Parolin për Takimin mbi përshtatjen ndaj klimës: rast për një model të ri zhvillimi

Videomesazh i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, që, në emër të Papës Françesku, iu drejtua Takimit mbi Përshtatjen ndaj Klimës 2021: nevojitet një strategji globale për të zbutur pasojat negative të ndryshimit të klimës, por edhe për të forcuar qëndrueshmërinë e të varfërve, “më në rrezik, sepse kanë më pak mundësi për përshtatje”

R.SH. - Vatikan

Përgjigjja ndaj ndryshimeve klimatike, për të zbutur pasojat e dëmshme dhe për t’iu përshtatur atyre, u ktheftë në mundësinë për të “promovuar një model të ri zhvillimi”, i cili “përmirëson kushtet e jetesës, shëndetin, sigurinë” e të gjithëve dhe krijon “mundësi pune”. Ky është thelbi i videomesazhit, që Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dërgoi në hapje të Takimit ndërkombëtar 2021 mbi Përshtatjen ndaj Klimës, organizuar në internet nga Hollanda, më 25 dhe 26 janar.

Drejt Konferencës mbi ndryshimet e klimës COP26

Në këtë mbledhje analizohen hapat e bëra pas Takimit të fundit të Veprimit për Klimën, organizuar nga OKB-ja në Nju Jork, në shtator 2019; paraqiten zgjidhje pionieriste për përballimin e emergjencës klimatike, që të vijohet udha drejt Konferencës së OKB-së për ndryshimin e klimës COP26 në Glasgow, nga 1 deri më 12 nëntor 2021. Në veçanti, organizatorët e saj kërkojnë fonde të reja ndërkombëtare për punën kërkimore në bujqësi dhe konsulencë për fermerët, që ata të dinë si t’u përshtaten pasojave të ndryshimit të klimës në prodhimin ushqimor.

Reduktimi i gazit serë

“Sfida epokale për të mirën e përbashkët”, që ka të bëjë me ndryshimin e klimës, shpjegon kardinali Parolin në videomesazh, kërkon “ndërhyrje të shpejtë” për reduktimin e gazit serë dhe për zbutjen e pasojave negative të tij, si edhe “përforcimin e përshtatjes e të qëndrueshmërisë” ndaj këtyre ndryshimeve. Është fjala për një domosdoshmëri morale dhe humanitare, vazhdon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, “sepse pasojat negative më të rënda të ndryshimit të klimës shpesh prekin më të ligështit: të varfërit dhe brezat e ardhshëm”. Të varfrit, të cilët janë “më pak përgjegjës për ngrohjen globale”, fatkeqësisht, “janë më të prekurit, pasi kanë më pak kapacitet për t’u përshtatur dhe shpesh jetojnë në zona gjeografike veçanërisht në rrezik”.

Kardinali Parolin në videomesazh
Kardinali Parolin në videomesazh

Veprimtari plotësuese zbutëse dhe përshtatjeje

Këto veprimtari shtesë për zbutjen dhe përshtatjen ndaj pasojave të ndryshimit klimatik, vëren kardinali Parolin, kërkojnë “hartimin e një strategjie afatgjatë, globale e të përbashkët, bazuar në impenjime të mirëpërcaktuara, të afta të përvijojnë dhe të promovojnë një model të ri zhvillimi, bazuar mbi lidhjen sinergjike ndërmjet luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe asaj kundër varfërisë”. Sepse “asgjë nuk mund të arrihet duke punuar vetëm. Pandemia e Covid-19 e dëshmon këtë mjaft mirë”.

Nevojitet bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar

Për këtë, nevojitet një “bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar, që impenjohet për zhvillimin e qëndrueshëm me emetim të ulët karboni, si edhe për investime në përforcimin e teknologjive dhe të qëndrueshmërisë e në transferimin e tyre në kushte të barabarta, veçanërisht në vendet më të varfra”. Kardinali Parolin përmend fjalët e Papës në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shtatorin e kaluar, gjatë të cilit Ati i Shenjtë kërkoi forcimin e qasjes shumëpalëshe në zgjidhjen e problemeve dhe bashkëpërgjegjësinë, në vend të nacionalizmit, mbylljes në vetvete, individualizmit dhe izolimit.

Mundësi për të përmirësuar kushtet e përgjithshme të jetës

Shpresa e Papës, nënvizoi kardinali në videomesazh, “është që reagimi ndaj ndryshimit të klimës të bëhet mundësi për të përmirësuar kushtet e përgjithshme të jetesës, shëndetin, transportin, energjinë dhe sigurinë, si edhe për të krijuar mundësi të reja punësimi”. Detyra “është e vështirë dhe e ndërlikuar”, përfundoi kardinali, por “ne e kemi lirinë, inteligjencën dhe aftësinë për t’i dhënë një drejtim të caktuar teknologjisë e për ta vënë atë në shërbim të një përparimi tjetër: më njerëzor, më shoqëror e më të gjithanshëm”. Duhet “të dëshmojmë se kemi vullnet politik dhe motivacion për ta çuar deri në fund këtë ndërmarrje”.

25 janar 2021, 15:35