2017.12.22 cardinale pietro parolin 2017.12.22 cardinale pietro parolin

Kardinali Parolin, letër Mianmarit: “Kisha të impenjohet në dialogun për paqen”

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin shkruan një letër për Kishën e Mianmarit, duke e nxitur “të impenjohet në favor të procesit të paqes e në dialogun me të gjitha palët e intersuara”. U çon besimtarëve edhe solidaritetin e Papës Françesku

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ndjek me “shqetësim” dhe “solidaritet vëllazëror” gjendjen në Mianmar, duke i kërkuar Kishës Katolike në vend “të përfshihet në procesin e paqes” dhe të takohet me të gjitha palët e interesuara: me gjeneralin Min Aung Hlaing, kreun e forcave të armatosura birmane, që udhëhoqi grushtin e shtetit të 1 shkurtit;  me Aung San Suu Kyi, sot, në arrest shtëpiak, kryetare e Lidhjes Kombëtare për Demokracinë, partia që fitoi demokratikisht zgjedhjet e nëntorit; me liderët e shoqërisë civile dhe fetare e me të gjithë ata, që marrin pjesë në protesta.

Paqja është e mundur, paqja është udha e vetme

 Këto fjalë përmbahen në letrën që Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i dërgon kryeipeshkvit të Jangunit, kardinalit Charles Bo, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore. Vetë kryeipeshkvi njofton për këtë letër agjencinë katolike të lajmeve Sir. “Kardinali – shkruan ai – i kërkon Kishës së Mianmarit të transmetojë shqetësimin dhe dashurinë e Papës për këtë komb. Sekretari i Shtetit kërkon edhe që ky mesazh t’u përcillet të gjitha palëve të interesuara dhe na nxit të bashkohemi për të mirën e të gjithëve, sidomos për të realizuar shpresat dhe për të garantuar dinjitetin e brezave të rinj. Paqja është e mundur; paqja është udha e vetme. Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, kërkon që e gjithë bashkësia katolike në Mianmar të mos i kursejë përpjekjet në këtë drejtim”.

Thirrjet e Papës Françesku për Mianmarin

Në letër, Sekretari i Shtetit i Vatikanit “e inkurajon Kishën të përfshihet në procesin e paqes”, duke cituar mesazhet e shumta të Papës Françesku, në të cilat birmanët mund të gjejnë mbështetje për veprimin dhe impenjimin e tyre. Thirrja e Atit të Shenjtë në Engjëllin e Tënzot të 7 shkurtit, në të cilën Papa u kërkoi përgjegjësve të vendit të vihen “në shërbim të së mirës së përbashkët, duke promovuar drejtësinë shoqërore dhe qëndrueshmërinë kombëtare për të arritur bashkëjetesën demokratike të harmonishme” në Mianmar. Pastaj, më 3 mars, thirrja e Papës që bashkësia ndërkombëtare “të bëjë çmos për t’u siguruar që aspiratat e popullit të Mianmarit të mos mbyten me dhunë”. Në letrën e tij, kardinali Parolin kujton edhe se gjatë vizitës së tij në Mianmar në vitin 2017, Papa u takua me të gjitha palët e interesuara. “Të përforcuar nga mandati dhe nga inkurajimi i Vatikanit - shkruan kryeipeshkvi i Jangunit - ne si Kishë Katolike impenjohemi, së bashku me gjithë njerëzit vullnetmirë, në detyrën për ta parë këtë komb të ringjallet me mirëkuptim e paqe të ndërsjellë”.

Rritet bilanci i viktimave

Ndërkaq, vijon të rritet bilanci i viktimave të shkaktuara nga shtypja e forcave të sigurisë. Dëshmitarë dhe media lokale raportojnë për së paku 15 të vrarë në Jangun, gjatë protestave të fundit kundër grushtit të shtetit, që përmbysi qeverinë demokratike, më1 shkurt. Fjalët e kardinalit Charles Bo bëhen kështu thirrje: “I nxisim të gjitha palët në Mianmar të kërkojnë paqen”. “Kjo krizë - shkruan ai - nuk zgjidhet me gjakderdhje. Të kërkojmë paqen! Vrasjet duhet të ndalen menjëherë. Shumë kanë vdekur. Gjaku i derdhur nuk është gjak armiku. Eshtë gjaku i motrave dhe vëllezërve tanë, i qytetarëve tanë. Mjaft me vrasje! Mjaft me dhunë! Të braktiset rruga e mizorive dhe të lirohen gjithë të pafajshmit e burgosur”.

15 mars 2021, 12:37