Quaresima - ceneri  Quaresima - ceneri  

Kreshmët: si t’i jetojmë në kohën e Covid

Çfarë kuptimi ka fjala Kreshmë? Fjala “hi”? Cilat janë sjelljet? Kremtimet? Leximet? Si mund ta kuptojmë këtë kohë të fortë, që nis me të Mërkurën e Përhime? E si ta jetojmë në kohën e Covid 19?

R.SH. - Vatikan

Sot, 17 shkurt, e Mërkura e Përhime, nisën Kreshmët. Është kohë e fortë, që na përgatit për Pashkë. Arrijmë, kështu, në kulmin e vitit liturgjik e të jetës së çdo të krishteri. Edhe sivjet në atmosferën e pandemisë e të masave kundër Covid, që shoqërojnë dhimbshëm jetën e njerëzve. Po nuk është hera e parë, që jetohet në këtë atmosferë. E ndjemë fort edhe në vitin e kaluar.

Kreshmët, që nisën sot, do të përfundojnë të Enjten e Madhe, me Meshën in Coena Domini (në kujtim të themelimit të Eukaristisë, nësa kremtohet edhe  riti i larjes së këmbëve) që hap edhe Triditshin e Pashkëve. Shën Pali na kujton se Kreshmët janë “çast i favorshëm” për të ecur në udhën e kthesës së vërtetë, çast për të rrokur armët e pendesës në luftë kundër shpirtit të së keqes - siç e lexojmë në fillim të Meshës të së Mërkurës së Përhime -.

Në këtë rrugë  prej 40 ditësh, që përfundon me Triditshin e Pashkëve, kujtesë e mundimeve, vdekjes dhe ngjalljes së Zotit e zemër e misterit të Shëlbimit, “përtërijmë fenë tonë, shuajmë etjen me ujin e gjallë të shpresës, i hapim zemrat për dashurinë e Zotit, që na shndërron në vëllezër e motra në Krishtin” -  kujton Papa Françesku në mesazhin për Kreshmët 2021.

Numri 40

Në liturgji kujtohet “Quadragesima”, domethënë periudha prej 40 ditësh. Kreshmët na kujtojnë dyzet ditët e agjërimit, të jetuara nga Zoti në shkretëtirë para se të niste misionin e tij publik. Lexojmë në Ungjillin e Mateut: “Shpirti Shenjt e çoi Jezusin në shkretëtirë, ku për dyzet ditë e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, pati uri”.

Dyzeta është numër simbolik

Dyzeta është numër simbolik! Simbol i dyzet vjetëve, gjatë të cilave populli i Zotit ravgoi në shkretëtirë. Është shifër, që shpreh kohën pritjes, të pastrimit, të rikthimit tek Zoti, tek vetëdija se Zoti është besnik ndaj premtimeve të Tij. Në Besëlidhjen  e Vjetër ditët e përmbytjes universale janë 40;  dyzet ditë ndenji edhe Moisiu mbi malin Sinai; dyzet vjet shtegtoi populli i Izraelit në shkretëtirë, para se  të arrinte në Tokën e Premtuar; dyzet ditë eci Ilia Profet për të arritur në Malin Horeb; dyzet ditë ishte afati, që i caktoi Zoti Ninives për t’u penduar, pas predikimit të Jonës.

Në Ungjijtë, 40 janë edhe ditët gjatë të cilave Jezusi i ngjallur i mësoi të tijtë, para se të ngjitej në qiell e të dërgonte prej andej Shpirtin Shenjt.

Ndërsa Kreshmët  janë “shoqërim i Jezusit, që ngjitet në Jeruzalem, vend i përmbushjes së misterit të mundimeve, vdekjes e ngjalljes, e të kujton se jeta e krishterë është udhë, për t’u përshkuar, në ndjekje të Krishtit”, pati shpjeguar Benedikti XVI në vitin 2011.

E Mërkura e Përhime, ditë agjërimi: nuk hahet mish

Ashtu si të Premtën e Madhe, as në të Premtet e Kreshmëve nuk duhet ngrënë mish. Siç na e kujton një nga parathëniet e Kreshmëve, me “agjërimin kreshmor” mund t’i mposhtim pasionet tona e ta lartojmë “shpirtin”.

Agjërimi e përkorja në histori

Agjërimi e përkorja u praktikuan që në kohën e bashkësive të para të krishtera, në gjurmë të vetë Krishtit. Rrënjët e tyre nisin që në Shkrimin Shenjt e vijojnë në Traditën e Kishës, duke u dalluar nga praktikat e tjera të “heqjes dorë nga ushqimi”. Gjatë Historisë së Kishës shquhen për praktikimin e agjërimit, të mëngjilljes a të njinesës -  eremitët (ndërmjet të cilëve,  Etërit e shkretëtirës, në shekullin IV), si dhe murgjërit. Gjatë gjithë erës së ndritur mesjetare, këto praktika arritën kulmin posaçërisht ndërmjet urdhërave lypsare e vijuan edhe në  erën moderne, në të cilën shembullin më të ndritur të agjërimit e dha kryeipeshkvi i Milanos, Carlo Borromeo (1538-1584), duke e praktikuar gjatë gjithë periudhës që i paraprin Pashkëve, në gjurmët e agjërimit të krishterë në shkretëtirë.

Po ç’dallim ka ndërmjet agjërimit(ngjinesës) e përkorjes?

Përkorja ndalon përdorimin e mishrave, por jo të vezëve, të prodhimeve të qumështit e të yndyrës së kafshëve.

