2020.04.02 Piazza San Pietro, 1 Aprile 2020 2020.04.02 Piazza San Pietro, 1 Aprile 2020

Atë Guerrero: “Selia e Shenjtë zvogëlon shpenzimet, por jo misionin e saj”

Intervistë me Prefektin e Sekretarisë për Ekonominë, i cili shpjegon buxhetin e Selisë së Shenjtë për vitin 2021: “Shpenzimet e parashikuara janë më të ultat në historinë e kohëve të fundit, por nuk reduktojmë shërbimet e as rishikojmë personelin”

R.SH. - Vatikan

“Shpenzimet e parashikuara nga buxheti i vitit 2021 janë më të ultat në historinë e kohëve të fundit të Selisë së Shenjtë, por kursimet janë bërë pa e reduktuar shërbimin për misionin e Papës e, njëkohësisht, duke ruajtur pagat dhe punën e punonjësve. Kemi nevojë për mbështetjen e besimtarëve”. Ky është thelbi i intervistës së prefektit të Sekretarisë për Ekonominë, atë Juan Antonio Guerrero Alves, për Vatican News, në të cilën shpjegon se “kriza e shkaktuar nga pandemia është shkaku i këtij buxheti të kufizuar. Priten të ardhura shumë më të ulta se ato të vitit 2019, në masën prej 30%”.

 Sipas Guerreros, në këtë kohë tejet të vështirë “rreth 50% e buxhetit shkon për pagat e personelit. Në vitin 2020 kjo pjesë u rrit me 2% krahasuar me 2019-ën. Ruajtja e vendeve të punës dhe e pagave ka qenë përparësi për ne deri tani”. Masat e miratuara për vitin 2020, tregon prefekti, zvogëluan në mënyrë drastike koston e konsulencave (1,5 milion euro), anuluan të gjitha ngjarjet e planifikuara për vitin 2020, përfshirë vizitat ad limina, asambletë e përgjithshme, konferencat, kongreset dhe të tjera të ngjashme me to (1,3 milion euro), kufizuan radikalisht të gjitha udhëtimet (3 milion euro), pezulluan blerjet e planifikuara të mobiljeve (0,9 milion euro), bllokuan punimet jo urgjente e shtynë ristrukturimin e pronave të patundshme (4,8 milion €).

“Ngul këmbë gjithnjë mbi faktin se ne nuk jemi ndonjë kompani, nuk përpiqemi të nxjerrim fitime – thekson ai. – Madje, nuk jemi si shtetet e tjera e as si organizatat jo qeveritare”. Prefekti i Sekretarisë për Ekonominë sqaron se nga përvoja e deritanishme shihet se “një Kishë pa rezerva financiare, gjithsesi, e vazhdon misionin e saj të ungjillizimit me krijimtarinë që Shpirti Shenjt ia dikoi në ato raste historike, kur kjo pati ndodhur. Sidoqoftë, shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Në këtë çast, duhet të shmangim dekapitalizimin e dëmshëm, ose atë që varet nga administrimi i keq i pasurisë”.

Në lidhje me Obolin e Shën Pjetrit, prefekti vë në duke se ai “shërben për të mbuluar shpenzimet e misionit të Atit të Shenjtë, unitetin në bamirësi, të cilin ai e ushtron përmes dikastereve të ndryshme. Risia është se për disa vite, donacionet, përfshirë Obolin, nuk arritën të mbulojnë kostot e këtij misioni dhe, për pasojë, rezervat e Obolit të Shën Pjetrit, të akumuluara në vitet e mëparshme, janë konsumuar. Në vitin 2020, për shkak të uljes së të ardhurave, mund të vlerësojmë (bilanci ende nuk është mbyllur) një reduktim të rezervave për më se 40 milion euro. Presim që e njëjta gjë të ndodhë sërish në vitin 2021”.

Atë Guerrero shpreh mirënjohjen e tij për bujarinë e besimtarëve në këtë vit shumë të vështirë: “Në mes të vështirësive të kësaj kohe pandemie ata kanë vazhduar të bashkëpunojnë, sepse besojnë në misionin e Kishës dhe duan ta mbështesin Atin e Shenjtë”. Skenarët e rinj, shkaktuar nga koronavirusi nuk e shqetësojnë jezuitin, i cili tregon se vitin e kaluar, për shembull, për shkak të shumë takimeve në videokonferencë, u kursye shumë. “Gjendja e re zhvilloi një krijimtari, nga e cila nxorrëm mësime. Nga ana tjetër, duke bërë hapa të reja drejt një frytshmërie më të madhe, duke bërë shumë me pak, kursyem. Duhet përmirësuar transparenca, në mënyrë që besimtarët të dinë ç’bëhet me donacionet e tyre. Nëse kjo situatë vazhdon për një kohë të gjatë, nuk do të jemi në gjendje ta përmbajmë deficitin, përveçse me mbështetjen e besimtarëve”, thekson ai.

 Duke folur për reformën e dëshiruar nga Papa, i cili i zhvendosi të gjitha fondet e Sekretarisë së Shtetit në APSA (Administrimi i Trashëgimisë së Selisë Apostolike), prefekti sqaron se shumica e tyre janë transferuar tashmë. “Ka një pjesë të vogël, për të cilën ka disa ndërlikime ligjore, por edhe ajo do të zhvendoset së shpejti. Revizori i Përgjithshëm po kryen një kontroll për të vërtetuar bilancin e llogarive të ndryshme”.

Së fundi, transparenca. “Është e dobishme për administrimin e brendshëm të fondeve, për të ulur kostot e administrimit e për të rritur ato të misionit. Nga ana tjetër, besimtarët meritojnë transparencë, ata duhet ta dinë si i shpenzon Kisha gjithçka merr si dhuratë. Për ne është çështje besueshmërie. Jemi të parët, që duhet të dëshmojmë se morali shoqëror i Kishës dhe kriteret morale që mbështesim, funksionojnë dhe janë të vlefshme. Shpesh thuhet se në administrimin e fondeve të saj, Kisha duhet t’u përshtatet kritereve ndërkombëtare... Duhet të kemi aspiratën për t’u bërë pikë referimi, model për botën”.

12 mars 2021, 13:32