidhet me gëzimet dhe vështirësitë e baballarëve e bijve, por edhe të nënave, sepse nuk mund të ketë atësi pa bij, as atësi pa amësi.

Në vazhdën e takimeve të rubrikës, gazeta do të udhëhiqet nga teksti i “Patris Corde”, në përpjekjen për ta bërë “Jozefin e Nazaretit të dialogojë” me baballarët e kohës sonë. Kështu, çdo muaj, - duke filluar nga prilli e deri në tetor – do të ripropozohet teksti i çdo kapitulli, i plotë, ose me fragmente. Dje, për fillimin e rubrikës, gazeta “L’Osservatore Romano” propozoi hyrjen e Letrës.

Vetë titujt e kapitujve do t’i japin rubrikës drejtimin e reflektimit. “Jeta është krahasim fjalësh”, lexohet në një fragment nga “Promessi Sposi” i Manzoni-t, libër tejet i dashur për Papën Françesku. Në një farë mënyre, dëshmitë - përmes artikujve dhe intervistave - që do të botohen në gazetën vatikanase, janë pikërisht shenjë e asaj jete, që mund të krahasohet e madje, “i verifikon” fjalët e shkruara në “Patris Corde”. Pra, një këndvështrim i ri për leximin, ose rileximin e Letrës. Një hipertekst, do të thoshim sot, që e ka zanafillën në përvojën e atyre, që kanë gjetur mbështetje në figurën e Shën Jozefit gjatë sprovave, ose burimin e asaj “krijimtarie dashurie”, të cilën e ka kërkuar shpesh Papa, veçanërisht në këtë kohë të vështirë, karakterizuar nga pandemia. Në fund të fundit, edhe vetë Ati i Shenjtë, në Letrën “Patris Corde”, e quan Shën Jozefin “atë (baba) me guxim krijues”.

Lexuesit e gazetës “L’Osservatore Romano” do të mund ta takojnë Shën Jozefin përmes tekstit të Letrës dhe artikujve, që do ta shoqërojnë atë çdo herë. Do të jetë një mënyrë për të dëgjuar “njeriun e ëndrrave”, një përmasë tjetër kjo, përmendur shpesh nga Papa Françesku, i cili e lidh pandashëm me përmasën e profecisë. Shën Jozefi është njeriu gjithnjë gati për t’iu bindur vullnetit të Zotit. Është bashkëshorti, i cili ruan gjënë më të çmuar që i është besuar. Është babai, zemra e të cilit - siç shkruan Anna Maria Canopi – “rri zgjuar edhe kur fle”. Por është edhe njeriu, që di të marrë vendime të prera dhe t’i zbatojë ato për të mbrojtur Shën Marinë dhe Foshnjën Hyjnore.

Siç thotë Psalmi, ai e di se “Zoti vigjëlon mbi udhën e të drejtëve”, edhe kur ajo duket e pasigurt dhe e rrezikshme. Shën Jozefi është ati, që vepron në hije dhe në heshtje. Është shembull kundër-rrymës, e jo vetëm për baballarët, në një botë, që ka maninë të na përsërisë se për të “realizuar vetveten” duhet të jemi gjithnjë në vijën e parë të frontit e të themi fjalën e fundit. Para së gjithash, Shën Jozefi është njeri, që e përjeton me gëzim bindjen ndaj Atit Qiellor, pasi e di se vetëm në këtë mënyrë dashuria realizohet përsosurisht.

18 mars 2021, 12:32