Vatican News
LITHUANIA-RELIGION-POPE LITHUANIA-RELIGION-POPE  (AFP or licensors)

Rueda nënsekretar i Seksionit të Tretë të Sekretarisё së Shtetit tё Vatikanit

Papa Françesku e kthen prelatin kolumbian përsëri në Vatikan, i cili për disa vite ishte përgjegjës për organizimin e udhëtimeve papnore dhe aktualisht shërben në Nunciaturën apostolike në Lisbonë. Kryeipeshkvi Pawlowski bëhet "Sekretar për Përfaqësitë Papnore".

R.SH. - Vatikan

"Seksioni për Personelin diplomatik të Selisë së Shenjtë", Seksioni i Tretë i Sekretarisë së Shtetit tё Vatikanit, themeluar nga Papa Françesku në nëntor 2017, do të ketë një nënsekretar: në këtë detyrё sot u emërua Imzot Mauricio Rueda Beltz, i cili për katër vjet nga shkurti 2016 deri në korrik 2020 - ishte përgjegjës për organizimin e udhëtimeve ndërkombëtare të Papës dhe deri më tani shërbeu si këshilltar i Nunciaturës Apostolike në Portugali. Imzot Rueda, 50 vjeç, me origjinë kolumbiane, para se të mbërrinte në Sekretarinë e Shtetit tё Vatikanit pati shërbyer në Nunciaturat Apostolike në Guinea, Kili, Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs dhe Jordani.

Në të njëjtën ditë, u njoftua gjithashtu një ndryshim në emёrtimin e zyrës së mbajtur nga përgjegjësi i Seksionit të Tretë të Sekretarisë së Shtetit, Kryeipeshkvi Jan Romeo Pawlowski, emëruar pesë vjet më parë Delegat për Përfaqësitë Papnore. Nga sot do të jetë "Sekretar për Përfaqësitë Papnore", me një titull që e barazon me pёrgjegjёsat e dy seksioneve të tjera, Zëvendësin dhe Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet. Një ndryshim që ndodh në pritje të asaj që do të përmbahet në Kushtetutën e re Apostolike që reformon Kurien Romake, " Praedicate Evangelium", aktualisht në studim e sipёr.

Seksioni i Tretë merret ekskluzivisht me çështjet që kanë të bëjnë me njerëzit që punojnë në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë ose që po përgatiten të hyjnë në të, dhe u krijua për të treguar vëmendjen e afërsinë e Papës dhe tё eprorëve të Sekretarisё së Shtetit tё Vatikanit ndaj personelit të përhershëm diplomatik.

 

17 dhjetor 2020, 16:56