Agjërimi “kërkon të hash vetëm një herë në ditë, por nuk të ndalon të marrësh pakëz ushqim edhe në mëngjes e në darkë”.

Kur?

Sipas porosive të Kishës, agjërimi e përkorja duhen respektuar nga besimtarët të Mërkurën e Përhime (ose të premten e parë të Kreshmëve, për ritin ambrozian), dhe të Premten e Madhe, ndërsa vetëm përkorja parashikohet për të gjitha të premtet e Kreshmëve, ashtu si edhe për të gjitha të premtet e vitit, veç atyre të solemniteteve.

Kush?

Duhet të agjërojnë gjithë të krishterët, deri në moshën 60 vjeçare e të praktikojnë përkorjen të gjithë ata, që kanë mbushur 14 vjeç, në të gjitha rastet, përveç gjendjeve të posaçme shëndetësore.

Kush agjëron - na kujton Françesku - bëhet i varfër ndërmjet të varfërve e grumbullon pasurinë e dashurisë, që e mori dhe e dha. Agjërimi të ndihmon, prandaj, ta duash Zotin e të afërmin

Lëmosha

Agjërimi lidhet ngushtë me lëmoshën. Domethënë shenjtërohet nga virtytet që e shoqërojnë, posaçërisht nga dashuria e krishterë dhe nga bujaria ndaj të varfërve e nevojtarëve. Është fryt i heqjes dorë nga ndonjë kënaqësi vetjake, për ta kënaqur tjetrin: “T’i jetosh Kreshmët me dashuri të krishterë - nënvizon Papa Françesku - do të thotë të kujdesesh për  njerëzit që vuajnë, që braktisen a që janë të pushtuar nga ankthi për shkak të pandemisë së Covid-19” .

Lutja

Kreshmët janë edhe kohë e privilegjuar për lutje:  “Shën Agostini na kujton se agjërimi e lëmosha “janë dy flatrat e lutjes”, që të krijojnë mundësinë të marrësh fluturimin drejt qiellit e të arrish deri te Zoti”. E Shën Gjon Krizostomi na nxit: “Zbukuroje shtëpinë me modesti e përvujtëri përmes praktikës së lutjes. Kështu përgatit për Zotin një banesë të denjë, e pret nën një strehë mbretërore”.

Ftesa e Papës

Mesazhi i Papës për Kreshmët 2021 na fton të shpresojmë, përsëri: “Ndërsa lutemi në heshtje - na kujton - shpresa na dhurohet si frymëzim e dritë shpirtërore, që i ndriçon sfidat dhe udhët e misionit tonë: ja, pra, pse është themelore të gjunjëzohesh në lutje e të takohesh, në fshehtësi, me Atin e Dashurisë. T’i jetosh Kreshmët me shpresë, do të thotë të jesh, në Jezu Krishtin, dëshmitar i kohës së re, në të cilën Zoti i bën të reja të gjitha sendet”.

Numërimi i ditëve

Kreshmët, pas disa ndryshimesh në rrjedhë shekujsh, kremtohen për 40 ditë, duke numëruar edhe Triditshin e Pashkëve. Nisin me të Mërkurën e Kreshmëve, siç u quajt në fillim, për të ndërruar, më pas, emrin në “e Mërkura e Përhime”. Aktualisht Kreshmët përfundojnë me Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit të së Enjtes së Madhe.

Hiri i përhimjes

Sipas zakonit, hiri sigurohet duke djegur degët e ullirit, a të larit, të vitit të mëparshëm, të bekuara pikërisht të Dielën e Larit. Ndërsa Meshtari  e përhin lehtësisht kokën e besimtarit, ose i bën, gjithnjë me hi, shenjën e kryqit në ball, duke shqiptuar formulën e përhimjes: “Pluhur ke qenë dhe në pluhur do të kthehesh". Ose: "Mendo, o njeri se hi ke qenë dhe  në hi  do të kthehesh".

Kuptimi i dyfishtë i përdorimit të hirit.

Hiri simbolizon fundin e jetës fizike. Por, në anën tjetër,  synon të paraqesë edhe vaktësinë e shpirtit, që ka nevojë për agjërim, kthim në jetë të virtytshme. Abrahami i drejtohet Zotit me këto fjalë: “Ja, unë po marr guximin të flas me Zotin tim, unë që jam hi e pluhur...” (Zan 18,27). Poashtu edhe në librin e Jobit, mund te lexojmë: “Në baltë më përplasi pa farë mëshire e jam bërë krejt blozë e pluhur” (Jb 30,19). Edhe në shumë çaste të tjera, në Shkrimin Shenjt, mund të hasim në këso dëshmish. Por hiri është edhe shenjë e jashtme e atij që, duke u penduar për veprat e veta të këqija, vendos të marrë udhën e kthimit kah jeta me Zotin.

Posaçërisht vlen të theksohet teksti biblik i kthimit të banorëve të Ninivës me rastin e predikimit të Jonës: “Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me thes prej më të madhit e deri në më të voglin. I arriti lajmi edhe mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i hoqi petkat e u vesh me thes e u ul në pluhur”(Jn.3,5). Përsa i përket zbatimit të këtij riti në botën e krishterë, riti merret nga praktika hebraike dhe vazhdon te kryhet me të njëjtin kuptim e me të njëtën porosi.

Pse përhihemi?

 Hiri është shenjë pendese dhe na ndihmon të jemi të përvujtë, gati për flijim. Në sa hiri bie mbi kokat tona kuptojmë se kjo jetë është e përkohshme. Një tjetër na pret, jeta amshuar, në dritën e pambaruar të Zotit!

17 shkurt 2021, 08:05