Parolin: pas pesë vitesh, Marrëveshja e Parisit është “sfidë qytetërimi”

Në një videomesazh për webinarin e organizuar nga ambasadat britanike, franceze dhe italiane në Selinë e Shenjtë, në 5-vjetorin e Marrëveshjes për Klimën, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kërkon të promovohet “kultura e kujdesit”. Është rritur vetëdija e shoqërisë civile, por kjo duhet të ndodhë edhe me vullnetin politik. Papa do të ndërhyjë në “Virtual Climate Ambition Summit”, më 12 dhjetor

R.SH. - Vatikan

Ngrohja e klimës e tani, pandemia. Dy çështje “globale”, të cilave asnjë qeveri s’mund t’u shmanget, ose, siç thotë Papa Françesku, t’i trajtojë, duke menduar veç për vete. Analiza që Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin i bën skenarit ndërkombëtar pas Marrëveshjes së Parisit për Klimën është e qartë: ndërsa nga njëra anë, është rritur vetëdija e përgjithshme për çështjen klimatike, që nga viti 2015 e më pas, nga ana tjetër, asaj nuk i përgjigjet një vullnet politik po aq i fuqishëm për të vepruar mbi pasojat e ndryshimit të klimës. Këtë mendim, kardinali Parolin ia beson videomesazhit për Tryezën e rrumbullakët, organizuar në internet, nga ambasadat e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë në Selinë e Shenjtë mbi temën: “Të përballojmë ndryshimet klimatike: nga Parisi në Glasgou, përmes Milanos”.

Agjenda e impenjimeve

          Pikërisht më 12 dhjetorin e 5 viteve më parë u nënshkrua e ashtuquajtura Marrëveshje e Parisit për Klimën. E të shtunën, më 12 dhjetor, mbahet ky takim i sivjetëm në Vatikan, gjithnjë për përballimin e pasojave të ndryshimit të klimës (High Level Virtual Climate Ambition Summit), ku do të ndërhyjë edhe Papa Françesku. Siç thotë kardinali Parolin në videomesazhin e tij, Papa do të shohë drejt COP26, takimit për klimën në Glasgou, parashikuar në nëntor 2021. Para tij, një etapë ndërmjetëse në Milano, në shtator.

Tre koncepte për të mirën e përbashkët

          Për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, politika globale është tejet e ngadaltë në përballimin e problemeve të klimës. Ka vende, që nuk kanë marrë aspak impenjime në këtë drejtim e nuk e konsiderojnë të nevojshëm zbatimin e Marrëveshjes së Parisit. Duhet krijuar një model i ri zhvillimi, themeluar mbi “kulturën e kujdesit” për të tjerët e për ambientin. Kardinali përvijon tre koncepte-bazë për këtë model: ndërgjegjen, urtinë e vullnetin. Ndërgjegja, shpjegon ai, i referohet “punës kërkimore” të shkencave fizike dhe humaniste, “në gjendje të krijojnë dialog ndërmjet llojeve të ndryshme të dijes, në nivel ndërdisiplinor”. Urtia i ka rrënjët në “parime etike afatgjata dhe propozitive”. Kisha është ajo, që duhet të propozojë mësimet e doktrinës së saj shoqërore. Së fundi, vullneti, i cili e kthen veprimin politik në kërkim të së mirës së përbashkët.

10 dhjetor 2020, 16:56