Policia arreston protestuesit Policia arreston protestuesit 

Kriza në Mianmar. Jurkoviç: thirrje për paqe e drejtësi shoqërore

Pas grushtit të shtetit të një shkurtit të kaluar në Mianmar, tensioni vijon të rritet, e me të edhe protestat. Duke folur në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut, në Gjenevë, Imzot Ivan Jurkoviç, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, bëri thirrje “për zgjidhjen paqësore e të shpejtë të tensioneve në vijim”, duke shprehur besimin se “dialogu do të mund të sjellë paqen aq të dëshiruar”.

R. SH. - Vatikan

Situata në Mianmar bëhet gjithnjë më e nderë. Me të, edhe protestat e, si në Yangon, ashtu edhe në Mandalay, vijojnë shrregullimet. Sipas disa burimeve, të paktën 326 vetë mbahen akoma në burgje. Dje ishte në qendër të vëmendjes në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut kjo situatë, që vijon të bëhet gjithnjë më e shqetësuar që nga 1 shkurti, kur u përmbys qeveria e Lidhjes Nacionale për Demokracinë, e udhëhequr nga Nobeli për Paqen, Aung San Suu Kyi, e cila ndodhet përsëri në burg. Pas këtij akti, në vend nisën menjëherë protestat  e popullsisë, që zbriti ndër sheshe në një mori qytetesh të vendit, duke sfiduar policinë si dhe gazet lotësjellëse e shkopinjtë prej gome  përdorur për të shpërndarë turmën. Zëvendës komisari i OKB-së për të drejtat e njeriut, Nada al-Nashif dhe referuesi i posaçëm, Tom Andrews, nënvizuan dje se është e nevojshme të merren masa ndëshkimore kundër liderëve ushtarakë, duke këshilluar që këto masa të mos rëndojnë më tej mbi kurrizin e popullsisë, që po vuan dyfish: nga grushti i shtetit e i pandemisë!

“Që nga koha e vizitës së tij apostolike më 2017, Papa Françesku e kujton vazhdimisht me shumë dashuri Mianmarin e këto ditë Selia e Shenjtë po i ndjek me vëmendje të madhe e shqetësim të thellë zhvillimet e situatës së krijuar në vend”.  Me këto fjalë e hapi Imzot Ivan Jurkoviç, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë, fjalën e mbajtur në sesionin e 29-të të posaçëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së, kushtuar kombit aziatik, që po jeton “një çast delikat”. Në këtë kontekst Selia e Shenjtë, pohoi Vëzhguesi i përhershëm “dëshiron ta sigurojë edhe një herë popullin e Mianmarit për afërsinë shpirtërore, lutjen e solidaritetin”.

Dialog e respekt për dinjitetin e njeriut

Njëkohësisht Prelati u uroi “atyre, të cilët kanë përgjegjësi në vend, ta vënë veten dhe veprimtarinë e tyre, me gatishmëri të sinqertë, në shërbim të së mirës së përbashkët, të të drejtave të njeriut, stabilitetit kombëtar dhe bashkëjetesës së harmonishme, demokratike e paqësore”. Duke i nxitur, më pas, palët kundërshtare “ta lënë mënjanë gjithçka i kundërvihet procesit të dialogut e të respektimit reciprok të dinjitetit të njeriut”. Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë bëri thirrje “për  zgjidhjen paqësore e të shpejtë të tensioneve”, duke shprehur besimin se “vijimi i dialogut do të mund të sjellë paqen aq të dëshiruar”.

Thirrjet e Papës

Fjalët e imzot Jurkoviç të kujtojnë fjalët e shqiptuara nga Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 7 shkurtit, në përfundim të së cilës shprehu gjithë shqetësimin e tij  për çastin tejet delikat, që po kalon Mianmari pas grushtit ushtarak të shtetit që, më 1 shkurt, çoi në arrestimin e prijëses, Nobel për Paqen, Aung Suu Kyi. Në këtë gjendje është sot Mianmari, që zë një vend të posaçëm në zemrën e Françeskut, qysh nga koha e vizitës së tij apostolike më 2017.  

Fjalë, ngarkuar me shqetësim

Po kujtojmë fjalët plot shqetësim për Mianmarin, shqiptuar nga Ati i Shenjtë të dielën e kaluar:

“Në këtë çast kaq delikat, dëshiroj t’i siguroj përsëri afërsinë time shpirtërore, lutjen time e solidaritetin tim popullit të Mianmarit e lutem që të gjithë ata, të cilët kanë përgjegjësi në vend, të vihen me gatishmëri të sinqertë në shërbim të së mirës së përbashkët, duke promovuar drejtësinë shoqërore e stabilitetin kombëtar, për një bashkëjetesë të harmonishme demokratike”.

13 shkurt 2021, 14:20